Kategori: Lajme

  • Gjykimi ndaj 4 të akuzuarve për sulmin në Zyret e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, dëgjohet një dëshmitar

    Në gjykimin ndaj të akuzuarve Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune” dhe ish-policëve Aleksandër Vlajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, në seancën e datës 30.01.2025, në Gjykatën e Prishtinës është dëgjuar dëshmitari Sllobodan Dimitrijeviq.

    Të pandehurit e lartcekur po akuzohen për sulmin me granata në Zyrat e KKZ-së në Mitrovicën Veriore, në dhjetor të vitit 2022.

    Dëshmitari Dimitrijeviq tha se në ditën kritike kishte qenë në shtëpi dhe për rastin kishte mësuar nga mediat.

    Dëshmitari deklaroi se ka punuar si udhëheqës i Zyrës së Komisonit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë të Veriut, ndërsa në ditën kritike nuk ka qenë në punë pasi që më 15 nëntor 2022 kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme.

    Në pyetjen e prokurorit Bekim Kodraliu, se pse ai kishte dhënë dorëheqje? Dëshmitari Dimitrijeviq u përgjigj duke thënë se “për arsye personale” ka dhënë dorëheqje.

    Lidhur me të pandehurin Aleksandër Vlajiq, dëshmitari tha se e njeh dhe se herë pas herë kur janë takuar janë përshëndetur dhe kanë pasur biseda të shkurtra.

    Tutje, dëshmitari Dimitrijeviq tha se një herë i pandehuri Vlajiq i kishte dërguar një foto në rrjetin Viber, e cila kishte të bëjë me një rast kur Zyret e KKZ-së ishin sulmuar me gurë nga persona të panjohur, po në foton e dëguar nuk kishte pasur ndonjë tekst dhe se ai i ishte përgjigjur duke i thënë se ky rast është i lajmëruar.

    “Në një periudhë të mëhershme KKZ është gjuajtur me gurë nga persona të panjohur. Ku unë në mëngjes kam arritur në punë dhe kur e kam vërejtur këtë gjë në të njëjtin moment e kam thirrë Policinë e Kosovës, e cila ka ardhur në vend të ngjarjes dhe e ka kry shikimin.” – tha Dimitrijeviq, lidhur me sulmin e mëhershëm në këto Zyre.

    Tutje, gjatë dhënies së dëshmisë së dëshmitarit Dimitrijeviq, prokurori Kodraliu tha se dëshmitari nuk është duke e thënë të vërtetën kur deklaroi se të akuzuarin Vlajiq e ka parë me veturë të tipit “Seat”, pasi që në seancën e kaluar e cila ka qenë e mbyllur për publikun, dëshmitari i cili ka dhënë dëshminë në këtë seancë ka deklaruar se të akuzuarin Vlajiq e ka parë me veturë të tipit “Fiat”.

    Lidhur me këtë deklarim të prokurorit Kodraliu, dëshmitari Dimitrijeviq tha se para se të japë dëshminë është betuar se do të deklarojë të vërtetën dhe se këtë e ka bërë dhe tha se nuk është duke e kuptuar reagimin e Prokurorit.

    Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Vlajiq, avokati Millosh Deleviq tha se do të paraqesin provë se i mbrojturi i tij ka vozitur veturë të tipit “Seat” dhe veturë të tipit “Fiat”.

    Pasi që në seancën e sotme nuk kishte dëshmitar të tjerë për t’u dëgjuar, seanca u ndërpre.

    Kjo çështje po gjykohet nga Valon Kurtaj (kryetar) dhe Violeta Namani-Hajra e Arben Hoti (anëtarë).

    Kujtojmë se të akuzuarit Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune” dhe ish-policët Aleksandër Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq ishin deklaruar të pafajshëm.

    Kallxo.com kishte siguruar Dosjen e Prokurorisë, në të cilën përshkruhen në detaje veprimet e katër të akuzuarve në ditën kritike, si dhe komunikimet e tyre elektronike.

    Prej sot zyrtarisht unë jam Zëvendëskomandant i Brigadës së Veriut… Nuk ka tani mbrojtje civile, tani ka Brigadë të Veriut.” – ishte një prej mesazheve të cilat në Dosje thuhet se i janë nxjerrë nga telefoni i të akuzuarit Millun Millenkoviq.

