Kategori: Lajme

  • Paraburgim për policin i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në fshatin Çubrel

    E. R. i janë caktuar 30 ditë paraburgim për rastin e aksidentit në Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona. E. R. dyshohet për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

    Gjykata e Mitrovicës ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë për t’i caktuar 30 ditë paraburgim E. R., zyrtar policor, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona.

    Ky aksident kishte ndodhur më 26.01.2025.

    Prokuroria më 28.01.2025 kishte kërkuar masën e paraburgimit për E. R. por që mbrojtësi i të dyshuarit e kishte kundërshtuar atë duke kërkuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, me arysen e gjendjes shëndetësore dhe se vepra është kryer nga pakujdesia.

    Sipas njoftimit të Gjykatës, E. R. nuk ka mundur të deklarohet për shkak të gjendjes shëndetësore.

    Gjyqtar i procedurës paraprake ishte Valon Hajdini.

    Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast është mbajtur në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të trajtimit që ishte duke marrë i dyshuari për këtë aksident.

    “Gjykata pasi ka vlerësuar pretendimet e palëve ka gjetur se Kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit është e bazuar, pasi që Gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të përshkruar si në Kërkesën e Prokurorisë.” – thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicës – Dega Skenderaj.

    Sipas njoftimit të Gjykatës dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën Pejë – Mitrovicë në fshatin Çubrel.

    Tutje, në njoftim të Gjykatës thuhet shoferi i veturës kishte dalë në shiritin e kundërt të rrugës Pejë – Mitrovicë dhe si pasojë e ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi Mitrovicë -Pejë.

    “I pandehuri zyrtar policor E. R. po drejtonte automjetin kombi të tipit VW, ngjyrë e bardhë, ndërsa automjetin tjetër Golf IV, ngjyrë hiri, e kishte drejtuar tashmë i ndjeri A. G., i cili kishte vdekur në vendin e ngjarjes. Bazuar në hetime dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën nacionale Pejë – Mitrovicë, në fshatin Çubrel, pasi që ishte një kthesë në të djathtë, ka dalë në shiritin e kundërt të rrugës dhe ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Mitrovicë – Pejë dhe si pasojë e aksidentit tre pasagjerët kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe më pas është konfirmuar nga mjeku kujdestar në QKMF në Skenderaj që shoferi i automjetit Golf IV A. G. ka vdekur. Ndërsa, tre pasagjerët e tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku nga mjeku kujdestar është konfirmuar vdekja e të dy pasagjereve të tjera – femra, ndërsa një fëmijë ka mbetur në tretman dhe dyshohet se ka lëndime të rënda trupore.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

  • Kryeparlamentari Konjufca shpreh ngushëllime për të vdekurit e aksidentit ajror në SHBA

    Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për familjarët e personave që humbën jetën në aksidentin ajror në Uashington të SHBA-së.

    “Është shumë pikëlluese dhe e dhimbshme humbja e disa dhjetëra jetëve në aksidentin ajror që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Uashington DC.” – shkruan Konjufca.

    Konjufca ka shprehur ngushëllime edhe për të gjithë popullin amerikan.

    “Ngushëllime të sinqerta për të gjithë ata që kanë humbur personat e tyre të dashur, për aleatin tonë SHBA-në dhe për të gjithë popullin amerikan.” – shkruan tutje ai.

    Një aeroplan pasagjerësh me 64 persona në të është përplasur me një helikopter ushtarak dhe për pasojë ka rënë në një lumë në Uashington.

    Ka raportime se të paktën 18 trupa janë nxjerrë prej lumit Potomak.

    Temperaturat është raportuar të jenë tejet të ulëta dhe e gjithë situata po vështirëson përpjekjet për kërkim-shpëtim.

    Autoritetet amerikane janë duke hetuar rastin, ndërsa Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit “Ronald Reagan” i ka ndalur të gjitha fluturimet.

    https://kallxo.com/lajm/cfare-dihet-per-perplasjen-e-aeroplanit-ne-uashington/

  • A do ta fundosë apo shpëtojë zgjidhjen me dy shtete propozimi i Trumpit për Gazën?

    Propozimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për t’i zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës në vendet fqinje është refuzuar dhe dënuar gjerësisht.

    Zhvendosja e detyrueshme e 2.3 milionë banorëve të Gazës drejt Egjiptit dhe Jordanisë mund të destabilizojë rajonin dhe të shkatërrojë çdo shans për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez – thonë ekspertët.

    Por, propozimi gjithashtu mund ta zhvendosë përgjegjësinë tek aleatët e SHBA-së në rajon, për të dalë me një zgjidhje për një nga konfliktet më të ndërlikuara në botë – vlerësojnë njohësit.

    “Trump po merr pozicionin më ekstrem mbi një çështje jashtëzakonisht të ndjeshme, si pjesë e një negociate më të gjerë për Gazën dhe Izraelin.” – tha Sanam Vakil, drejtoreshë e Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Institutin Britanik të Mendimit, Chatham House.

    “Duke vënë nën presion aleatët kyç të SHBA-së, të cilët janë realisht të varur nga ndihma dhe siguria amerikane, ai shpreson të arrijë qëllimin e tij për ndarjen e barrës.” – tha Vakil.

