Kategori: Lajme

  • Pakënaqësitë për unifikimin e Trafikut Urban, Rama thotë se ka inicuar bashkëpunim me Komunën e Podujevës 

    Pakënaqësitë për unifikimin e transportit të autobusëve të Trafikut Urban, sidomos të linjave të transportit nga Komuna e Podujevës janë diskutuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, më 31.01.2025.

    Kuvendi i Komunës së Prishtinës po mban mbledhjen e parë të rregullt për këtë vit, ndërsa aktualisht ndodhet në pauzë. 

    Asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Feim Osmani ngriti për diskutim çështjen e unifikimit të Trafikut Urban nga Komuna e Prishtinës.

    Sipas Osmanit, linjat e fundit të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës, me Operatorë privatë, me të cilët thotë se Komuna ka synuar të arrijë shërbimet e transportit publik për banorët e fshatrave që shtrihen përgjatë magjistrales Prishtinë – Besianë, si fshatrat: Trudë, Lebanë, Prugovc, Barilevë, Besi, Rimanishtë, Vranidoll, Teneshdoll, Sharban… janë linja që kanë paraqitur më shumë probleme, sesa që kanë krijuar lehtësira për banorët e këtyre zonave.  

    Osmani iu drejtua kryetarit Rama duke thënë se këto linja janë lëshuar në qarkullim pa ndonjë planifikim paraprak, pa plan të mobilitetit dhe pa marrëveshje me insitucionin, që sipas tij është përgjegjës për rrugët magjistrale. 

    “Duke tentuar të zgjidhet shkel e shko kjo çështje kaq e rëndësishme, Komuna ka nënshkruar Kontrata që kanë implikime të mëdha buxhetore, pa e vrarë fare mendjen se nuk ka pasur të drejtë ta bëjë një gjë të tillë.” – deklaroi Osmani.

    Sipas tij me këtë Vendim të Komunës së Prishtinës nuk janë marrë parasysh edhe konfliktet e dhunshme, që do të mund të ndodhin mes Operatorëve në aksin rrugor Prishtinë – Podujevë. 

    “Autobusët e kontraktuar për trafik urban i keni detyruar të shkojnë nga Prishtina në Teneshdoll dhe nga Prishtina në Sharban me tre ose katër udhëtarë dhe ua keni ndaluar ndaljet nëpër Stacione – duke i  detyruar të futen nëpër vendbanime.” – shtoi Osmani. 

    Ndërkaq, kryetari Përparim Rama në kundërpërgjigje ka thënë se e vetmja gjë që ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës është se është bashkuar kostoja e trafikut urban dhe të gjithë Operatorëve privatë në një biletë, në mënyrë që siç tha ai të gjithë qytetarët të mos paguajnë dy herë, por ta kryejnë vetëm një pagesë. 

    Ai tha se ka pasur diskutime me këta Operatorë dhe Komunën e Podujevës, duke thënë se ka inicuar për të bërë një bashkëpunim me ta dhe me zëvendësministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishin, për të zgjidhur këtë problem, por thotë se fokusi i tij është te qytetarët e Kryeqytetit. 

    Tutje, Rama thotë se janë në pritje të Ministrisë së Infrastrukturës që t’ua caktojë pikat në linjat ndërurbane. 

    Rama pati edhe akuza për Operatorët e Komunës së Podujevës. 

    “Pasi që ne e kemi kriju biletën e përbashkët mes Transportit publik dhe Operatorëve privatë, kemi insistu që t’i përmbahen një orari, i cili është në të mirën e çdo qytetari: edhe në Prishtinë, edhe nëpër fshatra. Edhe kjo ka kriju një pakënaqësi prej Operatorëve të Podujevës. Aty e kemi pasë ne problemin, sepse deri në kohën kur nuk i kemi bashku këto të dyja, Operatorët privatë kanë operu vetëm kur iu ka konvenu.” – deklaroi Rama, të premten, më 31.01.2025. 

    Në anën tjetër, Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje akuzoi Ramën për mashtrim, gjersa tha se këto linja nuk qarkullojnë. 