    “Aty shkunden dardhat… ti gjuaj ndonjë mollë.” – ishin mesazhet e këmbyera në mes të Dejan Pantiqit dhe Miomir Vakiqit – sipas Dosjes – duke aluduar për vendndodhjen e Policisë dhe hedhjen e mjeteve shpërthyese.

    Aktakuza thotë se katër të akuzuarit sulmin e kanë kryer me dy granata dore dhe dy shok-bomba. Shok-bombat kishin shpërthyer, ndërsa vetëm një granatë dore jo, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të KQZ-së dhe policëve.

    Granatat të cilat – sipas Dosjes – i ka marrë i akuzuari “Llune” nga një ambulancë me sinjale alarmuese.

    Ambulanca në fjalë thuhet në Dosje të jetë parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike – duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi. Kjo pamje është kapur nga kamerat e sigurisë së Prokurorisë së Mitrovicës.

    Sipas deklaratës së Millenkoviqit në Prokurori, në ambulancë kanë qenë shokët e tij të cilët ai i kishte përshëndetur, por nuk kishte marrë granata nga ta dhe në vendin e ngjarjes kritike ishte afruar nga kureshtja.

    Ndër provat e paraqitura në Aktakuzë figuron edhe një postim i të akuzuarit “Llune” – përmbajtjen e së cilit Prokuroria e ka cilësuar si inkriminuese.

    “Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë, çojeni në ajër dhe në rast se duhet edhe mua të më vritni. Vetëm mos i lejoni të më çojnë të gjallë.” – ishte përshkrimi i fotos së postuar nga Millenkoviqi dy javë para sulmit.

    Po ashtu, në Dosje thuhet se katër të akuzuarit këto veprime i kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët akoma janë të paidentifikuar.

    Fillimisht të akuzuarit kishin thyer dritaret e Zyrave me gurë – duke mundësuar kështu hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda në Zyre.

    Më tutje, Dosja thotë se ka qenë edhe një përpjekje për ndezjen e një zjarri përmes hedhjes së një mollotovi.

    E tërë kjo – sipas Dosjes – thuhet të ketë qenë me qëllim të frikësimit të popullatës dhe shkatërrimit të strukturave politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës, përmes pamundësimit të Zgjedhjeve lokale.

    Kujtojmë se i akuzuari Millun Millenkoviq është i dyshuar edhe për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, në trazirat e majit të vitit 2023 në veri të vendit, për çka edhe ishte arrestuar në qershor të atij viti.

    Dosja e Prokurorisë përshkruan se Millenkoviqi i kishte rezistuar arrestimit, gjë e cila ka rezultuar me lëndime trupore te policët, si dhe vetë i akuzuari.

    I njëjti gjatë deklaratës së dhënë në Prokurori ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj Zyreve të KQZ-së për të cilin po akuzohet.

    “Llune” për momentin ndodhet nën masën e paraburgimit deri në mars të këtij viti.

    Dejan Pantiq është i akuzuari tjetër, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022, ndërsa përmes 30 mijë eurosh dorëzani ndodhet në liri që nga shtatori i vitit 2023.

    Njëlloj si “Llune”, edhe Pantiq në Polici ka mohuar përfshirjen në sulmin terrorist që i vihet në barrë.

    Kur ishte ballafaquar me mesazhet që i janë gjetur në telefon, Pantiq kishte thënë se “Aty shkunden dardhat” ka implikuar se Policia mund të kenë pasur ftohtë. Ndërsa, shtoi se nuk e di se çfarë ka dashur të thotë i akuzuari Vakiq, me mesazhin “Hidhjani nga një mollë”.

    Miomir Vakiq gjatë deklaratës në Polici po ashtu kishte mohuar veprimet inkriminuese, të cilat rëndojnë mbi të.

    Në kontekstin e mesazheve telefonike, Vakiq kishte deklaruar se nuk ka pasur qëllime keqdashëse.

