Kategori: Lajme

  • Kërkohen dy infermierë të përgjithshëm dhe tetë zyrtarë për drejtim të mjeteve të rënda në Polici të Kosovës

    Policia e Kosovës ka shpallur konkurs për tri pozita, infermier të nivelit bachelor, infermier i përgjithshëm dhe zyrtar për drejtimin e mjeteve të rënda, më 31.01.2025.

    Sipas njoftimit të Policisë, konkurset për infermier të nivelit bachelor dhe ai për infermier të përgjithshëm janë hapur për nga një vend të lirë pune, kurse tetë vende të lira pune janë shpallur për pozitën e zyrtarit për drejtimin e mjeteve të rënda.

    Në konkursin për infermier të nivelit bachelor vendi i punës është caktuar në Sektorin e Mjekësisë dhe Promovimit të Shëndetit në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore.

    Kohëzgjatja e emërimit në këtë pozitë, sipas konkursit, është në afat të pacaktuar. Njëra nga detyrat dhe përgjegjësitë e infermierit të nivelit bachelor është përkrahja mjekësore në situata emergjente gjatë planeve operative të Policisë dhe shërben si ndërlidhës midis pjesëtarëve të Policisë, shërbimeve shëndetësore të Policisë dhe ofruesve të shërbimeve shëndetësore publike.

    Të njëjtat detyra i ka edhe infermieri i përgjithshëm, mirëpo dallimi mes tyre është se për pozitën e infermierit të nivelit bachelor kërkohet diploma e fakultetit e infermierit të përgjithshëm-bachelor, kurse për pozitën e infermierit të përgjithshëm kërkohet diploma e shkollës së mesme-infermier i përgjithshëm.

    Dhe për këto dy pozita, ndërron koeficienti i pagës, i cili është pak më i lartë për infermier të përgjithshëm të nivelit të studimeve bachelor. Pra, koeficienti 5.6 vlen për infermier të nivelit bachelor, kurse 5.3 për infermierin e përgjithshëm me shkollë të mesme.

    Konkursi për të dy pozitat e infermierit të përgjithshëm të kërkuara në Policinë e Kosovës do të jetë i hapur nga e hëna, më 03.02.2025 deri më 18.02.2025. Për dokumentet e nevojshme për aplikim, mund të lexoni konkursin në këtë LINK.

    Kurse, vendi i punës për pozitën e zyrtarit për drejtimin e mjeteve të rënda në Policinë e Kosovës është Njësia e Transportit, në Sektorin e Flotës Operative në kuadër të Drejtorisë së Logjistikës.

    Për pozitën e zyrtarit për drejtimin e mjeteve të rënda, disa nga detyrat dhe përgjegjësitë janë: është përgjegjës për mbajtjen e rregullt të linjave të transportit të personelit të Policiës me qëllim të ofrimit të mbështetjes me transport për gjithë personelin e Policisë; përgjegjës për transportin e zyrtarëve policor gjatë kryerjes së detyrave operacionale; përgjegjës për tërheqjen e automjeteve jofunksionale të Policisë, të cilat janë të aksidentuara, të dëmtuara, me defekte.

    Kurse, nga shkathtësitë kërkohet që të ketë patentë shoferi në kategoritë B, C, D, CE; diplomë e arsimit të lartë më së paku 3 vite adekuate të studimeve ose shkollim të mesëm dhe përgatitje profesionale për pozita specifike dhe të tjera.

    Edhe ky konkurs është i hapur gjatë periudhës 03.02.2025 deri më 18.02.2025 dhe për detajet tjera mund të lexoni në këtë LINK.

     

  • Rusia i shpall 2 gazetarë të REL-it dhe pesë të tjerë si “agjentë të huaj”

    Rusia i ka shtuar shtatë njerëz, përfshirë dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë (REL), në listën e saj të gjatë të “agjentëve të huaj”.

    Presidenti i REL-it, Stephen Capus, tha se ky vendim është pjesë e “një sulmi brutal ndaj mediave të pavarura”.

