Kategori: Lajme

  • Raportohen tre persona të zhdukur, dy prej tyre të mitur

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në tri raste të ndryshme janë raportuar tre persona të zhdukur: dy prej të cilëve të mitur.

    Sipas Policisë së Kosovës, më 29.01.2025, një person ka raportuar se djali i tij i mitur që nga data 22.01.2025 ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rasti vazhdon të jetë duke u hetuar.

    Në Kaçanik një shtetas i Maqedonisë së Veriut me banim në Ferizaj ka raportuar se vajza e tij e mitur që nga data 27.01.2025 ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti vazhdon të jetë nën hetime.

    Ndërsa, në fshatin Pleshin të Ferizajt, një grua ka raportuar se djali i saj ka dalë nga shtëpia më 22.01.2025 dhe gjithashtu edhe për të nuk dihet vendndodhja. Gjithashtu, rasti vazhdon të jetë nën hetime.

  • Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për tragjedinë ajrore në Uashigton D.C.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur e pikëlluar me rastin e tragjedisë ajrore në Uashingon D.C., ku më 30.01.2025 një aeroplan i “American Airlines” është ndeshur me një helikopter ushtarak.

    Aeroplani kishte 60 pasagjerë në bord dhe katër anëtarë ekuipazhi, derisa tre ushtarë të Ushtrisë amerikane ndodheshin në helikopter.

    “Thellësisht e pikëlluar nga aksidenti tragjik ajror pranë Uashingtonit, D.C. Zemra ime është me familjet dhe të dashurit e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi të paimagjinueshme. Kosova qëndron me ju në dhimbje dhe solidaritet gjatë kësaj kohe të vështirë.” – shkroi Osmani në rrjetin X.

    Një aeroplan i “American Airlines” është ndeshur me një helikopter ushtarak në fluturim në Uashington D.C., me aksidentin ajror që ka shkaktuar rënien e dy fluturakeve në lumin Potomac – raporton të enjten, më 30.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

  • Arrestohen katër persona të cilët dyshohen se kanë planifikuar një vrasje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka arrestuar katër të dyshuar, të cilët dyshohet se kanë planifikuar përgatitjen e vrasjes së një personi.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në Pejë dhe Prishtinë gjatë vitit 2024 dhe 2025.

    Policia i ka zënë në flagrancë të dyshuarit, duke pranuar armët për kryerjen e veprës. Si rrjedhojë, të dyshuarve u janë sekuestruar armë e municion.

    “Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve, në katër lokacione të ndryshme, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshme, si dhe disa dëshmi të tjera të rëndësishme.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 30.01.2025.

    Policia njofton se, me vendim të Prokurorit, pas intervistimit tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërsa, rasti është inicuar si: “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar dhe detyrim”.