Kategori: Lajme

  • Publikoi fotografi me armë zjarri – Policia interviston dy persona në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka intervistuar dy persona, një 26-vjeçar dhe një 26-vjeçar në Ferizaj.

    Një 26 vjeçar me inicialet E.O. është intervistuar, pasi i njëjti kishte publikuar në rrjete sociale fotografi me armë zjarri.

    Pos tij organet e rendit kanë arritur të intervistojnë edhe V.A., 36 vjeç, i cili ishte pronari i armës dhe posedonte leje për të.

    Me vendim të Prokurorit, të dy personat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa si provë materiale është sekuestruar një armë zjarri me 18 fishekë.

    Policia ka njoftuar se ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale: “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

  • Izraeli liron 110 të burgosur palestinezë pas shtyrjes së këmbimeve kaotike

    “Hamasi” ka liruar të enjten tri pengje izraelite dhe pesë tajlandeze në Gazë dhe Izraeli ka liruar 110 të burgosur palestinezë pas procesit të vonuar me turma të zemëruara njerëzish të cilët prisnin te pikat e këmbimit – raporton Agjencia amerikane e lajmeve Reuters.

    Arbel Yehoud, 29 vjeçe, e rrëmbyer nga kibuci Nir Oz gjatë sulmit të “Hamasit” në Izrael më 7 tetor 2023, kishte frikë dhe mezi ka ecur në drejtim të turmës derisa militantët e armatosur e kanë dorëzuar te Kryqi i Kuq, në një skenë të tensionuar në qytetin jugor Khan Younis.

    Një tjetër peng izraelit, Gadi Moses, 80 vjeç, është liruar gjithashtu bashkë me pesë shtetas tajlandezë, të cilët po punonin në fermat izraelite afër Gazës kur militantët çanë rrethojën kufitare.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se këmbimi kaotik ka tronditur qytetarët dhe ka kërcënuar këdo që guxon t’i lëndojë pengjet.

    Ai dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz kanë theksuar se kishin urdhëruar shtyrjen e lirimit të burgosurve “derisa të sigurohet lirimi i sigurt i pengjeve tona në fazat e ardhshme”. Zyra e Kryeministrit ka thënë më vonë se ndërmjetësit ishin angazhuar për të siguruar kalimin e sigurt të pengjeve në këmbimet e ardhshme.

    Më vonë të enjten autobusët mbërritën në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor me 110 të burgosurit palestinezë, të cilët do të liroheshin si pjesë e Marrëveshjes me faza që ndali më shumë se 15 muaj luftë në territorin bregdetar, më 19 janar.

    Të burgosurit u pritën nga turma të gëzuara në territorin palestinez të pushtuar nga Izraeli, me burra që brohoritnin “Ne sakrifikojmë shpirtin dhe gjakun tonë për ju”.

    Zakaria Zubaidi, një nga udhëheqësit e Brigadave të Martirëve të “Al-Aksës”, krahu i armatosur i rivalit të “Hamasit”, grupit “Fatah”, ishte i burgosuri palestinez më i njohur që u lirua. Ai u arratis nga burgu në vitin 2021 me tre të burgosur të tjerë, por më pas u kap përsëri.

    Zubaidi është njohur gjithmonë si njeriu i fortë i qytetit Jenin në Bregun Perëndimor, vatër e rezistencës palestineze ndaj okupimit izraelit dhe vend i sulmeve të shpeshta të ushtrisë izraelite – duke përfshirë një operacion të madh vetëm një javë më parë.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Gjenden kutitë e zeza të aeroplanit dhe të helikopterit të përplasur në Uashington

    Janë gjetur kutitë e zeza të fluturimit komercial që u përplas me një helikopter ushtarak në Uashington DC, në kohën kur janë shtuar pyetjet në lidhje me personelin dhe thirrjet e tjera në Aeroportin ku po ulej avioni – raporton televizioni BBC.

    Normalisht dy persona menaxhojnë kontrollin e trafikut ajror për helikopterët dhe aeroplanët që fluturojnë në zonë – një nga hapësirat ajrore më të kontrolluara në botë – por vetëm një person po e bënte këtë punë të mërkurën në momentin e rrëzimit – bëjnë të ditur burimet e cituara nga partneri amerikan i BBC-së, CBS News.

    Zyrtarët po hetojnë shkakun e incidentit që la të vdekur 67 personat në bordin e dy avionëve.

    Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) ka njoftuar se një Raport paraprak do të lëshohet brenda 30 ditëve.

    Regjistruesi i të dhënave të fluturimit dhe regjistruesi i zërit të Kabinës, i njohur si kutitë e zeza, mund të ndihmojnë me ofrimin e të dhënave për hetuesit për çfarë mund të ketë shkuar keq gjatë fluturimit.

    Sipas NTSB-së natën e së enjtes vonë të dy kutitë u transportuan në një nga laboratorët e saj për vlerësim.

    Në zhvillime të tjera të enjten, numri i personelit të kontrollit të trafikut ajror, i raportuar fillimisht nga “New York Times”, u spikat si “jo normal” – sipas një Raporti paraprak të Administratës Federale të Aviacionit (FAA).

    Qeveria federale ka luftuar për vite për të plotësuar disa pozicione kyçe në FAA.

    Lloji i personelit që kishte një punonjës të kontrollit të trafikut ajror që menaxhonte si helikopterët ashtu edhe avionët në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit “Regan” të mërkurën mbrëma raportohet se nuk ishte i pazakontë dhe se nuk kishte shkelur udhëzimet.

    Zhytësit kaluan pjesën më të madhe të së enjtes duke notuar nëpër ujërat e ftohta të lumit Potomac – duke kërkuar trupat e viktimave.

    Kërkimet u ndërprenë mbrëmjen e së enjtes për shkak të kushteve të rrezikshme.

    Në bordin e fluturimit të “American Airlines” që u përplas me një helikopter ushtrie “Black Hawk” që ishte në një fluturim misioni stërvitor, kishte 64 pasagjerë. Në bordin e helikopterit ndërkaq ishin tre ushtarë.

    Ekipet deri më tani kanë nxjerrë 27 trupa nga avioni dhe një nga helikopteri.

    Në Konferencë në Shtëpinë e Bardhë të enjten presidenti Donald Trump filloi me një minutë heshtjeje dhe një lutje për viktimat.

    Ai ka thënë se “ne mund të fillojmë vetëm të imagjinojmë agoninë që po ndjeni të gjithë” – duke shtuar se “zemrat tona janë copëtuar së bashku me tuajat”.

    Trump spekuloi mbi shkakun e përplasjes, duke sugjeruar pa prova se standardet më të ulëta të punësimit për kontrollorët e trafikut ajror në FAA nën Administratat e mëparshme të drejtuara nga demokratët, mund të kenë qenë një faktor.

    Më vonë të enjten, ai nënshkroi një Memorandum për t’i dhënë fund praktikave të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI) në Sektorin e Aviacionit.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com