Kategori: Lajme

  • Haradinaj premton zgjidhje për furnizimin me ujë në 15 komuna të Kosovës

    Kandidati për Kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka publikuar një nga premtimet e tij në kuadër të programit politik me të cilin garon në zgjedhjet parlamentare.

    Haradinaj ka premtuar ndërtimin e tetë digave në disa fshatra të Kosovës që sipas tij do të furnizojnë me ujë 15 komuna të Kosovës e do të zgjidhin problemin e furnizimit me ujë për njëqind vitet e ardhshme.

    “Jemi të vendosur ta bëjmë këtë zotim realitet, sepse është një detyrim ndaj Kosovës” – ka shkruar Haradinaj në Facebook, më 31.01.2025.

    Ndërtimi i digave që premton Haradinaj është paraparë në Strategjinë shtetërore për Ujërat.

    Digat të cilat Haradinaj premton se do t’i ndërtojë dhe në bazë të të cilave do të furnizohen komunat e Kosovës janë:

    • Ndërtimi i digës në lumin Lepenc në fshatin Firajë – furnizim me ujë për komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë, Shtime dhe Lipjan.
    • Ndërtimi i digës në lumin Manastircë, afër fshatit Reçan – furnizim me ujë për komunën e Prizrenit.
    • Ndërtimi i digës në Dragaçinë – furnizim me ujë për komunën e Suharekës.
    • Ndërtimi i digës në Lloqan – furnizim me ujë për komunën e Deçanit.
    • Ndërtimi i digës së Pollatës – furnizim me ujë për komunat Prishtinë dhe Podujevë.
    • Ndërtimi i digës së Kuqicës – furnizim me ujë për komunat Drenas dhe Skenderaj.
    • Ndërtimi i digave të Kremenadës ose Desivojcës – furnizim me ujë për komunën e Kamenicës.
    • Ndërtimi i digës në Shushë të Vitisë ose në Pogragjë të Gjilanit – Përmes studimit të fizibilitetit do të përcaktohet cila prej këtyre digave është më e përshtatshme për furnizimin me ujë të komunave Gjilan e Viti.

    Haradinaj ka shtuar se përveç ujit të pijshëm, digat do të shërbejnë edhe për ujitjen e tokave bujqësore, prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve dhe zhvillimin e zonave rekreative.

    “Programi i koalicionit për Kosovën Fituese përmban konceptet inxhinierike të gatshme për zbatimin e këtyre projekteve” – ka theksuar Haradinaj.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

     

  • VIDEO – MINT rikthen Qendrën e Panaireve në Bërnicë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se e kanë rikthyer Qendrën e Panaireve të Republikës së Kosovës në Bërnicë, e cila pretendohet se i ishte dhënë për shfrytëzim falas operatorit ekonomik “Grand Media Entertainment” Sh.P.K në vitin 2019.

    Njoftimi i MINT është publikuar në Facebook bashkë me një video-mesazh në të cilin paraqitet udhëheqësja e kësaj Ministrie, Rozeta Hajdari duke prezantuar objektin e Qendrës së Panaireve nga brenda.


    Sipas ministres Hajdari, objekti dykatësh i Qendrës së Panaireve me sipërfaqe prej 5,600 metër katror dhe me 350 parkingje, i vendosur në një sipërfaqe 11.36 hektarë në Bërnicë, është ndërtuar me investimet kapitale prej 4 milionë euro të buxhetit të Kosovës nga ish-Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

    Hajdari tregon se kishte pasur një marrëveshje të nënshkruar mes ish-MTI dhe operatorit ekonomik “Grand Media Entertainment” Sh.P.K më 11.09.2019 për ta shfrytëzuar falas objektin e Qendrës së Panaireve me qëllimin për t’i promovuar bizneset vendore përmes panaireve. Por, ministrja deklaron se marrëveshja nuk është realizuar.