    Po ashtu, edhe i akuzuari Aleksandër Vllajiq kishte mohuar akuzat. Ai ka mohuar po ashtu edhe të jetë pjesë e Organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat janë shpallur Organizata terroriste nga Qeveria e Reublikës së Kosovës.

    https://kallxo.com/lajm/qeveria-e-kosoves-shpalle-si-organizata-terroriste-organizatat-mbrojtja-civile-dhe-brigada-e-veriut/

     

  • Lansohet Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025-2030

    Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025-2030, e cila ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2024.

    Kreu i kësaj Ministrie Arben Vitia tha se përmes kësaj Strategjie synohet zhvillimi i vazhdueshëm i Sektorit të Shëndetësisë – duke theksuar Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe efikasitetin e Spitaleve Rajonale.

    “Zbatimi i synimeve të kësaj Strategjie do të mundësojë kalimin e Sistemit në një zhvillim të vazhdueshëm. Rol kyç do të ketë mbështetja dhe zhvillimi i Kujdesit Parësor dhe investimi e rritja e efikasitetit të Spitaleve Rajonale. Si Ministër e kam për obligim që të siguroj që Shëndetësia të jetë prioritet në politikat tona. Sistemi shëndetësor që duam do të mundësohet në tërësi deri në 2030 – si parashihet në Strategji.” – tha Vitia gjatë prezantimit të kësaj Strategjie, më 30.01.2025.

    Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, duke shpjeguar metodologjinë e ndjekur në hartimin e kësaj Strategjie tha se ajo do të luajë rol thelbësor në zhvillimin e Sektorit të Shëndetësisë.

    “Do të luajë rol thelbësor në zhvillimin e Sektorit të Shëndetësisë. Për të siguruar zbatimin e Strategjisë janë bërë edhe analizat për fondet, për periudhën e zbatimit të Strategjisë. Parashikimet financiare janë përgatitur duke marrë parasysh rreziqet dhe masat që mund të merren.” – tha ai.

    Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025-2030 ka dy objektiva strategjike: përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në shërbime shëndetësore dhe ruajtjen e përparimin e shëndetit.

    Përmes kësaj Strategjie synohet që deri në vitin 2030 të rritet shfrytëzimi i shtretërve spitalorë, institucionet spitalore të kenë pajisje funksionale e të rritet qasja e qytetarëve në shërbimet shëndetësore.

    Ndër të tjera, në Strategji thuhet që deri në vitin 2030 të arrihet 100-përqindëshi i mbledhjes së kontributit për sigurim të detyrueshëm shëndetësor.

    Qytetarët kosovarë janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor të cilët nuk kanë sigurime publike shëndetësore. Pavarësisht votimit të Projektligjit të ri për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nga Qeveria më 28.08.2024, funksionalizimi ende nuk është bërë.

    7% do të jetë shuma e të ardhurave që do të shkojnë për Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Kjo vlerë do të ndahen mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, me nga 3.5% secili.

    Kështu kishte njoftuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia më 28.08.2024, pasi që Qeveria miratoi Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

    “Kostoja shtesë për qytetarët do të jetë një mbledhje e kontributeve shtesë, në emër të solidaritetit, që të shtohet buxheti për Shëndetësi. 7% do të jenë të ardhurat të cilat do të arkëtohen në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ku 3.5% do të jenë nga paga e qytetarëve dhe 3.5% nga punëdhënësi.” – deklaroi Vitia në një Konferencë për media.

    Në vitin 2007 ishte miratuar Ligji për Sigurimet Shëndetësore, por asnjëherë nuk hyri në fuqi, pasi Shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk e nënshkroi.

    Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Qeveritë e Kosovës tërhoqën Ligjin, për shkak të implikimeve buxhetore.

    Ligji i ri për Sigurime Shëndetësore u miratua në vitin 2014, mirëpo as ai nuk u zbatua asnjëherë, pavarësisht premtimeve të të gjitha Qeverive.

    Zbatimit të tij u tha se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh për mbledhjen e fondeve, e cila do të niste nga 1 korriku i vitit 2017.

    Funksionalizimi i Sigurimeve shëndetësore është premtim i dhënë e i paplotësuar, nga Qeveri të ndryshme për më shumë se një dekadë.