    “Këto linja nuk qarkullojnë. Ti po thua se ato janë duke u mbajtë, mirëpo ato shkojnë nga Prishtina drejt në Teneshdoll dhe nga Prishtina në Sharban, pa u ndalë dhe pa i marrë banorët nëpër Stacionet përkatëse.” – tha Osmani.

    Kryetari i Prishtinës tha se janë në pritje të një përgjigjeje të zëvendësministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për të treguar se ku mund të ndalen autobusët: edhe në zonat ndërurbane, edhe të trafikut urban – duke thënë se është çështje javësh, derisa ky problem me Operatorët e Komunës së Podujevës të zgjidhet përgjithmonë. 

    “Po më vjen keq për fjalorin që po e përdor. S’ka kurrfarë mashtrimi këtu. Ka përmirësim në secilën pjesë të Kryeqytetit, nëse dalin probleme gjatë përmirësimit, siç i kemi tash me linjat ndërurbane. Ne kemi marr iniciativë të menjëhershme për përmirësimin e kushteve, pikërisht për qytetarët e këtyre zonave, të Kryeqytetit e të gjitha. Derisa ata i kanë pagu dy bileta, tash i paguajnë vetëm dy.” – shtoi Rama në seancën e rregullt të Kuvendit të Prishtinës.  

    Nga 02.01.2025 qytetarët e Prishtinës kanë sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat – përfshirë Operatorët privatë, që po ashtu operon sipas këtyre kushteve.

    Çmimet e biletave – sipas këtij Vendimi – që aplikohen edhe në linja që lidhin fshatrat me qytetin janë si në vijim: 0.50 cent për një udhëtim të vetëm; 0.80 cent për biletën ditore (e vlefshme për të gjitha linjat); 4 euro për biletën javore; 12 euro për biletën mujore për studentë; 13,50 euro për biletën mujore për qytetarë. Një biletë e tillë mund të përdoret brenda 12 orëve në secilën linjë të trafikut urban.

    Ndërkaq, më 16.01.2025, pjesëtarë të Shoqatës së autobusëve “Llapi”, të linjës Podujevë – Prishtinë patën protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj Vendimit të Komunës së Prishtinës për sistem të unifikuar të trafikut urban – përfshirë Operatorët privat që lidhin fshatra të Komunës.

    Sipas tyre ky Vendim i Komunës i dëmton ekonomikisht. Si shenjë proteste, pronarët e autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë nuk i kanë lejuar të qarkullojnë autobusët që janë të Komunës së Prishtinës.

  • Vrasja e Liridona Ademajt – Krejt çka ndodhi në seancën ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë

    Të akuzuarit për rastin e vrasjes së  Liridona Ademajt në seancën e parë gjyqësore janë deklaruar rreth akuzave që prokuroria jua vë në barrë. Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe sipas Prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

    Naim Murseli nuk e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën për vrasjen e Liridona Ademajt. Kurse Kushtrim Kokalla nuk ka pranuar të deklarohet pa u këshilluar me avokatin e tij, Ndrecë Dodaj.

    “Jam plotësisht i pafajshëm”- është deklaruar Murseli në seancën e 31.01.2025.

    Granit Plava i cili sipas prokurorisë konsiderohet që është personi që ka shtënë me armë për ta vrarë Ademajn, ka deklaruar se dëshiron të mbrohet në heshtje.

    Kurse i akuzuari i katërt në këtë rast, Tom Dodaj ka pranuar fajësinë duke thënë se në mënyrë vullnetare e pranon fajësinë për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

    “Në mënyrë vullnetare i fajshëm” – tha Dodaj.

    https://kallxo.com/lajm/vrasja-e-liridona-ademajt-momenti-kur-naim-murseli-nuk-e-pranon-fajesine-video/

    Pas kësaj, gjyqtarja, Fatime Dërmaku ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i pandehuri Dodaj.

    Dodaj është dënuar më 31.01.2025 nga Gjykata me 5 vite dënim me burgim dhe 5 mijë euro dënim me gjobë.

    Kurse të akuzuarit e tjerë, janë njoftuar se kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre dhe kundërshtimet lidhur me aktakuzë në afat prej 30 ditësh.