    “Por, në realitet marrëveshja e nënshkruar me operatorin ekonomik “Grand Media Entertainment” me ish-Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nuk ishte realizuar. Ku si rezultat me raportet e vlerësimet të auditorit të brendshëm dhe raportet e komisionit vlerësues kanë konstatuar se të gjitha objektivat e kësaj marrëveshje që ishin paraparë në këtë kontratë nuk ishin përmbushur” – ka thënë Hajdari, më 30.01.2025.

    Në video-mesazhin e Hajdarit, shihen edhe disa zyrtarë të MINT, me të cilët ajo flet dhe shfaqen disa pamje të dyshmes së çarë në katin e parë të objektit të Qendrës së Panaireve.

    Hajdari madje tregon se si është interesuar dhe i ka kontaktuar komunitetet e bizneseve për t’i pyetur nëse kanë pasur bashkëpunim me operatorin “Grand Media Entertainment” Sh.P.K në Qendrën e Panaireve, dhe sipas ministres ata janë përgjigjur se “asnjëherë nuk kemi mundur të realizojmë panair”.

    “Dhe kur i pyta prapë – po a keni pasë ndonjë bashkëpunim që të paktën me fillu njëherë në vit, përgjigjja ishte që as 40% e hapësirës nuk na është ofru, duke na ofru disa hapësira me disa ndërprerje” – ka thënë Hajdari.

    Hajdari ka shtuar se me 25.11.2024 kishin marrë vendimin për shkëputjen e marrëveshjes me operatorin “Grand Media Entertainment” Sh.P.K për shfrytëzimin e objektit të Qendrës së Panaireve.

    “Dhe me 15.01.2025 ne morëm objektin në kontroll me ndihmën e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së tregut duke regjistruar të gjitha asetet dhe duke siguruar objektin e Qendrës së Panaireve” – ka treguar Hajdari.

    Tutje, në fund të video-mesazhit të Hajdarit shihet se zyrtarët e MINT e vendosin një letër në dyert e objektit të Qendrës së Panaireve në të cilën shkruan “Ndërprerje e përkohshme e veprimtarisë”.

    KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me pronarin e kompanisë “Grand Media Entertainment” Sh.P.K, Enis Ujkani, i cili e ka pohuar pozitën që ka në këtë kompani, por pasi është njoftuar se arsyeja e kontaktimit të tij ishte për videon që ka publikuar MINT në Facebook, ai e ka mbyllur telefonin dhe nuk është përgjigjur më.

    Megjithatë, KALLXO.com ia ka dërguar pyetje me shkrim Ujkanit dhe deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje nga ai.

    Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 23.05.2019, Qeveria në atë kohë kishte marrë vendim që të jap në shfrytëzim Qendrën e Panaireve në Bërnicë.

    Në atë kohë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kishte thënë se kjo po bëhet me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës.

    “Në kuadër të pronave që janë në pronësi të MTI janë edhe 3 objekte, MTI është e interesuar edhe për objekte tjera që mundësojnë zhvillimin ekomomik dhe krijimin e vendeve të punës. Objektet në Bernicë janë ndërtuar më herët dhe nuk janë në shfrytëzim” – kishte thënë ish-ministri Shala, më 23.05.2019.

  • Organizimi i ligjëratave në tre grupe të studentëve të Mjekësisë, krejt çka u tha në mbledhjen e Senatit të UP-së

    Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës pritet që semestrin veror të vitit akademik 2024/2025 ta fillojë me një grup të tretë të studentëve për ligjërata në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme.

    Grupi i tretë për ligjërata do të formohet për studentët e vitit të parë, dytë dhe tretë, të cilët studiojnë në Mjekësi të Përgjithshme.

    Formimi i grupit të tretë të studentëve të Mjekësisë për ligjërata vjen pas një kërkese që Fakulteti i Mjekësisë ia ka parashtruar Senatit të UP-së vitin e kaluar (2024) për këtë çështje. Kjo kërkesë u shqyrtua në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 29.01.2025.