    Ministri Arben Vitia në fushatën zgjedhore të vitit 2019 kishte premtuar që Sigurimet shëndetësore do të funksionalizohen brenda katër vjetëve. Parakusht për funksionalizimin e tyre është zbatimi i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), për të cilin Vitia pati thënë se merr optimalisht 2 vjet kohë.

    Të njëjtat fjalë Ministri i tha edhe më 26.04.2024. Atë ditë ai tha po ashtu se Projektligji do të procedohet në Kuvend, në fund të prillit ose në fillim të majit.

    Mosplotësimin e këtij premtimi që ai e pati dhënë në fushatën zgjedhore të vitit 2019, Arben Vitia e ka arsyetuar me pandeminë COVID-19, për të cilin tha se ka ndryshuar prioritetet.

    Sigurimi shëndetësor është sistem për financimin e shpenzimeve mjekësore me anë të kontributeve ose taksave të paguara në një fond të përbashkët, për të paguar të gjitha ose një pjesë të shërbimeve shëndetësore të përcaktuara me Ligj a politika të tjera.

    Premtime që nuk i përmbushën për sigurimet shëndetësore patën dhënë edhe tre ish-ministra të tjerë të Shëndetësisë: Imet Rrahmani, Alush Gashi dhe Ferid Agani.

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani në vitin 2014 pati premtuar se në vitin 2015 do të fillojë mbledhja e premiumeve, të nevojshme për mbushjen e Fondit për Sigurimet shëndetësore. Ndërkaq, ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani pati thënë në korrik të vitit 2015 se po punojnë që sigurimet shëndetësore të bëhen në pjesën e dytë të 2016-tës.

    Edhe ish-kryeministri Isa Mustafa pati deklaruar se kanë përfunduar përgatitjet dhe nga 01.07.2017 do të fillojnë sigurimet shëndetësore.

  • Dronë, helikopterë e “mbrojtje të mençur”: Planet e partive për sektorin e Sigurisë dhe Mbrojtjes

    Dronë e antidronë, helikopterë e municione, ngritje kazermash e “mbrojtje të mençur”, trajnime, digjitalizim e Vetting. Kush më shumë e kush më pak, secila prej partive dhe secili Koalicion që garon në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, premton investime në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Gjatë fushatës zgjedhore që ka filluar më 11.01.2025, Lëvizja Vetëvendosje e cila po synon të fitojë Zgjedhjet dhe ta mbajë pushtetin edhe për një mandat katërvjecar ka premtuar për Policinë dhe institucionet e Sigurisë pajisje të specializuara dhe bashkëkohore, armatim adekuat, si dhe shkollim dhe trajnim të duhur.

    “Do të avancojmë Njësinë e Dronëve dhe Antidronëve për të forcuar mbikëqyrjen dhe gatishmërinë për t’u përballur me format e reja të rreziqeve të sigurisë – duke ndihmuar në hetime, mbrojtje dhe mbikëqyrje të kufirit, si dhe në rritjen e sigurisë publike në përgjithësi.” – thuhet në Programin e kësaj partie.

    Kufijtë sipas LVV-së do të jenë të sigurt dhe do të menaxhohen me teknologjitë më të avancuara. Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit thuhet se do të modernizohet për të garantuar siguri dhe për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve e për të parandaluar aktivitetet kriminale.

    Për t’i përmbushur objektivat në këtë sektor, LVV premton një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh në katër vjetët e ardhshme për Ushtrinë.

    Kjo parti zotohet edhe për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimin e industrisë ushtarake të Kosovës.

    Dronët ushtarakë ‘Made in Kosova’ janë premtim tjetër i LVV-së.

    1 mijë gra e vajza synohen që të rekrutohen si ushtarake.

    Një Njësi e Përbashkët me Forcat Ushtarake të Shqipërisë është synim tjetër i kësaj partie, e cila po ashtu synon fuqizimin e Ushtrisë me blerje të armatimit, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit në bashkëpunim me vendet partnere.

    Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do të zbatohet sipas tyre në tërë vendin, si dhe rezervistët do të kenë armatim dhe trajnim adekuat në rast të mobilizimit.

