Kategori: Lajme

  • Mitrovicë e Veriut – Arrestohet 27 vjeçari pasi u kap me drogë

    27 vjeçari me iniciale M. B. është arrestuar nga Policia e Kosovës, i dyshuar për “posedim të paautorizuar të substancave narkotike”.

    Arrestimi është bërë në rrugën “Sutjeska” në Mitrovicë të Veriut, më 30.01.2025, rreth orës 00:40.

    “Arrestimi është realizuar në rrugën ‘Sutjeska’, ku zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Mitrovicë – Veri, gjatë patrullimit, kanë ndaluar për kontroll personin e dyshuar, M. B., 27 vjeç. Gjatë kontrollit atij i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës narkotike, një mulli (grinder) dhe dy pako me letra (rizlla).” – thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

    Rasti është inicuar për veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Teksa, me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

  • BBC: Burri i cili dogji Kuranin qëllohet për vdekje në Suedi

    Një burrë i cili shkaktoi protesta të dhunshme, pasi dogji Kuranin është qëlluar për vdekje në Suedi – sipas raporteve të mediave lokale – përcjell media britanike BBC.

    Salwan Momika, 38 vjeç, raportohet të jetë vrarë në një apartament në Södertälje, Stokholm, të mërkurën në mbrëmje.

    Trazirat shpërthyen pasi Momika i vuri zjarrin një kopje të librit të shenjtë të Islamit, jashtë xhamisë qendrore të Stokholmit, në vitin 2023.

    Momika dhe partneri i tij u akuzuan në lidhje me djegien e Kuranit, por vendimi që do të jepej të enjten, u shty pasi “u konfirmua se njëri nga të pandehurit kishte vdekur” – tha Gjykata e Qarkut të Stokholmit.

    Policia e Stokholmit i tha transmetuesit shtetëror SVT News se një burrë rreth të 40-ave u gjet i qëlluar në një apartament dhe më vonë vdiq./ BBC

    Përgatiti: Florinda Kelmendi – KALLXO.com 

  • “Duam drejtësi”, studentët nisin marshin 80-kilometërsh nga Beogradi në Novi Sad

    Studentët në Beograd filluan një marsh 80 kilometra nga Beogradi në Novi Sad, me qëllim që t’i mbështesin kolegët e tyre nga Novi Sadi në bllokimin e të tri Urave në atë qytet, me afrimin e shënimit të tremujorit të tragjedisë në Stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.

    Vala e protestave të studentëve, të cilat kërkojnë përgjegjësi për rënien e strehës së Stacionit hekurudhor, më 01.11.2024, në Novi Sad, ka më shumë se dy muaj që po vazhdon – raporton N1.

    Studentët ftuan qytetarët të cilët janë të interesuar t’iu bashkohen në marsh.

    Më 30.01.2025, në ora 10:30 marshi ka filluar me pjesëmarrësit duke thirrur “Duam drejtësi”.

    Nikola Marçetiq, student në Fakultetin e Arteve Muzikore, ka thënë për N1 se kanë sjellë gjëra që janë të nevojshme për një udhëtim të tillë.

    “Ka një çantë gjumi, ka çorape, ushqim e kështu me radhë.” – tha Marçeviq.

    Shoqata e qytetarëve “Kryengritja e Gjelbër” ka dhuruar 100 mijë dinarë për studentët pjesëmarrës në bllokadën në Leskovc, për të mbuluar një pjesë të nevojave dhe shpenzimeve të tyre elementare gjatë periudhës së bllokadës.

    Ata ftuan Shoqata të tjera, si dhe sipërmarrës në Leskovc, që ta përkrahin këtë iniciativë. Shoqata vlerësoi se kjo është në interes të të gjithë qytetarëve, sepse lufta për një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë është përgjegjësi e përbashkët.

    Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara po ashtu erdhën për të mbështetur studentët.

    Studentja Isidora, e cila është në mesin e studentëve që do të jenë pjesë e marshit për N1 ka thënë se është gati për marshin 80-kilometërsh.

    “Studentët nga Novi Sadi na kanë ftuar dhe kjo është edhe një shenjë e solidaritetit dhe mbështetjes studentore. Studentët nga Novi Sadi vijnë shpesh në Beograd dhe ne jemi tani duke shkuar tek ata për të treguar se sa seriozë dhe këmbëngulës jemi.” – thotë Isidora.

    Parlamenti studentor i Fakultetit Juridik të Universitetit të Beogradit ka njoftuar se nga buxheti vjetor i atij Parlamenti janë dhuruar 2.5 milionë dinarë për studentët e atij Fakulteti, për blerje të vakteve të ngrohta dhe ujit të pijshëm gjatë marshit.

    Instituti i Shkencave Sociale të Beogradit dhe Instituti i Shkencave Ekonomike njoftuan se mbështesin studentët, kërkesat e të cilëve, sipas tyre, janë shprehje e shqetësimit për të ardhmen.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq tha se Policia do të sigurojë plotësisht rrugën e ecjes së studentëve, e cila fillon para Fakultetit të Arteve në Beograd, më 30.01.2025 dhe përfundon nesër,  më 31.01.2025, në mbrëmje para Stacionit hekurudhor në Novi Sad – njoftoi MPB-ja e Serbisë.

    Katër kërkesat e përbashkëta të të gjithë studentëve protestues janë:

    • Publikimi i dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit hekurudhor në Novi Sad
    • Hedhja poshtë e akuzave ndaj studentëve dhe të rinjve të arrestuar dhe të ndaluar gjatë protestave për rënien e strehës në Stacionin e trenit në Novi Sad
    • Ngritjen e kallëzimit penal ndaj sulmuesve të studentëve dhe pedagogëve dhe ndjekjen e tyre
    • Rritja e buxhetit të Serbisë për shpenzimet e institucioneve shtetërore të arsimit të lartë me 20%

    Përfaqësuesit e Qeverisë, të udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiq, disa herë kanë njoftuar se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve. Por, nga ana tjetër studentët thonë se kërkesat ende nuk janë plotësuar./N1