    Ministria e Drejtësisë e Rusisë tha të premten se i vendosi ata në listën e saj për shkak të përfshirjes së tyre në mediat e huaja dhe, në disa raste, për shkak të, siç pretendoi, përhapjes së “informatave të rrejshme” për sistemin zgjedhor të Rusisë.

    Ministria ruse nuk dha asnjë provë për këtë.

    Akuza më e madhe ndaj shtatë personave në fjalë ishte, sipas Ministrisë ruse, kundërshtimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila po hyn në vitin e tretë prej se presidenti Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Qeveria e Putinit nuk lejon asnjë kritikë ndaj luftës dhe e ka përdorur ligjin tejet kufizues “agjentët e huaj” për t’i shtypur ata që e ngrenë zërin.

    Të saposhpallurit “agjentë të huaj” janë: Dmitry Sukharev, gazetar i Systema, njësia hulumtuese ruse e REL-it; dhe Andrei Novashov, kontribues në Shërbimin rus dhe Shërbimin e Kaukazit të Veriut të REL-it. Që të dy jetojnë jashtë Rusisë.

    Të tjerët janë Elizaveta Fokht dhe Ilya Abishev nga Shërbimi rus i BBC-së; kontribues i Meduzas, Vladimir Rayevsky; edukatori, shkrimtari dhe blogeri Dima Zitser; dhe Anton Suvorkin, videobloger që mbulon showbiz-in rus.

    Rusia e nxori ligjin “agjent i huaj” në vitin 2012 dhe prej atëherë e ka zgjeruar legjislacionin për këtë kategorizim. Kritikët e Kremlinit, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore thonë se shteti rus e përdor këtë ligj si mjet për t’i përndjekur gazetarët e pavarur, mediat, aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile.

    “Shpallja e gazetarëve të REL-it si agjentë të huaj është dëshmia më e re e sulmit brutal të Rusisë ndaj mediave të pavarura”, tha presidenti i REL-it Stephen Capus, në një komunikatë më 31 janar.

    “Pavarësisht përpjekjeve të Kremlinit për ta kriminalizuar lirinë e fjalës brenda dhe jashtë vendit, gazetarët tanë të guximshëm nuk do të tremben”, shtoi ai.

    Tre korrespondentë të Current Time, rrjetit televiziv dhe digjital në gjuhën ruse i drejtuar nga REL – Iryna Romaliyska, Oleksiy Prodayvoda dhe Oryna Fedorovykh – u shpallën agjentë të huaj në fillim të janarit.

    Current Time, Shërbimi rus i REL-it dhe disa shërbime të tjera të lajmeve në gjuhën ruse të REL-it u kategorizuan si të tillë në vitin 2017./REL

  • Abdixhiku në Suharekë: Qytetarët janë rreshtuar me LDK-në për ndryshimin e madh

    Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka vazhduar fushatën e tij elektorale në Suharekë, të premten, më 31.01.2025.

    Abdixhiku është shprehur në Facebook se Suhareka ka potencial të madh për rritje dhe investime.

    “Me vizionin tonë, dhe me programin ‘Rruga e Re’, ky qytet dhe e tërë Kosova do të përfitojnë nga projektet dhe politikat tona zhvillimore që sjellin më shumë vende pune, paga më të mira, infrastrukturë moderne dhe mundësi për çdo qytetar” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook, më 31.01.2025.

    Sipas Abdixhikut, qytetarët anekënd Kosovës po tregojnë se ata nuk do ta pranojnë ngecjen dhe dështimin e shtetit, dhe se janë rreshtuar me LDK-në për ndryshimin e madh që është domosdoshmëri për të ardhmen e vendit.

    “Kosova ka nevojë për një drejtim të ri, prandaj ky mobilizim nuk është i rastësishëm – është fryma e një lëvizjeje që po përfshin gjithë vendin, në çdo qytet e fshat, në çdo lagje e shtëpi” – ka thënë Abdixhiku.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.