    Zotimet për digjitalizim të sektorit të Sigurisë

    Partia Demokratike e Kosovës e cila në këto Zgjedhje garon me Bedri Hamzën si kandidat për Kryeministër premton një kornizë gjithëpërfshirëse sigurie, që integron mbrojtjen kombëtare, sigurinë publike dhe parimet e sigurisë njerëzore.

    “Duke përqafuar teknologjitë më të fundit dhe strategjitë vizionare, ne do t’i adresojmë kërcënimet dhe sfidat e reja me masa inovative dhe adaptive që garantojnë sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve. Do ta digjitalizojmë mbarë sektorin e Sigurisë kombëtare dhe Mbrojtjes – duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale për t’i rritur kapacitetet për vlerësimin e kërcënimeve në kohë reale dhe planifikimin efikas.” – thuhet në mes të tjerash në Programin zgjedhor të kësaj partie.

    Për planet e PDK-së për investime në Siguri dhe Mbrojtje ka folur në “Debat Përnime” Besa Kabashi-Ramaj.

    “Ne e parashohim që për ngritje të nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të krijojmë pesë Regjimente, siç kemi planifikuar me partnerët tanë strategjikë SHBA-në dhe NATO-n.” – ka thënë ajo.

    Në lidhje me emergjencat civile, Kabashi-Ramaj ka thënë se PDK parasheh edhe ngritjen e Njësitit të Helikopterëve.

    PDK premton po ashtu investime dhe modernizime në infrastrukturën ushtarake, si dhe ngritjen e Gardës Kombëtare me strukturat e parapara dhe sigurimin e gatishmërisë së tyre.

    “Garda Kombëtare do të rritë gatishmërinë civile të Kosovës, duke bashkuar sektorët ushtarakë dhe civilë për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të jashtme dhe emergjencave të brendshme.” – thuhet tutje në këtë Program.

    Sigurim të plotë shëndetësor dhe jetësor për anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, AKI-së dhe zjarrfikësve është zotimi tjetër i dhënë nga PDK.

    “Do ta rrisim sigurinë publike, duke ristrukturuar Policinë bazuar në të dhënat e popullsisë dhe krimit, si dhe duke investuar në iniciativa për ngritjen e kapaciteteve. Nëpërmjet policimit në komunitet do të ndërtojmë besim dhe do ta nxisim ndërveprimin e rregullt midis Policisë dhe komuniteteve – duke inkurajuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit.” – premton PDK-ja.

    “Mbrojtja e mençur”

    Lidhja Demokratike e Kosovës në anën tjetër synon rritjen e partneritetit me NATO-n.

    Buxhetin për Ushtrinë e Kosovës LDK e planifikon përmes rritjes së tij në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    Kjo parti planifikon edhe ristrukturimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Përbërja e Forcës në planin tonë parashihet të jetë me 6000 pjesëtarë aktivë (sot janë 4000 sosh), 3000 rezervë aktive dhe 20000 rezervë e përgjithshme.” – thuhet në Programin zgjedhor të LDK-së.

    Në kuadër të këtij Programi parashihet edhe edukimi dhe stërvitja e nxënësve të Shkollave të Mesme në fushën e Mbrojtjes.

    LDK premton ndërtimin e katër kazermave ushtarake për FSK-në.

    “Do të riorganizohen Kazermat aktuale, duke ia përshtatur misionit të FSK-së dhe do të rrisim numrin e Kazermave për 4 sosh në regjione të ndryshme të Kosovës. Në Prizren (ish-Kazerma e kontingjentit Gjerman të KFOR-it); në Gjinoc të Suharekës (Kazerma aktuale e KFOR-it); në Gjakovë (Aeroporti i Gjakovës) dhe në Podujevë. Shuma e gjithmbarshme e investimeve në këtë projekt, pra në përditësimin e Kazermave të tanishme dhe në ndërtimin e 4 Kazermave të reja do të jetë rreth 60 milionë euro.” – premton LDK.

    Krahas kësaj LDK planifikon edhe ndërtim të vendbanimeve për personelin ushtarak – duke ndërtuar lagje ushtarake, që do të jetë në shërbim të personelit ushtarak dhe familjeve të tyre.

