Kategori: Lajme

  • Babai vret të bijën në Pakistan shkaku i videove në TikTok

    Një burrë, i cili kohët e fundit e ktheu familjen në Pakistan nga Shtetet e Bashkuara, ka rrëfyer se ka vrarë të bijën e tij adoleshente, sepse nuk i pëlqenin videot e saj në TikTok – ka konfirmuar Policia pakistaneze për televizionin britanik BBC.

    Anwar ul-Haq akuzohet për vrasje, pasi pranoi se të martën, më 28.01.2025, e qëlloi për vdekje të bijën Hira në qytetin jugperëndimor Quetta. Ai u deklaroi fillimisht hetuesve se vrasjen e kishin kryer burra të paidentifikuar.

    Babai, i cili ka nënshtetësi amerikane, ka thënë se ishte kundër postimeve të së bijës.

    Policia ka bërë të ditur se po e heton rastin në të gjitha pistat e mundshme – duke përfshirë mundësinë e një vrasjeje nderi, e cila nuk është e pazakontë në vend.

    Qindra njerëz – shumica prej tyre gra – vdesin shkaku i të ashtuquajturave vrasje nderi në Pakistan çdo vit – thonë grupet për të drejtat e njeriut. Këto vrasje kryhen zakonisht nga të afërm, të cilët thonë se po veprojnë në mbrojtje të nderit të familjes.

    Në rastin e Hira Anwarit, e cila ishte ndërmjet 13 dhe 14 vjeç, një zëdhënës i Policisë ka thënë se familja e saj “kundërshtonte veshjen, stilin e jetesës dhe ndejat e saj shoqërore “.

    Familja jetoi në Shtetet e Bashkuara 25 vjet dhe Hira filloi të postonte përmbajtje në TikTok edhe para se me familje të kthehej në Pakistan.

    Hetuesit kanë thënë se kanë celularin e viktimës, por që është i kyçur.

    Në lidhje me vrasjen u arrestua edhe dhëndri i babait të saj – ka njoftuar Policia

    Nëse zbulohet se është vrasje nderi dhe të akuzuarit shpallen fajtorë do të përballen me dënim të detyrueshëm të përjetshëm – një ndryshim i bërë në Ligj nga Qeveria e Pakistanit, në vitin 2016. Më parë, fajtorët mund t’i shmangeshin dënimit me burg, nëse faleshin nga familja e viktimës.

    Në vitin 2023, një Gjykatë italiane dënoi një çift pakistanez me burgim të përjetshëm për vrasjen e vajzës së tyre 18-vjeçare, sepse ajo refuzoi një martesë të padëshiruar.

    Një vit më parë vëllai i yllit pakistanez të mediave sociale, Qandeel Baloch u lirua nga akuza për vrasjen e saj. Pas Ankesës në apel ai më herët ishte dënuar me burgim të përjetshëm, pasi pranoi vrasjen e vitit 2016 – duke thënë se kjo ishte për shkak se ylli e kishte turpëruar familjen.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Nxirren 30 trupa pas përplasjes së aeroplanit dhe helikopterit në SHBA

    Të paktën 30 trupa janë nxjerrë nga lumi Potomac në Uashington DC, pasi një fluturake e “American Airlines” u përplas në qiell me një helikopter “Black Hawk” të Ushtrisë amerikane – raporton BBC.

    Avioni kishte 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit nga Wichita, Kansas kur u rrëzua pranë Aeroportit Kombëtar “Ronald Reagan”. Në helikopter ishin tre ushtarë.

    Ekipet e shpëtimit po punojnë në kushte “jashtëzakonisht të vështira” – thonë Shërbimet e Urgjencës – derisa raportohet se temperaturat e ujit janë të ulëta.

    Federata amerikane e Patinazhit Artistik të SHBA-së konfirmon se “disa anëtarë të komunitetit të patinazhit” ndodheshin në bordin e avionit.

    Presidenti Donald Trump thotë se është informuar për “aksidentin e tmerrshëm” dhe ka pyetur se pse helikopteri nuk “u ngjit apo të ulej”.

    Të afërmit e pasagjerëve janë mbledhur në Aeroport. Një grua i ka thënë një zyrtari aeroporti se nuk ishte e sigurt nëse një e afërme e saj kishte hipur në aeroplan. Ajo pastaj është shkrehur në vaj – shkruan Reuters.

    Hammad Raza ka deklaruar për partnerin informativ të CBS, WUSA se kishte dalë në Aeroport për ta pritur gruan – raporton Reuters.

    “Ajo më shkroi se brenda 20 minutash do të aterronte.” – ka thënë ai. “Pjesa tjetër e mesazhit tim nuk i shkoi. Atëherë e mora vesh se diçka nuk ishte në rregull. Tani, po shpresoj se dikush do ta nxjerrë nga lumi”.

    Ushtria amerikane ka njoftuar në një deklaratë se “mund të konfirmojë se fluturakja e përfshirë në incidentin e mbrëmjes ishte një helikopter ushtrie UH-60, i ngritur nga Fort Belvoir, Virxhinia”.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Policia parandalon kontrabandë me mallra në brezin kufitar Kosovë-Serbi

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është parandaluar një rast i kontrabandës me mallra, në kufi me Serbinë.

    Sipas njoftimit, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, më 29.01.2025, në magjistralen Kamenicë-Gjilan, Njësitet kanë ndaluar një automjet për kontrollim.

    “Më 29.01.2025, Njësitet e lartcekura pas pranimit të informatave dhe dyshimeve për kontrabandë të mallrave nga Serbia, përmes rrugëve ilegale, jashtë pikave kufitare të rregullta, në magjistralen Kamenicë-Gjilan kanë ndaluar një automjet për kontrollim.” – thuhet në njoftim.

    Policia njofton se pas ndalimit të automjetit të dyshuar me targa serbe, të cilin po e drejtonte i dyshuari me nënshtetësi serbe, gjatë kontrollit janë gjetur 700 pako cigare me banderola të Serbisë.