Kategori: Lajme

  • U zgjatet orari i punës, punëtorët e IKSHPK-së thonë se po i ekspozohen rrezikut në vendin e punës

    Punonjësit e Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tash e një kohë janë duke punuar me orar 8-orësh.

    Për shkak të rrezikshmërisë së punës në Laborator dhe ekspozimit ndaj mostrave të ndryshme, ky Departament, në bazë të një Vendimi të nënshkruar në vitin 2018, nga ish-drejtori Naser Ramadani punonte me orar shtatë-orësh.

    “Për punëtorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në Departamentin e Mikrobiologjisë, Ekologjisë Humane dhe Qendrës së Laboratorëve Testuese, orari i punës reduktohet në shtatë orë në ditë, përkatësisht orari i punës do të jetë: 08:00 deri 15:00.” – thuhet në Vendimin e datës  15.01.2018.

    Por, me hyrjen në fuqi të Rregullores për Orarin e punës, pushimet dhe vijueshmërinë e zyrtarëve publik të miratuar nga Qeveria e Kosovës, punëtorët e Departamentit të Mikrobiologjisë detyrohen të punojnë me orar tetëorësh.

    “Jemi të rrezikuar gjatë tërë kohës, jemi në kontakt me gjithfarë mostre.” – ka thënë një punonjës në kushte anonimiteti për KALLXO.com.

    Në Kërkesën e këtyre punëtorëve të siguruar nga KALLXO.com, ata kanë kërkuar kthimin e orarit shtatëorësh, të paktën deri në Vendimin e Komisionit për Vlerësimin e rrezikshmërisë në punë.

    Në këtë Kërkesë mes të tjerave theksohet rreziku që iu kanoset punëtorëve, të cilët sipas kësaj Kërkese “ka disa raste që kanë marrë sëmundje profesionale në vendin e punës”.

    “Kërkojmë nga ana e Drejtorit të Departamentit të Mikrobiologjisë që të na lejohet të punojmë me orar, siç kemi punuar shtatë orë deri në një Vendim të radhës, të bazuar në vlerësimin e Komisionit adekuat për rrezikshmëri në punë.” – thuhet në Kërkesën e bërë në shtator të 2024-tës.

    “…siç po shihet edhe me Vendimin e datës 16.01.2018 ka pasur reduktim të orëve të punës dhe me Vendimin Nr.304/01 i datës 17.04.2012, ku në këtë Vendim ceket se është bërë vlerësimi i rrezikshmërisë në punë nga Komisioni adekuat, është vendosur që orari i punës për Departamentin e Mikrobiologjisë të jetë 6 orë pune në ditë.” – thuhet në Kërkesë, duke përmendur Vendimet e mëparshme, kur ky Departament ka punuar me orar gjashtë dhe shtatëorësh.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka thënë se janë duke respektuar Rregulloren e miratuar nga Qeveria e Kosovës.

    Ndërsa sa i përket Kërkesës së punonjësve të bërë që nga shtatori i vitit 2024 kanë thënë se janë duke e shqyrtuar ende.

    “Pra, zbatimi i Rregullores së Qeverisë është obligativ edhe për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Kërkesën për të cilën jeni duke u thirrur, jemi duke e shqyrtuar dhe diskutuar me parashtruesit e kësaj çështjeje, për të gjetur një zgjidhje për të mirën e të gjithëve, pa shkelur Dispozitat ligjore. Lidhur me rrezikshmërinë, kjo do të bëhet nga institucioni përkatës, të cilët do të bëjnë vlerësimin e rrezikshmërisë në vendin e punës.” – thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së për KALLXO.com

    KALLXO.com ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik Unversitar të Kosovës (SHSKUK), në lidhje me procesin e vlerësimit të rrezikshmërisë në vendin e punës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

     

  • KMSHC e kthen në punë Nexhat Fazliun, i cili ishte pezulluar nga Inspektorati i Punës me arsyetimin se ishte nën hetime

    Nexhat Fazliu, i cili ishte pezulluar nga puna si koordinator rajonal në Mitrovicë i Inspektoratit Qendror të Punës, me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil (KPMSHC) është kthyer në vendin e tij të punës.