    Me të filluar seanca, avokati Ndrecë Dodaj para leximit të aktakuzës deklaroi se CD-të që i ka pranuar nga Prokuroria nuk po hapen dhe në to ka shkresa që nuk janë të lexueshme pasi nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe nga gjuha suedeze dhe nga ajo angleze.

    Për ta konfirmuar një gjë të tillë, gjyqtarja, Fatime Dërmaku angazhoi IT-në e gjykatës që të konfirmojnë nëse po hapen CD-të dhe për të vërtetuar nëse ka vështirësi në hapjen e tyre.

    Nga gjithësejt katër CD që i ka ofruar mbrojtjes Prokuroria, IT i Gjykatë arriti që t`i hap të gjitha në prezencë të mediave.

    Por edhe pas kësaj, avokati Ndrecë Dodaj insistoi që të deklarohet duke thënë se nuk mund të dal përtej njohurive të tij për njohje të kompjuterit për t`i hapur të njëjtat.

    Dodaj deklaroi se kishte bërë përpjekje të vazhdueshme që t`i hapte edhe në PC-të e kolegëve të tij CD-të e prokurorisë, për ta vërtetuar që nuk ka problem kompjuteri i tij personal.

    Tutje, Gjykata i shqiptoi vërejtje me shkrim avokatit Ndrecë Dodaj që mbron të akuzuarin Kushtrim Kokalla. Kurse avokatit Shemsedin Piraj që mbron të akuzuarin Naim Murseli, si avokat i dytë i shqiptoi dënim me gjobë në shumën prej 500 euro.

    Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

    “E kishte mbajtur për krahu, në mënyrë që të mos iu shmangte plumbit.” – kështu e përshkruan ngjarjen Prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, derisa tregon veprimet e Naim Murselit, ish-bashkëshortit të viktimës, në natën kritike kur u krye krimi në një fshat të Prishtinës.

    Prokurorja e rastit, Javorka Prlinçeviq ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – si përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.

    Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.

    Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.

    Gjithmonë sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit “Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.

    E në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.

    Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës. Më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale: “vrasje e rëndë”.

    I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë eurosh.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa viktimës krahun po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.

    Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e të akuzuarit tashmë Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.

    Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.

    I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.

    Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”. E, i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, që planifikuan dhe kryen vrasjen.

    Më 28.11.2023, në ora 19:41 – sipas të dhënave në Dosje të Prokurorisë – thuhet se Naim Murseli i ka dërguar mesazh Granit Plavës duke i thënë “Shok, sigurt kryhet nesër, a të ka thënë Kuqa që paradite?”.

    Pas këtij mesazhi – sipas Prokurorisë – kanë vazhduar biseda me audio, një bisedë e tillë e regjistruar në telefonat e të akuzuarve ka ndodhur edhe më 29.11.2023, në ora 19:01, ku kishte pasur bisedë telefonike për 00:00:28 sekonda.

    Raportimet e tjera: LINK

     

     

  • FSK përfundon me sukses ushtrimin fushor “Shqiponja 1” – Pamje

    Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, konkretisht të Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore, kanë përfunduar me sukses ushtrimin fushor “Shqiponja 1”.

    Ky ushtrim u realizua në kuadër të ngritjes së kapaciteteve operacionale – njofton Ushtria e Kosovës.

    “Në kuadër të ngritjes dhe forcimit të kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kompania B e Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore ka realizuar me sukses ushtrimin fushor ‘Shqiponja 1’.” – thuhet në njoftim të FSK-së.

    Ky ushtrim sipas Forcës së Sigurisë ka pasur për qëllim vlerësimin dhe testimin e aftësive, me synimin që të sigurohet gatishmëria e lartë për përmbushjen e detyrave të planifikuara dhe arritjen e objektivave për vitin 2025.

    “Përmes skenarëve të ndryshëm taktikë, pjesëtarët e FSK-së kanë demonstruar aftësi të avancuara në menaxhimin e situatave sfiduese – duke dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim në realizimin e misionit të tyre.” – u tha mes të tjerash në njoftim.

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) u formua më 21.01.2009, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.

    Ndërkaq, më 14.12.2018, Kuvendii  Kosovës me votimin e tri Ligjeve ia zgjeroi mandatin dhe kompetencat për t’u shndërruar në Ushtri – në një proces që pritet të zgjasë deri në 10 vjet.