    E ardhmja e zgjidhjes me dy shtete

    Uashingtoni ka mbështetur për dekada një zgjidhje me dy shtete, që do të krijonte një shtet të pavarur palestinez përkrah Izraelit.

    Por, progresi është penguar nga dallimet e thella mes izraelitëve dhe palestinezëve mbi kufijtë, vendbanimet dhe statusin e Jerusalemit.

    Palestinezët këmbëngulin gjithashtu që çdo shtet i ardhshëm palestinez duhet të përfshijë Rripin e Gazës, gjë që e bën propozimin e Trumpit shqetësues jo vetëm për kritikët, por edhe për aleatët e SHBA-së – përfshirë Gjermaninë.

    “Trump ende nuk ka artikuluar një vizion të qartë mbi zgjidhjen me dy shtete ose rrugën përpara në konfliktin Izrael-Palestinë, por nëse politika amerikane anon drejt zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza, kjo sugjeron një hapësirë të kufizuar për përparim pozitiv në këtë çështje.” – tha Gregory Brew, analist i lartë në grupin amerikan të analizave politike, Eurasia Group.

    Shumë nga banorët e Gazës janë zhvendosur dhe pjesa më e madhe e enklavës palestineze është shkatërruar pas luftës 15-mujore të Izraelit kundër Hamasit, grupit të shpallur organizatë terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja. Konflikti u shkaktua nga një sulm i paprecedent i Hamasit në Izrael, në tetor 2023.

    Luftimet u pezulluan për gjashtë javë si pjesë e një Marrëveshjeje armëpushimi prej disa fazash të arritur më 15 janar, që parashikon një fund të përhershëm të luftës dhe rindërtimin e Gazës.

    Trump, i cili publikoi idenë e tij më 25 janar, tha se zhvendosja e mundshme e banorëve të Gazës “mund të jetë e përkohshme, mund të jetë afatgjatë.”

    Eldad Shavit, studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, tha se e djathta ekstreme izraelite mbështet gjerësisht zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, sepse beson se “Izraeli mund ta pushtojë territorin dhe të ndërtojë vendbanime të reja”.

    Trump ka deklaruar se ka ndarë idetë e tij me Jordaninë dhe Egjiptin, aleatë të SHBA-së në rajon që marrin ndihma të konsiderueshme. Por, të dyja vendet janë kundër çdo përpjekjeje për të detyruar zhvendosjen e civilëve.

    Shavit tha se “nuk është e arsyeshme” të pritet që Jordania dhe Egjipti ta pranojnë këtë propozim, sepse ata tashmë strehojnë miliona palestinezë të zhvendosur nga krijimi i Izraelit më 1948 dhe konflikti arabo-izraelit më 1967.

    Ai argumentoi se një pranim i mëtejshëm i refugjatëve “do të ishte një rrezik i madh për stabilitetin e këtyre vendeve”.

    Ekspertët thonë se zhvendosja e banorëve të Gazës dhe, për rrjedhojë, shkatërrimi i perspektivës për një shtet të pavarur palestinez, mund të pengojë gjithashtu përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet mes Izraelit dhe fuqisë rajonale, Arabisë Saudite.

    “Nuk e shoh si diçka që do të pritet pozitivisht në Gjirin Persik, veçanërisht në Arabinë Saudite, ku [Princi i Kurorës Mohamed bin Salman] e ka bërë krijimin e një shteti palestinez një kusht për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.” – tha Brew.

    Disa shtete arabe kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin në kuadër të Marrëveshjeve së Abrahamit të ndërmjetësuara nga SHBA-ja vitet e fundit.

    Nevoja për të “ndryshuar status quo-në”

    Kundërshtimi i fortë ndaj planit të Trumpit mes aleatëve të Uashingtonit dhe shteteve arabe dëshmon se realizimi i tij është i pamundur – thonë ekspertët.

    “Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm të mos lexojmë shumë në komentet e Trumpit, të cilat u bënë në një mënyrë të improvizuar.” – argumentoi Brew.

    Trumpit i pëlqen të “mendojë në mënyrë të madhe” dhe ai dhe këshilltarët e tij mund të përpiqen të “ndryshojnë status quo-në” – duke i shtyrë palët në rajon të marrin përgjegjësi për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez – tha Shavit.

    “Ai dëshiron t’i lëkundë palët në një mënyrë që t’i detyrojë të mendojnë për një zgjidhje, që mund ta pranojnë.” – tha ai.

    Trump ka kritikuar prej kohësh angazhimet e gjata ushtarake të SHBA-së dhe ka mbrojtur reduktimin e angazhimeve financiare amerikane jashtë vendit. Gjatë fjalimit të tij inaugurues më 20 janar, ai e përshkroi veten si një “paqebërës”.

    “Trump dëshiron një Lindje të Mesme të re. Ai dëshiron që sauditët t’u bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit dhe dëshiron të shihet si dikush i cili solli paqe dhe mori një Çmim Nobel për këtë.” – tha Shavit./REL