    Fazliu ishte pezulluar nga puna në Inspektoratin e Punës, pasi sipas të parit të këtij institucioni, Hekuran Nikçi, kishin pranuar një e-mail nga Prokuroria në të cilin thuhej se Fazliu është nën hetime nga Prokuroria.

    KALLXO.com më 18.11.2024 kishte kërkuar informacione nga Prokuroria e Mitrovicës për të konfirmuar nësë ndaj Nexhat Fazliut ka aktvendim për fillim të hetimeve.

    “Referuar pyetjeve tuaja, njoftoheni se për personin N.F, në një (1) rast ka aktvendim mbi fillimin e hetimeve për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme te falsifikimit te dokumenteve”. Ndërsa një (1) rast tjetër është në proces, për veprën penale “Marrja apo asgjësimi i vulave zyrtare ose i shkresave zyrtare”- ishte përgjigjur Prokuroria e Mitrovicës më 11.22.2024

    Këtë vendim e ka marrë KPMSHC më 29.01.2025, duke e anuluar vendimin e Inspektoratit Qendror të Punës që e kishte pezulluar nga puna Nexhat Fazliun.

    “Aprovohet si e bazuar ankesa e datës 21.11.2024, e parashtruar nga ankuesi Nexhat Fazliu. Shfuqizohet Vendimi për pezullim nga marrëdhënia e punës i datës 13.11.2024. Obligohet Udhëheqësi i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin e Punës të zbatojë Vendimin brenda 15 ditësh nga dita e pranimit të tij – duke e kthyer ankuesin në vendin e punës.” – thuhet në Vendimin e KPMSHC-së.

    KPMSHC ka konstatuar se pasi kishte pranuar ankesën nga Fazliu i ishte drejtuar institucionit të Inspektoratit të Punës – duke i kërkuar përgjigje në ankesë.

    Inspektorati i Punës e kishte dërguar përgjigjen më 17.12.2024, dhe KPMSHC kishte konstatuar se kanë munguar prova kyçe në vendimin për pezullimin e Fazliut.

    KPMSHC më 14.01.2025 i ishte drejtuar me e-mail Inspektoratit të Punës, për t’i kërkuar provat që mungojnë mbi bazën e të cilave ishte nxjerrë vendimi për pezullim.

    Pra, kolegji i KPMSHC-së pas pranimit të përgjigjes nga Inspektorati i Punës ka konstatuar, se bazuar në shkresat e lëndës që ishin dërguar nga organi që kishte marrë vendimin për pezullim kishin munguar provat kyçe për nxjerrjen e një vendimi të tillë.

    KALLXO.com i ka shkruar Nexhat Fazliut më 30.01.2025 për të marrë një koment lidhur me vendimin e fundit, që ai të kthehet në vendin e tij të punës dhe në pozitën që mbante para se Inspektorati Qendror i Punës të merrte vendimin për pezullim. Fazliu nuk ka komentuar vendimin e fundit për këtë rast.

    Për KALLXO.com, Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, më 15.11.2024 kishte thënë se lidhur me punën e Fazliut kishte pranuar me dhjetëra ankesa, por që Fazliu këto pretendime të Kryeinspektorit i kishte quajtur të fabrikuara. Madje, njëra prej procedurave disiplinore që ishte hapur ndaj tij, sipas të pezulluarit ka pasur të bëjë pikërisht me këtë çështje, por që ka përfunduar në favor të tij.

    Në anën tjetër, KALLXO.com kishte intervistuar edhe kryeinspektorin Hekuran Nikçi lidhur me pretendimet që i kishte i pezulluari nga puna.