    Dy nga arsyet e Fakultetit të Mjekësisë në UP për formimin e grupit të tretë të studentëve për ligjërata janë se – i kanë të regjistruar 200 studentë në Mjekësi të Përgjithshme që nga viti akademik 2022/2023 dhe janë të ndarë në dy grupime, si dhe duan të sigurojnë cilësi në mësimdhënie apo mësim efektiv.

    Kërkesën për miratimin e organizimit të ligjëratave në tre grupime për studentë të Mjekësisë së Përgjithshme, Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë e ka bazuar në nenin 15-të të rregullores së UP-së për të ardhurat personale të personelit akademik të datës 12.10.2023, ku flitet për përcaktimin e grupeve në studime Bachelor.

    Por, rregullorja e UP-së e datës 12.10.2023 nuk ka të bashkangjitur pjesën e tabelave me grupime të studentëve për ligjërata në njësitë akademike, ashtu siç e ka rregullorja e mëhershme e datës 22.10.2021 dhe ajo e plotësuar e ndryshuar e datës 22.09.2022, të tri këto rregullore për të ardhurat personale të personelit akademik në UP.

    Në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 29.01.2025, formimi i grupit të tretë ka ngjallur debat mes dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Sefedin Muçaj dhe prorektores për financa në UP, Albana Berisha-Qehaja, pasi të dy nuk shprehën mendimet e njëjta se do të ketë apo jo implikime buxhetore në UP, me angazhimin e stafit akademik në grupin e tretë të studentëve për ligjërata.

    Kurse, prorektori për mësimdhënie në UP, Naim Jerliu, i cili edhe vjen nga Fakulteti i Mjekësisë, duke u bazuar në shpjegimet e dekanit Muçaj gjatë mbledhjes së Senatit të UP-së, u shpreh se në semestrin e dytë të vitit akademik 2024/2025 nuk do të ketë implikime buxhetore.

    Një ditë para mbledhjes së Senatit të UP-së, më 28.01.2025, KALLXO.com u ka dërguar disa pyetje të gjithë senatorëve dhe menaxhmentit të Rektoratit në UP, në lidhje me angazhimin e stafit akademik në rast të formimit të grupit të tretë të studentëve për ligjërata, si dhe ndikimin apo mos-ndikimin e këtij angazhimi në buxhetin e UP-së.

    KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje nga senatorët dhe Rektorati i UP-së deri në publikimin e këtij lajmi.

    200 studentë të Mjekësisë në tre grupime për ligjërata me nga 70 studentë

    Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në UP, Sefedin Muçaj në mbledhjen e Senatit të UP-së tha se i kanë bërë dy kërkesa në Senat për miratimin e organizimit të ligjëratave në tre grupime për studentët e vitit të parë, dytë dhe tretë të Mjekësisë së Përgjithshme.

    Sipas dekanit Muçaj, kërkesën e parë e kanë bërë më 10.10.2024, në të cilën kanë pasur propozime për miratimin e grupimeve sipas drejtimeve, por pastaj e kanë dërguar një kërkesë tjetër me një elaborat të detajuar e argumentuar se pse u janë drejtuar si njësi akademike Rektoratit e Senatit të UP-së për miratimin e grupit të tretë.

    “Rregullorja 2/343 e 12.10.2023, neni 15 thotë, po e citoj: grupet e studimit dhe numri i studentëve për grup përcaktohet me akt të veçantë i miratuar nga Senati i UP-së” – ka arsyetuar kërkesën e tyre Muçaj, më 29.01.2025.

    Muçaj është bazuar në tabelat e grupimeve të studentëve për ligjërata në Fakultetin e Mjekësisë sipas rregullores të datës 22.09.2022, në nenin 11, ku tha se në vitin e parë dhe dytë duhet të jenë minimumi 10 studentë në ligjërata obligative, kurse maksimumi 50 studentë, ndërsa për vitin e tretë, katër, pestë dhe gjashtë duhet të jenë minimumi 10 studentë, maksimumi 30 studentë.

