Kategori: Lajme

  • Trainkos zbulon ‘dallaveret’ me arkat fiskale, largon nga puna 12 punëtorë

    Ndërmarrja Publike Trainkos Sh.A. ka njoftuar se ka dyshime për manipulim me arkat fiskale në këtë institucion e që si rrjedhojë dyshohet se i është shkaktuar një dëm financiar prej 230 mijë eurosh.

    Krahas kësaj, Trainkos thotë se ndaj 12 punonjësve është marrë masa disiplinore e shkëputjes së marrëdhënies së punës.

    “Nga Raporti i fundit, të cilin e kemi pranuar nga ENTERNET, dëmi i shkaktuar kalon shumën prej 230 mijë eurosh dhe kjo shumë mund të rritet, meqë janë edhe katër (4) pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe të njëjtat ende nuk i kemi. Pra, Ndërmarrja nuk di se cili mund të jetë dëmi në memoriet e palexuara  dhe shuma totale pas kësaj.” – ka njoftuar Trainkos, më 30.01.2025.

    Sipas tyre, në koordinim me ATK-në janë nxjerrë të dhënat si: prova dhe dëshmitë e dyshimit për aktivitetin e bërë nga disa punonjës përmes arkave fiskale, të cilët gjatë kryerjes së detyrës, pothuajse nga viti 2016 e deri në fundvitin e 2024 kanë ndërhyrë në të dhënat e raportimit – duke resetuar pajisjet dhe duke fshehur të dhënat reale të shitjeve.

    Për këto keqpërdorime të mundshme, Trankos i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet.

    “Për dëmin e shkaktuar dhe për memoriet e mbetura pa lexuar, kjo çështje kërkon një hetim nga ana e autoriteteve ligjzbatuese, si dhe ato të hetuesisë, nga të cilat kërkojmë që zyrtarisht të nisin hetimet – duke qenë se vepra e kryer përmban disa elemente të veprave penale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në komunikatën e Trainkos të publikuar në Facebook.

  • Kryeministri Kurti takohet me ekipin e QKRMT-së që u nominuan për Çmimin Nobel për Paqe

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim përfaqësues të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës të cilët janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.

    Kurti citohet të ketë përgëzuar QKRMT-në dhe aktivisten Feride Rushiti për nominimin.

    Nominimi u bë nga deputeti i Parlamentit të Suedisë, Magnus Jacobsson.

    “Kryeministri shprehu gatishmërinë për mbështetjen e parezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë nominim.” – thuhet mes të tjerash në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

    Pjesëmarrëse në takim ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka thënë se nominimi ka ardhur si pasojë e punës së madhe të Organizatës për adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Haxhiu citohet të ketë folur për rëndësinë e vazhdimit të fuqizimit të bashkëpunimit të Ministrisë të cilën ajo e udhëheq me QKRMT-në.

    “Në vijim Kryeministri vlerësoi punën e çmueshme të QKRMT-së, duke veçuar rëndësinë e grumbullimit të bazës së të dhënave dhe dëshmive të të mbijetuarve të torturës e dhunës gjatë luftës në Kosovë.” – thuhet në fund të komunikatës.

    Më 16.01.2025, Feride Rushti, drejtoreshë e QKRMT-së njoftoi se së bashku me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) është nominuar nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

    Rushiti tha gjatë Konferencës për media më 17.01.2025 se ky nominim është një vlerësim për punën 25-vjeçare që ka bërë QKRMT-ja për kauzën, konkretisht për rehabilitimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe një vlerësim që i bëhet Kosovës. Ajo tha se ky nominim do të fuqizojë zërin e viktimave të dhunës seksuale.

    Ndërkaq, në një bisedë për KALLXO.com, deputeti suedez Magnus Jacobsson tha se gjatë një vizite që kishte pasur në Kosovë në vitin 2022 kishte parë edhe punën e mirë që po bënte QKRMT-ja për rehabilitimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

    “Shpresoj që Çmimi Nobel për Paqe, i cili shpesh shkon për OJQ-të të cilat punojnë për këto lloj çështjesh dhe mendoj që situata historike në Ballkan, por po ashtu edhe realiteti që akoma nuk kemi atë që ne në Skandinavi e quajmë “Paqe të ngrohtë”, kur ka paqe me marrëdhënie të mira. Akoma është një situatë që ka paqe, por jo marrëdhënie të mira. Shpresoj të ngrisë situatën dhe po ashtu të theksohet se sa është e rëndësishme të shohim situatën e grave në luftë. Mendoj që janë një Organizatë shumë e mirë dhe shpresoj që Komiteti i Çmimit Nobel për Paqe do të vazhdojë me sugjerimin tim.” – tha ndër të tjerash deputeti sudez, në një bisedë për KALLXO.com, më 17.01.2025.

    https://kallxo.com/lajm/nominimi-per-cmimin-nobel-per-paqe-rushiti-vleresim-per-kauzen-e-te-mbijetuarve-te-dhunes-seksuale-gjate-luftes/

  • Çfarë dihet për përplasjen e aeroplanit në Uashington?