    LDK parasheh Programe që pas pensionimit të pjesëtarëve të FSK-së, ata të integrohen në jetën civile.

    “Këtë do ta arrijë përmes: a) profilizimit dhe trajnimit të pjesëtarëve të FSK-së në fusha të veçanta dhe zhvillimin e tyre në fushat respektive gjatë karrierës ushtarake; b) ndryshimet ligjore që u mundësojnë pjesëtarëve të FSK-së angazhimin në të gjitha fushat e jetës publike – përfshirë edhe në FSK-në (si civil), e sidomos në fushën akademike dhe doktrinore edhe pas pensionimit.” – thuhet tutje në Programin e LDK-së.

    Kjo parti parasheh edhe konceptin “Smart Defence” që parasheh ndihmë reciproke në mes të aleatëve dhe partnerëve në shumë drejtime të fushës së Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    “Në marrëveshje me fqinjët e me shtetet mike do të zhvillojmë projekte ‘Smart Defence’. Me Shqipërinë mundet me u arrit Marrëveshja që certifikimi i pilotëve për helikopterë të bëhet në Qendrën e saj simulative. Kurse, mirëmbajtja e automjeteve taktike të prodhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëhet në Kosovë. Me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, me Kroacinë munden me u arritë Marrëveshje të përbashkëta për kontrollin e hapësirës ajrore.” – ka thënë Anton Quni në “Debat Përnime”.

    LDK parasheh edhe ngritjen e kapaciteteve për operacione ndërkombëtare – duke krijuar një Njësi Batalion të kombinuar për këto operacione. Kjo Njësi pritet të ketë jetëgjatësi 4-vjeçare, me rotacion. Ky aktivitet sipas LDK-së ka vlerësim fillestar prej rreth 12 milionë eurosh.

    “Direkt në NATO”

    Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët si premtim kryesor për mbrojtjen e kanë anëtarësimin direkt në NATO.

    Ky anëtarësim pritet të bëhet përmes tri aspekteve kryesore: atij politik, ushtarak dhe ekonomik.

    “Politik: Forcimi i marrëdhënieve me institucionet euroatlantike; përmbushja e obligimeve në Dialog; konsolidimi i demokracisë në Kosovë; përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët. Ushtarak: Ngritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës; zhvillimi i industrisë mbrojtëse; prodhimi i municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake; përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mbrojtëse civile; rritja e kontributit të Kosovës në angazhimet e NATO-s. Ekonomik: Aktivizimi i resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Sipas këtij Koalicioni anëtarësimi do të sjellë edhe zhvillim ekonomik, duke rritur vlerën e resurseve dhe potencialeve të vendit, si dhe do të inkurajojë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm.

    “Ne e kemi në Programin tonë edhe sloganin i cili është ‘Direkt në NATO’. Dhe, qëllimisht e kemi bërë këtë, sepse konsiderojmë që pa siguri nuk ka asnjë zhvillim tjetër, që mund të jetë efikas për qytetarët e Kosovës dhe për vendin tonë.” – ka thënë në “Debat Përnime”, kandidati për Deputet nga AAK-ja, Ahmet Isufi.

    Koalicioni për Familjen në anën tjetër premton modernizimin e institucioneve të Sigurisë, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës për të gjithë ata që kontribuojnë në fushën e Sigurisë.

    Ky Koalicion thotë se fokus do të ketë në intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve të Sigurisë për të rritur kapacitetet e tyre.

    “Mbikëqyrja, ndërkaq, do të jetë sistematike dhe rigoroze, duke iu dhënë përparësi trajnimeve të rregullta e të avancuara, përmes bashkëpunimit e binjakëzimit me forcat policore dhe institucione të tjera të Sigurisë të shteteve të zhvilluara, që kanë standarde të larta dhe praktika të suksesshme.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Reformimi i Policisë

    Koalicioni për Familjen premton edhe reformimin e Policisë së Kosovës.

