Kategori: Lajme

  • Ministria në Maqedoninë e Veriut, që iu referua Kosovës si “Kosovë e Metohi”, largon njoftimin

    Zëvendëskryeministri me prejardhje serbe, njëherazi edhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviq e ka tërhequr kumtesën ku Republikës së Kosovës i drejtohej me qasjen serbe, si “Kosova dhe Metohija”, e cila është në kundërshtim me Shkupin zyrtar, që e njeh pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008 – shkruan media në Maqedoninë e Veriut, Portalb.mk.

    Zëvendëskryeministri Stoilkoviq ishte zotuar fillimisht se do të përmirësojë komunikimin zyrtar në raport me Kosovën, edhe pse personalisht për të mbetet termi “Kosova dhe Metohija”.

    Megjithatë, siç vërehet nga dita e mërkurë, më 29.01.2025, nga gjurmët në uebfaqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive shihet se kumtesa nuk është edituar, por është larguar e tëra, konkretisht nuk ka qasje në linkun ku figuronte ky njoftim.

    Nga Zyra e Zëvendëskryeministrit për Redaksinë e Portalb.mk nuk kanë sqaruar asgjë për këtë veprim, pavarësisht se janë kontaktuar disa herë.

    Kujtojmë se në një komunikatë lidhur me ngjarjen e kampit sportiv “Serbia po ju thërret” në Beograd ku morën pjesë rreth 50 fëmijë nga RMV-ja, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Republika e Kosovës prezantohej me emrin me të cilin i qaset shteti i Serbisë: “Kosova dhe Metohija”.

    Ky veprim i Stoilkoviqit hapi debat dhe pati reagime të shumta në opinion, nga analistët, partitë politike shqiptare në RMV. Nga Republika e Kosovës reagoi vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kurse, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e përcollën vetëm verbalisht indinjatën përmes Ambasadës në Shkup dhe duke u dërguar Notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut. Ambasada e Kosovës në Shkup dhe Qeveria e Kosovës nuk reaguan për këtë veprim, pavarësisht se Portalb.mk tentoi të marrë qëndrimin e tyre.

    Për këtë rast ka raportuar edhe KALLXO.com.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), për KALLXO.com, pati thënë se sa i përket këtij rasti kanë dërguar Notë te Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup.

    “MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në lidhje me këtë rast ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku është përcjellë verbalisht indinjata jonë, lidhur me një referencë të papranueshme për Republikën e Kosovës në një faqe zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Ambasada ka dorëzuar Notë, në të cilën përcillet qëndrimi i shtetit të Kosovës lidhur me këtë çështje.” – thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

    https://kallxo.com/lajm/fact-check-lajm/ministria-ne-maqedonine-e-veriut-i-referohet-kosoves-si-kosove-e-metohi-mpjd-shpreh-indinjate/

  • FSK-së i jepen në shfrytëzim 100 hektarë të Agjencisë së Pyjeve

    Qeveria e Kosovës ka vendosur që 100 hektarë pronë të Agjencisë së Pyjeve t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Vendimi u mor në mbledhjen e mbajtur më 31.01.2025.

    Prona është në lokacionin e Batllavës, Komuna e Podujevës, te vendi i quajtur Lumi i Surdullit dhe e evidentuar si pronë shoqërore.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo pronë do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve operacionale të Ushtrisë.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në anën tjetër ka thënë se prona kërkohet me qëllim të arritjes së objektivave për investime afatgjata për interesa të veçanta në infrastrukturë.

    “Sipërfaqja e pronës që FSK merr në shfrytëzim është 100 mijë m2 apo 100 hektarë. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka kjo pronë për zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale të Ushtrisë, kërkoj aprovimin nga ju për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone për Ministrinë e Mbrojtjes.” – ka thënë Maqedonci në mbledhjen e Qeverisë.

    Ky Vendim u miratua me vota unanime në Qeveri.

    Në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar “Qeveria Kurti 2” i ka ndarë 202.8 milionë euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të Ligjit për Buxhetin. Këto mjete u planifikuan për t’u shpenzuar për vitin 2025, me qëllim që Ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet të plotë.

