Kategori: Uncategorized

  • Mustafa (LDK): Investimet kapitale në Prishtinë janë bllokuar nga Qeveria Kurti

    Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, derisa ka folur për nevojën e një zhvillimi më të madh ekonomik në vend, ka përmendur “bllokadat buxhetore”, që sipas tij, ia ka shkaktuar Qeveria Kurti, Komunës së Prishtinës.

    Në “Debat Përnime”, më 24.01.2025, ai ka thënë se pavarësisht pengesave që i janë bërë qeverisjes së LDK-së në Prishtinë, prapë se prapë është shënuar rritje e investimeve kapitale në kryeqytet nga Përparim Rama.

    “Kryeministri aktual dhe secili ministër- pa përjashtim, që ka pasur mundësi ta bllokojë Prishtinën, e ka shfrytëzuar këtë mundësi. Në vitin 2024, e ke edhe deklaratën e kryetarit Rama që ka arritur investimet kapitale në 63%, përkundër secilës bllokadë të mundshme që i ka bërë kryeministri, ministri i Financave, [ministrja] e Arsimit”- tha Mustafa.

    Në lidhje me këtë foli edhe kandidati tjetër, Berat Rukiqi, i cili përmendi bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), që sipas tij, është i ndikuar politikisht nga partia në pushtet.

    “Ne do ta largojmë kancerin në kuptim për nga qasja, kancerin e investimeve publike në vend, Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Ky organ duhet të jetë funksional, ky organ duhet të ketë afate të qarta ligjore, ky organ duhet të ketë rregulla që janë të barabarta për të gjithë”- tha Rukiqi.

    Gjithashtu, ai tha se me ardhjen e tyre në pushtet do të sigurohen që projektet e mëdha mos të ngecin në procedurat të gjata dhe të kenë një trajtim të veçantë, por pa u shkelur konkurrenca dhe aspekti ligjor.

    “Ne duhet me u siguru që projektet e mëdha, projektet kapitale, projektet e rëndësisë jetike për qytetarët e vendit të kenë trajtimin e veçantë, jo duke e shkelë konkurrencën, jo duke e shkelë ligjin, por jo edhe duke i vonuar, jo ne të hupim katër vjet të qeverisjes për shkak se dikush, një anëtar i bordit atje e krijon ndonjë pengesë”- ka thënë ai.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.

    “Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.

    Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/central-me-gaz-aviokompani-dhe-investime-miliardeshe-plani-i-ldk-se-per-zhvillimin-ekonomik/

  • Latifi (AAK): Do ta trefishojmë mbështetjen për fermerët

    Kandidati për deputet nga Koalicioni AAK-Nisma, Smajl Latifi, e konsideron bujqësinë si sektor të rëndësishëm në rritjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

    Për të zhvilluar këtë sektor, në programin zgjedhor të këtij koalicioni parazgjedhor, është paraparë rritja e subvencioneve dhe krijimi i disa lehtësirave për bujqit.

    “Efektet e punës në bujqësi mund të ndikojnë në rritjen e Bruto Produktit Vendor. Ne kur i rrisim subvencionet, kur i hapim më shpesh thirrjet për grante, që [bujqit] të fitojnë projekte në partneritet me qeverinë, me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, sigurisht që është lehtësi për ta”- tha Latifi në “Debat Përnime”, më 23.01.2025.

    Në debat, ai foli edhe për vështirësitë që i kanë bujqit edhe pse marrin subvencione, meqë, sipas tij, ato i marrin me vonesë dhe si të tilla nuk ju ndihmojnë si duhet në punën e tyre.

    Ai është zotuar se nëse koalicioni i tyre vjen në pushtet, kjo praktikë do të ndryshohet.

    “Bujqit e Kosovës nuk i kanë marr subvencionet edhe pse aplikimet kanë ndodh në shkurt të vitit që shkoi [2024]. Ne hapim thirrje rrallë për grante. Ne po mendojmë që të hapim çdo vit thirrje për grante, e dy herë në vit për mbjelljet e kulturave pranverore, si dhe mbulim më të madh me serra e stalla”- tha Latifi.

    Trajtimi i sektorit të bujqësisë më prioritet, sipas tij, përveçse do t’i përmbushte nevojat e Kosovës si shtet, do të ndikonte që produktet vendore të jenë konkurrues në rajon.

    Ndër të tjera, Latifi përmendi edhe buxhetin vogël që ndahet për këtë sektor.