    Një aeroplan pasagjerësh me 64 persona në të është përplasur me një helikopter ushtarak dhe për pasojë ka rënë në një lumë në Uashington.

    Ka raportime se të paktën 18 trupa janë nxjerrë prej lumit Potomak.

    Temperaturat është raportuar të jenë tejet të ulëta dhe e gjithë situata po vështirëson përpjekjet për kërkim-shpëtim.

    Autoritetet amerikane janë duke hetuar rastin, ndërsa Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit, Ronald Reagan i ka ndalur të gjitha fluturimet.

    Çfarë ndodhi?

    Rreth orës 21:00 të së mërkurës, sipas kohës lokale, një aeroplan i Kompanisë “PSA Airlines” – duke operuar si “American Airlines 5432” – është përplasur me një helikopter të Ushtrisë amerikane, teksa i është afruar Aeroportit “Ronald Reagan” – sipas Administratës Federale të Aviacionit.

    Aeroplani i pasagjerëve, i llojit “Bombardier CRJ700”, është nisur nga Kansasi.

    Në të kanë qenë 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të bordit – sipas “American Airlines”.

    Pentagoni ka thënë se helikopteri ka qenë i tipit “Sikorsky H-60”, i cili ishte nisur nga Virxhinia. Tre ushtarë kanë qenë në bord – sipas rrjetit televiziv CBS.

    Administrata Federale e Aviacionit ka thënë se do ta hetojë incidentin, bashkë me Bordin Kombëtar për Siguri të Transportit.

    A ka viktima?

    Nuk ka raportime zyrtare për viktima. Në raportimet fillestare në mediat amerikane është thënë se aeroplani i pasagjerëve është ndarë në dysh në lumin Potomak, ndërsa helikopteri është përmbysur në ujë.

    Policia dhe Departamenti i zjarrfikësve janë duke kërkuar në lumë për të mbijetuarit.

    Përpjekjet për kërkim-shpëtim mund të shihen nga Aeroporti “Ronald Reagan”, që është afër lumit.

    Çfarë kanë thënë dëshmitarët?

    Ari Schulman ka thënë për NBC Washington se e ka parë përplasjen e aeroplanit, teksa ka qenë duke vozitur me makinë në afërsi të Aeroportit.

    Ai ka thënë se ulja e aeroplanit është dukur normale, derisa ka parë një dritë të madhe në qiell, si pasojë e përplasjes.

    Deklarimet e zyrtarëve

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është informuar plotësisht për “aksidentin e tmerrshëm” dhe që është duke vëzhguar situatën nga afër.

    “Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre.” – ka thënë ai përmes një deklarate.

    Trump i ka falënderuar ekipet e kërkim-shpëtimit për punën e bërë.

    Nënpresidenti J.D Vance ka bërë thirrje për t’u lutur për ata të cilët janë përfshirë në incident.

    Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe Sekretari i Transportit, Sean Duffy, të cilët sapo janë emëruar në pozitat e tyre kanë thënë se janë duke monitoruar situatën.

    Shefi i Kompanisë “American Airlines”, Robert Isom ka shprehur “dhimbje të thellë” për përplasjen.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është thellësisht e mërzitur për rrëzimin e aeroplanit dhe ka ngushëlluar familjarët që mund të kenë humbur dikë të afërt si pasojë e incidentit.

    “Kosova është me ju në këtë periudhë zemërthyese.” – ka thënë ajo përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

    Kampionët rusë të patinazhit Naumov dhe Shishkova raportohet se ishin në mesin e pasagjerëve

    Ish-kampionët botërorë rusë të patinazhit, Vadim Naumov dhe gruaja e tij, Evgenia Shishkova raportohet të jenë në mesin e viktimave, si pasojë e rrëzimit të aeroplanit.

    Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi TASS dhe uebfaqja ruse e sportit Sports.ru kanë cituar burimet e tyre të kenë thënë se Naumov dhe Shishkova të cilët kanë fituar medalje të arta në Kampionatin Botëror më 1994 kanë qenë në aeroplan.

    Çifti është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara pasi kanë përfunduar karrierën dhe janë bërë trajnerë në fushën e patinazhit.

    Djali i tyre 23-vjeçar, Maximi është shtetas amerikan i cili garon për Shtetet e Bashkuara në gara ndërkombëtare.

    Ai është shpallur Kampion Kombëtar i Të Rinjve, më 2020.

    Shtetet e Bashkuara nuk kanë regjistruar ndonjë aksident me aeroplanë pasagjerësh, qysh prej shkurtit të vitit 2009, ndonëse një mori incidentesh në vjetët e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë./ REL