Kategori: Lajme

  • Një nënë në Mitrovicë pretendon se djali i saj po keqtrajtohet në shkollë, rasti po trajtohet nga Policia

    Nëna e një nxënësi të mitur të një shkolle fillore në Mitrovicë pretendon se djali i saj po rrahet, shantazhohet, ofendohet, kërcënohet me armë të ftohta nga nxënësit tjerë të shkollës.

    Pretendimet e saj, ajo i ka publikuar në një profil në Facebook të premten, më 31.01.2025.

    Ajo ka treguar se është nënë vetushqyese dhe se këto shqetësime për djalin e saj i ka ngritur te drejtori i shkollës, kujdestarja e klasës dhe te prindërit e fëmijëve që pretendon se po shkaktojnë dhunë ndaj tij.

    Prindi së bashku me djalin e saj të mitur thotë se është paraqitur në Policinë e Mitrovicës, më 31.01.2025, për këtë rast.

    Ajo pretendon se kujdestarja e klasës ku mëson djali i saj është në dijeni për rastin dhe se ka marrë masë ndëshkuese ndaj të miturit duke e larguar nga klasa.

    Më tej, prindi thotë se djalin e saj e kanë kaluar në një klasë paralele tjetër, dhe sipas saj, një fëmijë “problematik” dhe të tjerë kanë shkuar në atë paralele dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti në një përgjigje për KALLXO.com e ka konfirmuar se në orët e pasditës më 31.01.2025 kanë pranuar një raportim nga nëna e një nxënësi në raport me shkollën ku ai vijon mësimin.

    “Bazuar në kompetencat dhe autorizimet policore në koordinim edhe me institucionet relevante për trajtimin e të miturve Policia ka filluar të trajtojë këtë rast”- ka thënë Zahiti, më 31.01.2025.

    Kurse, drejtori i shkollës ku vijon mësimin i mituri i ka përgënjeshtruar pretendimet e prindit të nxënësit duke thënë se nuk është e vërtetë se fëmija i saj po keqtrajtohet e rrahet nga nxënësit e tjerë.

    KALLXO.com e ka pyetur edhe drejtoreshën e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu për këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e lajmit

  • Nxënësit e fshatit Sazli u shkojnë për vizitë policëve në Ferizaj

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka pritur në vizitë disa nxënës të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Arsim Rexhepi” nga fshati Sazli i Ferizajt, më 31.01.2025.

    Nxënësit e Shkollës “Arsim Rexhepi” janë shoqëruar nga mësueset e tyre, kurse pjesëtarët e Policisë në Ferizaj i informuan ata për strukturën, detyrat dhe përgjegjësitë e institucionit të tyre të sigurisë.

    “Gjatë vizitës, nxënësit shprehën interes të veçantë për rolin e Policisë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke bërë pyetje dhe duke mësuar më shumë rreth funksionimit të saj” – ka njoftuar Policia, më 31.01.2025.

    Policia shton se në shenjë mirënjohjeje për këtë mundësi edukative, nxënësit u kanë dorëzuar një letër falënderimi dhe në përfundim të vizitës kanë intonuar himnin e Policisë para objektit të Drejtorisë Rajonale.

    Policia në Ferizaj vlerëson dhe inkurajon iniciativa të tilla, pasi konsideron se kontribuojnë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rëndësinë e sigurisë dhe respektimit të ligjit.

  • Bedri Hamza në Gjakovë: Nëse dikush e humb vendin e punës, do të marrë 80% të pagës për 6 muaj

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, më 31.01.2025 ka mbajtur tubim me qytetarë në Gjakovë.

    Hamza ka thënë se qytetarët kanë vendosur për një qeveri që investon në Gjakovë.

    Ai ka thënë se nëse dikush e humb vendin e punës, do të marrë 80% të pagës së fundit për 6 muaj.

    “Qëllimi jonë është që t’i mbrojmë të punësuarit, që të kenë paga të dinjitetshme, të jetojnë dinjitetshëm me familjet e tyre dhe t’ju garantojmë të drejtat përmes themelimit të Gjykatës së Punës dhe themelimit të Fondit për Papunësinë. Në rast se dikush e humb vendin e punës, atëherë do të marrë 80% të pagës së fundit për 6 muaj” – ka thënë Hamza.

    Ai tutje është zotuar për përfundimin e rrugës Dollc – Gjakovë dhe projekte tjera.

    “Në Rrafshin e Dukagjinit, në Gjakovë, do të ketë investime. Do të përfundohet shpejt kjo rrugë që s’po dihet kur do të mbarojë, Dollc-Gjakovë. Do të ndërtohen rrugë dhe do të lidhen qytetet me rrugë me katër korsi: Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren dhe shumë projekte të tjera transformuese për Gjakovën dhe gjithë Kosovën”- ka thënë Hamza.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.