Kategori: Lajme

  • Vrasja e Liridona Ademajt – 5 vjet burgim ndaj Tomë Dodajt për “shitjen e paautorizuar të armës”

    Gjykata e Prishtinës, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar Tomë Dodajn me 5 vjet “dënim me burgim” dhe me 5,000 euro “dënim me gjobë”.

    I njëjti nga Prokuroria akuzohet për veprën penale: “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

    Avokati i Tomë Dodajt, Agron Kuçi pas përfundimti të seancës në të cilën Gjykata i shqiptoi 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë ndaj klientit të tij, e ka cilësuar të lartë dënimin.

    Sot, më 31.01.2025, ka filluar procesi gjyqësor ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë, lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt.

    Pas leximit të Aktakuzës nga prokurorja Javorka Prlinçeviq, të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë së tyre. Tomë Dodaj në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga Prokuroria.

    “Në mënyrë vullnetare i fajshëm.” – u deklarua i akuzuari Tomë Dodaj.

    Gjykata ia aprovoi pranimin e fajësisë, pasi asnjëra nga palët në procedurë nuk kishte vërejtje – lidhur me këtë pranim të fajësisë për të pandehurin.

    Ndërsa, i akuzuari Naim Murseli tha se ndihet i pafajshëm.

    “Plotësisht i pafajshëm” – deklaroi Naim Murseli.

    I akuzuari Granit Plava e ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje.

    I akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla tha se nuk do që të deklarohet pa u konsultuar me avokatin e tij.

    Momenti kur i akuzuari Naim Murseli deklarohet rreth fajësisë në seancën fillestare, më 31.01.2025

    Më 31.01.2025 është caktuar data e nisjes së gjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndaj të akuzuarve: Naim Murseli, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tomë Dodaj.

    Kjo konsiderohet seanca e parë për këtë gjykim, në të cilin parashihet që të bëhet leximi i Aktakuzës dhe deklarimi se a ndjehen apo jo fajtor të akuzuarit, për veprat që rëndojnë mbi ta.

    Më 27.01.2025 ishte paraparë të mbahet seanca e parë, por që kishte dështuar pasi dy prej avokatëve ishin deklaruar se nuk i kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës.

    Katër persona po akuzohen tashmë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje kjo e regjistruar, më 29.11.2023.

    Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

    “E kishte mbajtur për krahu, në mënyrë që të mos iu shmangte plumbit.” – kështu e përshkruan ngjarjen Prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, derisa tregon veprimet e Naim Murselit, ish-bashkëshortit të viktimës, në natën kritike kur u krye krimi në një fshat të Prishtinës.

    Prokurorja e rastit, Javorka Prlinçeviq ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – si përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.

    Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.

    Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.

    Gjithmonë sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit “Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.

    E në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.

    Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës. Më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale: “vrasje e rëndë”.

    I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë eurosh.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.

    Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e të akuzuarit tashmë Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.

    Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.

    I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.

    Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”. E i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, që planifikuan dhe kryen vrasjen.

    Më 28.11.2023, në ora 19:41, sipas të dhënave në Dosje të Prokurorisë thuhet se Naim Murseli i ka dërguar mesazh Granit Plavës, duke i thënë “Shok, sigurt kryhet nesër, a të ka thënë Kuqa që paradite?”.

    Pas këtij mesazhi – sipas Prokurorisë – kanë vazhduar biseda me audio, një bisedë e tillë e regjistruar në telefonat e të akuzuarve ka ndodhur edhe më 29.11.2023, në ora 19:01, ku kishte pasur bisedë telefonike për 00:00:28 sekonda.

    Raportimet e tjera: LINK.

     

  • Policia po heton vdekjen e gruas e cila ra nga një ndërtesë në Prishtinë

    Një grua ka vdekur të enjten, më 30.01.2025, pasi dyshohet se ka rënë nga një objekt banesor në Prishtinë.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur në rrugën “Jakov Xoxa”, në Prishtinë.

    “Lidhur me rastin Njësitë relevante policore dhe ekipi  mjekësor kanë dalë në vendin  e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës femër kosovare, me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.” – thuhet në njoftim.

    Policia thotë se rasti është duke u hetuar.

    KALLXO.com raportoi për rastin të enjten, më 30.01.2025.

     

     

  • Qeveria ndan mbi 2.6 milionë euro për specializantët e Mjekësisë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Kërkesën për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim, në vlerë prej 2.3 milionë euro, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2025.

    Miratimi i Vendimit për ndarjen e këtyre mjeteve është bërë me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

    “Që të lehtësohet shkollimi i specializantëve, propozojmë pagesën e 2.3 milionëve për këta specializantë për periudhën janar-dhjetor 2025.” – deklaroi Vitia.

    Ai theksoi se është “punuar që të rritet numri i mjekëve” dhe se kjo masë do të ndikojë që të mbahen kuadrot shëndetësorë në Kosovë. Kjo sipas tij u mundëson edhe qytetarëve qasje më të lehtë dhe më cilësore në shërbimet shëndetësore.

    Tutje, Qeveria miratoi edhe Vendimin për pagesën e 30 specializantëve nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, në shumën prej 316 mijë euro.

    Kryeministri Kurti tha me këtë rast se Qeveria e Kosovës ka “përkushtim për bashkatdhetarët”.

    “Mjekë tanë janë edhe bashkatdhetarët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Për Luginën nuk mjafton vetëm rritje e buxhetit me nga 1 milion euro vit pas viti, por po përkujdesemi që kategori e profesione të ndryshme t’i përkrahim sipas mundësive e krahas edhe nevojës. Andaj, po e vazhdojmë mbështetjen edhe për 30 specializantë që vijnë nga vendet e rajonit, në vlerë prej 316 mijë euro – duke përfshirë pra specializantët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.” – ka deklaruar Kurti.

    Ndërsa, ministri Vitia tha se shkollimi specialistik për shqiptarët nga vendet e tjera lejohet me Vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.

    “MSH ka pasur shumë takime me këta specializantë, për sfidat e tyre gjatë procesit të specializimit. Propozoj pagesën e 30 specializantëve me vetëfinancim, në shumë prej 316 mijë euro, nga data 01.01.2025 deri më 31.12.2025.” – deklaroi Vitia.

    Këto Vendime u morën gjatë mbledhjes së Qeverisë së mbajtur të premten, më 31.01.2025.