Kategori: Lajme

  • Gëzimi kthehet në dëshpërim për palestinezët e kthyer në Gazë

    Gëzimi i mijëra familjeve palestineze që u kthyen në shtëpi në Gazën veriore, pas armëpushimit me Izraelin, po kthehet në dëshpërim, teksa po përballen me realitetin e shtëpive të ftohta, të pabanueshme, të bombarduara, si dhe me mungesa të ashpra të ushqimeve –  raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Shumë prej tyre kanë nisur të ankohen për mungesën e ujit të rrjedhshëm, duke u detyruar të presin në radhë për orë të tëra për të mbushur enët plastike sa për pirje a pastrim. Me shumicën e shtëpive që tani janë kthyer me rrënoja, aq sa syri mund të shohë, të kthyerit kanë pastruar çdo send të dobishëm që ka mbetur nga pronat e tyre për të ngritur tenda të improvizuara.

    Natën, zonat e banuara e të shkatërruara nga sulmet ajrore dhe granatimet izraelite zhyten në errësirë ​​shkaku i mungesës së energjisë elektrike ose karburantit për gjeneratorët.

    “Nuk ka asgjë, nuk ka jetë, as ujë, as ushqim, as pije, asgjë për të jetuar. Jeta është shumë, shumë e vështirë. Nuk ka Kamp ‘Jabalia’.” – ka thënë Hisham El-Err të mërkurën, pranë rrënojave të banesës së tij, në një ndërtesë shumëkatëshe në Kampin e refugjatëve në Rripin e Gazës. Ky ishte më i madhi prej Kampeve dhe me popullsi të dendur.

    Familja e tij e gjerë tani është vendosur në tenda, të cilat ofrojnë mbrojtje të pakët nga të ftohtit në mes të dimrit në Gazë.

    Të martën vonë autoritetet e “Hamasit” në Gazë kanë njoftuar se shumica prej 650 mijë palestinezëve të zhvendosur nga veriu për shkak të luftës janë kthyer në qytetin e Gazës dhe në skajin verior të enklavës nga zonat në jug ku luftimet ishin më pak intensive dhe shkatërruese.

    Shumë nga ata që po kthehen, shpesh të ngarkuar me plaçka personale që u kishin mbetur pas muajsh të tëra lëvizjesh, kishin ecur 20 kilometra ose më shumë përgjatë autostradës bregdetare.

    Fahad Abu Jalhoum u kthye me familje në Jabalia nga zona Al Mawasi në Gazën jugore, por shkatërrimi ishte aq i madh, saqë ishin detyruar të ktheheshin në jug.

    “Janë thjesht fantazma pa shpirtra (në veri).” – ka thënë Abu Jalhoum për Reutersin në Al Mawasi. “Të gjithë na ka marrë malli për veriun, por kur shkova atje u trondita. Kështu që u ktheva në (jug), derisa të kemi ndonjë lehtësim nga Zoti”.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • AfD-ja, me votimin e mocionit ndaj azilit, dridh Parlamentin gjerman

    Parlamenti gjerman është përfshirë në fjalosje dhe akuza fajësie, pasi u shkërmoq “muri i zjarrtë” që ishte ngritur kundër bashkëpunimit me partinë e së djathtës ekstreme – raporton transmetuesi britanik BBC.

    Një mocion jodetyrues që bën thirrje për rregulla më të serta të kontrollit kufitar dhe të azilit kaloi me mbështetje të partisë së djathtë ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Gjatë seancës së zjarrtë, politikanë të partive të ndryshme patën kritika dhe fajësuan njëra-tjetrën.

    Lideri i konservatorëve të CDU-së, Fiedrich Merz, i cili shtroi planet, i ka mbrojtur si “të domosdoshme”. Por, kancelari socialdemokrat, Olaf Scholz, e qortoi lëvizjen si “gabim të pafalshëm”.

    Merzi planifikon të propozojë sot legjislacion – përsëri me mbështetje të AfD-së – me synim të frenimit të numrit të emigrantëve dhe të drejtave të bashkimit familjar.

    Por, masat e tij të propozuara zor se do të futen në fuqi para Zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit – dhe nëse po – atëherë do të binin ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian.

    Duke iu referuar mbështetjes së AfD-së për mocionin, lideri i CDU-së ka deklaruar në Bundestag se një politikë nuk është e gabuar vetëm pse “e mbështesin njerëzit e gabuar”.

    “Sa fëmijë janë bërë viktima të akteve të tilla të dhunës para se ju të besoni se ka një kërcënim për sigurinë dhe rendin publik?” – ka pyetur ai.

    Lideri i CDU-së, i cili llogaritet se do të jetë Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, pasi partia e tij prin në anketime, ka ngulmuar gjithashtu se as nuk e ka kërkuar e as nuk e dëshiron përkrahjen e AfD-së.

    “Të mendosh se si fraksioni i AfD-së do të gëzohet dhe fytyrat e tyre do të lumturohen, më bën të ndihem në siklet.” – ka deklaruar ai para deputetëve.

    Kancelari Scholz – një socialdemokrat koalicioni i të cilit ra vjet – i ka qortuar ashpër veprimet e Merzit.