  • Hyrja në fuqi e Listës së Çmimeve të Barnave – Vitia thotë se janë të vendosur që ta zbatojnë këtë Ligj

    Nga nesër, më 01.02.2025, në Kosovë do të hyjë në fuqi dhe do të nisë së zbatuari Lista e Çmimeve të Barnave në vend.

    Ministria e Shëndetësisë, më 23.12.2024, kishte publikuar Listën e Çmimeve të Barnave me detyrim të zbatimit në tregun e Kosovës, nga data 01.02.2025.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se pret një “tronditje të lehtë” të tregut, por që tha se janë të vendosur në zbatimin e Ligjit.

    “E kuptoj që është sfidë dhe se në fillim do të ketë tronditje të lehtë të tregut, por ne jemi të vendosur që të zbatojmë këtë Ligj… muajt e parë pres tronditje të lehtë deri në stabilizimin e plotë.” – tha ai në Konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, më 31.01.2025.

    Vitia përmendi se është një pjesë e kompanive, distributorëve dhe bartësve të Autorizim Marketingut të cilët nuk kanë paraqitur çmimet e barnave të tyre, për të cilët Ministri tha se do të ketë sanksione.

    “Është interesant se ky shqetësim do të duhej të vinte nga Shoqata e Distributorëve më shumë sesa nga Oda e Farmacistëve. Po, është e vërtetë që një pjesë e kompanive, distributorëve, bartësve të Autorizimit të Marketingut nuk kanë aplikuar në Dritaren për aplikim për Çmimet e Barnave dhe natyrisht se do të merren masa adekuate sipas Ligjit në fuqi. Do të bëhen sanksione ndaj tyre, që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë dhe hapjen e kësaj Dritareje. Por, në anën tjetër do të hapen Dritare të reja për të gjitha kompanitë, që të aplikojnë për Çmimet e Barnave të tyre.” – tha ai.

    Vitia u ka bërë thirrje për bashkëpunim të gjithë akterëve në këtë proces, ndërsa ka njoftuar se sot do të takohet me Inspektoratin Farmaceutik.

    Kompanitë e distributorëve farmaceutikë ishin ankuar ndaj procesit të unifikimit të çmimit të barnave.

    Ata kishin thënë se me uljen – siç e quajnë ata – të tepërt të disa çmimeve, do ta kenë të vështirë të mbijetojnë në treg.

    Ismail Shurdhaj, kryetari i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës, kishte renditur disa pasoja që ata parashohin nga mënyra se si po bëhet ky proces.

    Ndër to ishte rrezikimi i ekzistencës së veprimtarisë së tyre, duke rrezikuar kështu edhe furnizimin me barna për pacientët kosovarë dhe varfërim të tregut me produkte cilësore farmaceutike.

    Shurdhaj shtoi se shumica e distributorëve kanë nëpër depotë e tyre sasi barnash të cilat i kanë blerë me çmime më të larta, sesa ato që janë përcaktuar në listën e dytë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Sipas tij, ky proces mund të sjellë edhe pasoja të tjera, siç janë: humbja e Kontratave me partnerët ndërkombëtarë të biznesit dhe humbja e stafit të Kompanisë.

    Ata e kishin cilësuar si të padrejtë edhe ndryshimin e Formularit për deklarim të çmimit, i cili më parë përfshinte: çmimin e importit CIP – përfshirë vlerën e marzhës së qarkullimit me shumicë dhe shpenzimeve të tjera vartëse, jo më shumë se 7.5%.

    Pas anulimit të Listës së parë të Çmimeve të Barnave, Arben Vitia, ministri i Shëndetësisë, kishte vendosur që më 01.07.2024 ta korrigjojë Formularin, duke e lënë vetëm çmimin e importit CIP, i cili përfshin çmimin që këto Kompani paguajnë për t’i blerë produktet dhe për t’i transportuar deri në hyrjen e tyre në Kosovë, por jo më tutje.

     

    https://kallxo.com/lajm/kompanite-e-distributoreve-farmaceutike-padisin-ministrine-e-shendetesise/

    https://kallxo.com/lajm/shoqata-e-distributoreve-te-barnave-reagon-lidhur-me-unifikimin-e-cmimeve-vendimi-i-msh-se-rrezikon-tregun-e-barnave/