    Fazliu ishte pezulluar nga puna me vendimin e datës 13.11.2024 dhe paga do t’i kompensohej me 50% të pagesës deri në përfundimin e periudhës së pezullimit.

    Nikçi për KALLXO.com më 15.11.2024 kishte treguar pse është pezulluar nga puna Nexhat Fazliu.

    “Inspektorati i Punës ka pranuar e-mail nga Prokuroria e Mitrovicës, e cila e potencon qartë që zyrtari në fjalë është duke u hetuar për vepra penale.” – kishte thënë Nikçi.

    Nexhat Fazliu kishte thënë se ka pasur presion nga kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

    Sipas Fazliut presioni nga Nikçi ka ardhur për shkak të bashkëpunimit të tij (Nexhat Fazliut) me Prokurorinë – lidhur me rastin e Millan Radoiçiqit për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë.

    “Për presione se kam bashkëpunuar me Prokurorinë – lidhur me rastin e Radoiçiqit – që është hetu për prejardhjen e pasurisë dhe konfiskimin e pasurisë.” – kishte thënë Fazliu, për KALLXO.com.

    Sipas tij aryseja për pezullim nga puna ishte për shkak të një e-mail-i, që ka ardhur nga Prokuroria gjoja se ai ishte i dyshuar se ka kryer vepra penale.

    Fazliu ka thënë se pezullimi ka ndodhur pas një e-mail-i që Prokuroria ia kishte dërguar Kryeinspektorit se Fazliu është nën hetime, ndonëse sipas tij e-mail-i nuk ka ndonjë sqarim se për çfarë vepre, por vetëm thuhet se kanë nisur hetimet ndaj tij.

    Fazliu kishte thënë se vendimi për pezullim nuk është nxjerrë nga udhëheqësi i menaxherit të personelit, por Kryeinspektori e kishte emëruar “një person paralel” me menaxherin e personelit, që të nxjerrë këtë vendim.

    https://kallxo.com/lajm/akuza-per-presion-pse-u-pezullua-nga-puna-zyrtari-i-inspektoratit-te-punes-video/

    Shënim: Artikulli është edituar në titull si dhe në tekst, me ç’rast është plotësuar me përgjigjen e Kryeinspektorit të Punës si dhe me përgjigjen e Prokurorisë së Mitrovicës. Gjithashtu, është shtuar edhe pjesa që tregon se KALLXO.com ka kërkuar një koment nga i apostrofuari lidhur me vendimin e fundit. Koha e editimit: 30.01.2025, në ora 22:37.

  • Suedia ndan 1.2 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

    Ministri suedez i Mbrojtjes ka thënë të enjten, më 30.01.2025, se vendi nordik është pajtuar që të ndajë një pako ndihme prej 1.23 miliardë dollarësh amerikanë për Ukrainën – raporton Agjencia amerikane e lajmeve Reuters.

    Kjo konsiderohet ndihma më e madhe nga shteti skandinav, prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

    Kjo pako ndihme është e tetëmbëdhjeta e Suedisë deri tani.

    Qeveria suedeze po negocion tani me furnizuesit në Suedi dhe në Europë për të siguruar pajisjet parësore, si artileria dhe dronët – ka njoftuar ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Johnson, në një Konferencë për media.

    Ndihma ka ardhur në kohën kur Ukraina ka mëdyshje për ndihmën e aleatëve perëndimorë. Presidenti i ri amerikan, Donald Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do ta ndalte luftën në Ukrainë menjëherë pas marrjes së timonit të Shtëpisë së Bardhë, më 20.01.2025.

    Megjithatë, këshilltarët e tij e kanë pranuar për mediat amerikane se mbase do të duhen muaj të tërë derisa të arrihet një Marrëveshje armëpushimi dhe për përfundimin e luftës.

    Presidenti Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje presidentit Trump gjatë javës që t’ia mbajë anën Kievit – duke theksuar se presidenti rus Vladimir Putin nuk i frikësohet Europës.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com