    “Që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë mbi 75 vjet më parë ka pasur gjithmonë konsensus të qartë midis të gjithë demokratëve në Parlamentet tona: ne nuk bëjmë kauzë të përbashkët me të djathtën ekstreme.”

    Debati tashmë i tensionuar i Gjermanisë mbi emigracionin është ndezur pas një serie sulmesh fatale, ku të dyshuarit ishin azilkërkues, së fundmi në qytetin Aschaffenburg.

    Është kthyer në çështjen qendrore në fushatën për Zgjedhjet – shkaktuar nga prishja e koalicionit qeverisës të Scholzit.

    Mocioni i CDU-së i së mërkurës, i mbështetur nga AfD-ja dhe FDP-ja liberale, bën thirrje për “ndalim” të kujtdo që tenton të hyjë në Gjermani pa dokumentet e duhura, por nuk mund të detyrojë Qeverinë aktuale të pakicës të veprojë.

    Është e vështirë të mbivlerësohet rëndësia e murit të zjarrit kundër së djathtës ekstreme në kulturën politike gjermane. Përkujtimi i Holokaustit luan një rol themelor në Gjermaninë moderne.

    Para votimit të së mërkurës, Bundestagu mbajti përkujtimin e tij vjetor për viktimat e nazistëve, ku 88-vjeçari i mbijetuar i Holokaustit, Roman Schwarzmann iu drejtua Parlamentit.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Përpjekjet e presidentit Trump për të hequr të drejtën e shtetësisë përmes lindjes

    Urdhri Ekzekutiv i presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund të drejtës së shtetësisë përmes lindjes në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar një debat ligjor dhe politik rreth kompetencave të pushtetit ekzekutiv dhe Amendamentit të 14 të Kushtetutës amerikane, i cili garanton shtetësinë për këdo që lind në tokën amerikane. Ky rregull ka qenë shumë i rëndësishëm për të drejtat civile, që nga ratifikimi i tij në vitin 1868.

    Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, e hartuar në fund të shekullit të 18-të, ia la Kongresit pjesën më të madhe të vendimmarrjes për çështjen e imigracionit dhe shtetësisë.

    Por, presidenti Donald Trump ka nënshkruar një Urdhër Ekzekutiv që i jep fund të drejtës automatike të shtetësisë për ata që lindin në Shtetet e Bashkuara.

    “Ne jemi i vetmi vend në botë që ofrojmë këtë të drejtë në lindje. Kjo është absolutisht qesharake. Ne mendojmë se kemi baza shumë të mira dhe disa njerëz kanë dashur ta bëjnë këtë për dekada.” – tha ai.

    Kritikët e Urdhrit Ekzekutiv të presidentit Trump thonë se Amendamenti i 14 është një gurthemel i të drejtave civile dhe nuk mund të ndryshohet nga një President i Shteteve të Bashkuara.

    “Fillimisht, synimi i Amendamentit ishte që skllevërit afrikano-amerikanë të merrnin shtetësinë dhe më pas kjo e drejtë u çimentua me një Vendim të Gjykatës së Lartë. Amendamentet e Kushtetutës dhe të drejtat kushtetuese nuk mund të hiqen nga një President. Ato mund të hiqen vetëm nga Kongresi dhe për këtë arsye Urdhri Ekzekutiv është i paligjshëm.” – thotë Tuyet Duong nga Forumi Kombëtar i Grave Amerikane të Azi-Paqësorit.

    Megjithatë, mbështetësit e Urdhrit Ekzekutiv argumentojnë se është e nevojshme të rivendoset drejtësia në Sistemin e imigracionit.

    “Presidenti Trump e ka bërë të qartë se rivendosja e drejtësisë në sistemin tonë të imigracionit dhe mbrojtja e qëllimit të vërtetë të Amendamentit të 14 janë thelbësore për vizionin e tij, për ta bërë Amerikën sërish madhështore. Urdhri i tij Ekzekutiv historik për t’i dhënë fund të drejtës së shtetësisë përmes lindjes, përbën një hap kritik përpara.” – thotë ligjvënësi republikan nga Teksasi, Brian Babin.

    Urdhri Ekzekutiv përballet me sfida të mëdha ligjore – përfshirë shumë padi për bllokimin e tij. Prokurorët e përgjithshëm demokratë nga 22 shtete kanë ngritur një padi – duke argumentuar se Urdhri shkel Amendamentin e 14 të Kushtetutës amerikane.

    “Gjykata e Lartë e rikonfirmoi atë në një rast që përfshinte një grup të madh emigrantësh kinezë – duke pohuar se Amendamenti i 14 vlente edhe për këta njerëz dhe ata më pas ishin në gjendje të merrnin shtetësinë.” – thotë Tuyet Duong nga Forumi Kombëtar i Grave Amerikane të Azi-Paqësorit.

    Një gjykatës federal në Siatëll e ka bllokuar përkohësisht zbatimin e Urdhrit të Presidentit Trump për shtetësinë përmes lindjes. Nëse çështja arrin në Gjykatën e Lartë, Vendimi i saj mund të krijojë bazën ligjore në vend për çështjen e shtetësisë. Nëse Urdhri lejohet të hyjë në fuqi, të sapolindurit dhe ata që nuk kanë marrë çertifikatat e lindjes dhe numrat e sigurimeve shoqërore do të ndikoheshin menjëherë nga zbatimi i tij./ VOA