Kategori: Lajme

  • Pengimi i gazetarëve në fushatë, LVV dënohet me 8 mijë euro

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 8 mijë euro gjobë për pengimin e gazetarëve gjatë fushatës zgjedhore në dy raste të ndryshme.

    Sipas vendimit, Lëvizja Vetëvendosje me 5 mijë e 500 euro gjobë është dënuar për pengimin e gazetarëve në tubimin e saj në Malishevë të mbajtur më 25.01.2025.

    Lidhur me ketë rast, ankesën në PZAP e kanë dërguar PDK-ja dhe AAK bashkë me partnerët e koaliconit.

    Sipas ankuesve, zyrtarë të LVV-së në këtë tubim i janë drejtuar gazetares me pyetjet: “Çka keni lyp me ardh k’tu? Ju jeni ma zi se të Serbisë”, dhe për të pamundësuar prezencën e tyre në fushatë kanë kërkuar leje speficike.

    Sipas vendimit, LVV-ja ka afat 15 ditë që ta paguajë gjobën.

    Lëvizja Vetëvendosje, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar ankesën pasi sipas saj, e njëjta vetëm tekstualisht mbështetet në fakte, duke theksuar se nga provat materiale evidentohet vetëm njoftimi për tubimin e mbajtur nga LVV.

    Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni në këtë LINK.

    Për pengim të gazetarëve gjatë tubimeve elektorale, LVV është dënuar me 2 mijë e 500 euro gjobë edhe për një rast tjetër.

    Lidhur me ketë rast, ankesën në PZAP e ka dërguar PDK-ja.

    Sipas ankuesit, organizatori i tubimit të LVV-së të mbajtur në Klinë i është drejtuar gazetarëve me fjalët: “Po fluturoni prej ktuhit”.

    Lëvizja Vetëvendosje, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar ankesën pasi sipas saj, e njëjta vetëm tekstualisht mbështetet në fakte, duke theksuar se nga provat materiale evidentohet vetëm njoftimi për tubimin e mbajtur nga LVV.

    Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni në këtë LINK.

    Për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

  • Prishtinë, vdes një grua që ra nga një ndërtesë

    Një person i gjinisë femërore ka vdekur të enjten, më 30.01.2025, pasi ka rënë nga një ndërtesë.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë.

    Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

    “Sot rreth 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë, një person ka rënë nga një ndërtesë. Viktimë në këtë rast është një person (femër), vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje” – ka thënë zëdhënësja Ahmeti për KALLXO.com.

    Ahmeti ka thënë se hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.

  • Hamasi konfirmon vrasjen e shefit të krahut të tij ushtarak

    Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka konfirmuar vrasjen e Mohammed Deif, kreut të krahut të tij ushtarak.

    Konfirmimi nga grupi radikal palestinez vjen gjashtë muaj pasi Izraeli kishte njoftuar se e kishte vrarë Deifin. Izraeli kishte thënë se Deif ishte vrarë gjatë sulmeve ajrore në jug të Gazës korrikun e vitit 2024.

    Deif për një kohë të gjatë kishte qenë udhëheqës i krahut ushtarak të Hamasit dhe Izraeli ka thënë se ai ishte një ndër arkitektët e sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, që nxiti luftën 15-mujore në Gazë.

    Për vite të tëra, Izraeli e kishte pasur atë në listën e personave më të kërkuar, ndërkaq që nga viti 2015 ishte në listën amerikane të “terroristëve ndërkombëtarë” .

    Deif i kishte mbijetuar një sërë atentatesh të Izraelit dhe ai nuk kishte dalë në publik për dekada të tëra.

    Deif kishte marrë nën udhëheqje krahun ushtarak të Hamasit më 2002.

    Izraeli gjatë luftës në Gazë ka vrarë edhe naëtarë të tjerë të lartë të grupit radikal palestinez, përfshirë edhe shefin e krahut politik, Ismail Haniyeh.

    Konfirmimi nga Hamasi për vrasjen e Deifit, vjen në kohën kur grupi po vazhdon lirimin e pengjeve, në bazë të marrëveshjes së armëpushimit të arritur më herët gjatë këtij muaji.

    Marrëveshja parasheh lirimin e mijëra palestinezëve të burgosur në Izrael dhe kthimin e palestinezëve në veri të Gazës.

    Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor 2023, Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 47.000 palestinezë dhe enklava palestineze ka pësuar shkatërrime të mëdha./REL