    “Reforma në Policinë e Kosovës do të fillojë prej Vetting-ut, përkatësisht hetimit të së kaluarës për të gjithë pa përjashtim. Sipas Ligjit dihet se cilat pozita duhet t’i nënshtrohen këtij procesi. Dhe, në të njëjtën kohë, sigurimi jetësor. Ligji është në proces, andaj edhe këtë çështje do ta adresojmë dhe do angazhohemi që ky Ligj të kalojë.” – ka deklaruar në “Debat Përnime” kandidati për Deputet nga Koalicioni për Familjen, Bejtush Gashi.

    Programi i këtij Koalicioni sa i përket Policisë përfshin rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, digjitalizimin e shërbimeve dhe zhvillimin e strukturave organizative për një reagim më të shpejtë dhe efikas.

    FSK-ja sipas Koalicionit për Familjen po ashtu do të transformohet përmes trajnimeve dhe investimeve në pajisje dhe në infrastrukturë.

    Gjithashtu parashihet rritja e integritetit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Kjo përmes garantimit të buxhetit dhe zhvillimit të kapaciteteve teknologjike për të luftuar kërcënimet kibernetike e terroriste.

    Tutje, ky Koalicion parasheh edhe zhvillimin e industrisë private të Sigurisë.

    “Kjo do të përfshijë licensimin e Kompanive të Sigurisë private dhe krijimin e kuadrit ligjor që do të sigurojë që këto Kompani të operojnë në përputhje me standardet etike e profesionale.” – thuhet tutje.

    Koalicioni për Familjen parasheh edhe krijimin e ekipeve të specializuara për siguri që monitorojnë dhe menaxhojnë rreziqet në kohë reale, si dhe investime në infrastrukturë të re dhe rezistente.

    Strategjia e Sigurisë

    Përmirësimi i sigurisë dhe mbrojtjes së vendit parashihet edhe në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027.

    Në këtë Strategji parashihet riorganizimi i Policisë së Kosovës.

    “Do të rishikojë organizimin e saj të brendshëm, për të shfrytëzuar burimet njerëzore në mënyrë sa më efikase për të kryer detyrat e rregullta, të veçanta dhe të specializuara policore. Do të themelohet Policia Rezervë, e cila do të mund të angazhohet për ta ndihmuar Policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, në rrethana të jashtëzakonshme ose urgjente. Në Policinë e Kosovës do të investohet vazhdimisht në ngritjen dhe në zhvillimin e kapaciteteve, në furnizimin me pajisje të nevojshme për të kryer detyrat e saj operacionale, si dhe në kontrollimin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.” – thuhet mes të tjerash në këtë Strategji.

    Në këtë Strategji flitet edhe për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, për synimin drejt anëtarësimit në NATO.

    “FSK vazhdon të ngritë dhe të zhvillojë aftësitë dhe kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit, të mirëmbajë dhe të zhvillojë kapacitetet për mbështetje ushtarake për autoritetet civile, si dhe të kontribuojë në siguri përmes pjesëmarrjes në misione ushtarake jashtë vendit. FSK-ja zhvillon doktrinën, standardet dhe kapacitetet në linjë me ato të NATO-së dhe do të shtojë aktivitetet trajnuese dhe stërvitjet e përbashkëta me vendet e NATO-së, me qëllim të aftësimit për ndërveprim me forcat e armatosura të tyre.” – thuhet në Strategji.

    Në Strategji përmendet edhe synimi i Kosovës që të rritë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    “Republika e Kosovës do të vlerësojë mundësinë për zhvillimin e modeleve të përshtatshme të forcave rezerviste, si dhe atë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, sipas praktikave bashkëkohore të shteteve perëndimore, në përputhje me rrethanat, kushtet dhe burimet vendore.” – thuhet po ashtu në këtë Strategji.

    Sipas Ligjit të Buxhetit Policia e Kosovës për vitin 2025 ka buxhet prej 152 milionë e 624 mijë e 469 euro.

    Bazuar në të njëjtin Ligj, buxheti për vitin 2025 për Forcën e Sigurisë së Kosovës është 202 milionë e 828 mijë e 715 euro, kurse i përgjithshmi për Ministrinë e Mbrojtjes ku hyn edhe FSK-ja është 207 milionë e 875 mijë e 243.