    ”Ju them të drejtën, pak mbi 90 milionë është buxheti për bujqësi për këtë vit. Për mallra dhe shërbime 4 milionë e 800 mijë, investime kapitale 4 milionë e gjysmë, në grante subvencione dhe transfere 74 milionë, që do të thotë që është aq buxhet i pamjaftueshëm sa ne nuk mund të jemi konkurrentë”, thotë ai.

    E keqja më e madhe, sipas tij, është që prodhimet e Kosovës edhe pse “janë shumë më të mira, më cilësore e më të kërkuara”, prapë se prapë, “fermeri ynë me prodhimet e veta kur të del në treg mbisundohet nga importi”.

    Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, Latifi premtoi trefishim të mbështetjes për fermerët në katër vitet e para të mandatit.

    Ndërsa, Arton Demhasaj tha se kanë paraparë 1 miliard euro investime për bizneset e vogla, apo nga 250 milionë për çdo vit.

    Demhasaj tha se pjesa e produkteve vendore ka nevojë për një kontroll të cilësisisë e pastaj edhe për fushatë vetëdijësuese në mënyrë që ato t’i kenë standardet e BE-së.

    Ai përmendi edhe sektorin e turizmit, duke fajësuar qeverinë e drejtuar nga kryeministrit Albin Kurti se e ka harruar që ekziston.

    “Imagjinojeni kjo qeveri e ka ndalë edhe një rrugë që ka qenë t’u u ndërtu, rruga Deçan-Plavë që e ngjallë turizmin e asaj pjesë. Ka qenë një prej projekteve me të rëndësishme të zhvillimit të turizmit sidomos në pjesën e Bjeshkëve të Deçanit”- tha ai.

    Në program, Demhasaj tha se kanë paraparë ndërtimin e tri qendrave të skijimit: një që lidhet me Deçan në Bjeshkën e Belegut; e dyta që lidhet me Bjeshkën e Rugovës; dhe e fundit në Bjeshkët e Sharrit.

    Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

    “Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.

    E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

    Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/zotimet-e-koalicionit-aak-nisma-termocentral-me-thengjill-rritje-pagash-e-funksionalizim-te-aeroportit-te-gjakoves/

  • PDK premton investime në transportin hekurudhor, parasheh edhe linja të tramvajit

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Programin e saj zgjedhor ka paraparë edhe disa projekte për Rajonin 01 – Prishtinën.

    Ndër projektet e para që është menduar nga kjo parti për qytetarët e Prishtinës është funksionalizimi i transportit rrugor.

    Në kuadër të kësaj parashihet ndërtimi i Unazës së Jashtme të Kryeqytetit, e cila sipas kandidates për deputete Eliza Hoxha ka një kosto prej 400 milionë euro.

    “Funksionalizimi i transportit rrugor brenda qytetit të Prishtinës dhe këtu përfshihet Unaza e Jashtme e Prishtinës, me zotim deri në 400 milionë euro.” – tha Hoxha në “Debat Përnime”, më 22.01.2025.

    Mirëpo, PDK ende nuk e ka ‘formulën’ e gatshme, sesi do t’i gjejnë mjetet.

    Kjo, sipas Hoxhës, mbetet të shihet pasi të “vijnë në pushtet” – nëse do të jetë zgjidhje përmes ndonjë kredie apo bashkërendim të fondeve.

    Investime parashihen të bëhen edhe në infrastrukturën hekurudhore, me fokus të veçantë do të jetë linja që përfshin Prishtinën – duke e lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, si dhe funksionalizmi i një linje të tramvajit në këtë drejtim.

    “Zona e Regjionit 01, lidhja e Kryeqytetit me Stacionin kryesor të trenit dhe Aeroportin e Prishtinës cili është në Lipjan. Dhe, në këtë drejtim normalisht parashihet edhe linja e tramvajit.” – tha Hoxha.

    Në Programin zgjedhor të PDK-së parashihet që linjat e tramvajit të përfshijnë, jo vetëm zonat e urbane dhe periferike të Prishtinës por, edhe linjat për Fushë-Kosovë, Lipjan dhe Graçanicë.

    Investime u premtuan edhe në Stadiumin Olimpik Kombëtar, në restaurimin e ish-objektit ‘Boro dhe Ramizi’ dhe investime në qendrat kulturore.

    Hoxha përmendi edhe ndërtimin e Memorialit të Gjenocidit, që sipas saj, ende nuk ka një lokacion të caktuar se ku do ndërtohet, por në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës do të vendoset.

    Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

    “Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.

    E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/planet-e-pdk-se-digjitalizim-e-rritje-pagash-ne-shendetesi-dhe-memorial-te-gjenocidit-ne-prishtine/