Kategori: Lajme

  • Kreu gjueti të kundërligjshme, arrestohet një burrë në Podujevë

    Një burrë është arrestuar në fshatin Orllan të Podujevës, nën dyshimin se kreu gjueti të kundërligjshme.

    Sipas Policisë, lidhur me rastin është njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ndërsa, nga i dyshuari është sekuestruar një pushkë gjuetie, një fishek dhe një gëzhojë.

    I dyshuari pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është liruar.

    Rasti, që ka ndodhur më 30.01.2025, është iniciuar si: “gjueti e kundërligjshme/armëmbajtje pa leje”.

  • Dyshohet se i panjohuri hyri me veturë në varreza dhe preu trupa drunjsh – Policia po heton rastin në Ferizaj

    Policia e Kosovës në Ferizaj ka njoftuar se kanë pranuar një raportim, se një person i panjohur me veturë ka hyrë në varreza dhe ka prerë pesë trupa drunjsh.

    Rasti ka ndodhur në fshatin Rakaj, më 30.01.2025, rreth orës 22:00 dhe është cilësuar si “dëmtim prone” – thekson Policia.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti i nënshtrohet procedurave të mëtejme hetimore.

  • Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

    Studentët serbë të nisur nga Beogradi, që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga Kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen kolegëve të tyre nga ky qytet, për të bllokuar Urat më 1 shkurt.

    Kështu, ata do të shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në Stacionin e trenave në Novi Sad.

    Pritet që studentët, të cilët u nisën nga Beogradi më 30 janar, të arrijnë në Stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00.

    Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30, nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.

    Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.

    Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët e tyre në Novi Sad, të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë Urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në Stacionin e trenave të këtij qyteti.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha të martën se pjesëtarë të kësaj Ministrie do të ofrojnë siguri për marshin e studentëve – duke i përcjellë edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.

    Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë – duke nxjerrë në rrugë dhjetëra-mijëra njerëz.

    Në dy muajt e fundit protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra Universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.

    Qeveria dhe presidenti Aleksandër Vuçiq pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre – duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat./REL