    Muçaj shtoi se strukturat e mëhershme të menaxhmentit të Fakultetit të Mjekësisë e kanë zbatuar një ligjshmëri në bazë të kësaj rregullore, ku për drejtimin Infermieri që kanë qenë 100 studentë të pranuar, janë ndarë në dy grupe nga 50, kurse për Stomatologji që janë 70 studentë i kanë grupuar nga 35 studentë, e për drejtimin Mjekësi e Përgjithshme tha se është e çuditshme dhe e pashpjegueshme pse i ka 200 studentë dhe është në dy grupime me nga 100 studentë.

    “Pse Mjekësia e Përgjithshme i ka 200 studentë dhe është në dy grupime, që i bie nga 100 studentë që është në kundërshtim me rregulloren, që thotë, tavani duhet të jetë 50 (studentë) dhe ne për me qenë racional, në bazë të kësaj rregullore, ne nuk po thirremi në katër grupime… Ne po jemi më racional, tri grupime që të zbatohet ajo rregullshmëria që është edhe për lëndët, programet tjera” – tha Muçaj.

    Sipas Muçajt, në grupin e tretë të studentëve të vitit të parë, dytë e tretë të Mjekësisë së Përgjithshme do t’i angazhojnë asistentët e rregullt dhe në semestrin e dytë të vitit akademik 2024/2025, implikimi buxhetor në UP me shtimin e këtij grupi është zero.

    “Asistentët e rregullt që janë me PhD ne i angazhojmë përmes mekanizmit që e kemi, përmes Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, me autorizim dhe ata do t’i mbajnë ligjëratat te grupimet aty ku ka nevojë se ne shumicën e katedrave i kemi, që kemi nga 3-4 profesorë, po kemi edhe kur kemi asnjë profesorë… Dhe implikimi zero për semestrin vijues është se këta asistentë do t’i mbajnë ligjëratat pa asnjë buxhet shtesë, por vetëm me rrogën e asistentit” – ka shpjeguar Muçaj.

    “Nëse ata janë zgjedhë njëherë asistentë, nuk kanë të drejtë, duhet m’u zgjedhë edhe njëherë në pozitën e njëjtë për me pas të drejtën për me dhanë mësim” – ka thënë gjatë mbledhjes dekani i Fakultetit Ekonomik në UP, Driton Balaj.

    Pas këtyre shpjegimeve të Muçajt, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu ia ka parashtruar tri pyetje atij. Meqë Muçaj është thirrur rregulloren që përfshinë tabelat e grupimeve të studentëve për ligjërata, Hajrullahu pyeti se pse ka nevojë ta trajtojë Senati i UP-së këtë çështje, meqë paska rregullore.

    Për implikimet buxhetore, Hajrullahu tha se nuk ka çfarë të vendosë Senati sepse atë e vendosë Këshilli Drejtues i UP-së.

    Hajrullahu pyeti se sa është numri i studentëve në ligjërata në Fakultetin e Mjekësisë dhe si mund të rritet cilësia duke i dublifikuar ligjëratat e njëjta në lëndën e njëjtë.

    Muçaj i është përgjigjur Hajrullahut duke përmendur rënien drastike të pjesëmarrjes së studentëve të vitit katër, pestë e gjashtë të Fakultetit të Mjekësisë në ligjërata.

    “E vërtetë është që viti 4, 5 dhe 6 në vitet e fundit rënia është drastike sa i përket pjesëmarrjes në ligjërata, por ne po flasim për vitin e parë dhe të dytë… Dhe vitin e parë, studentët janë të frikësuar dhe vijnë qind për qind” – tha Muçaj.

    Muçaj tha se i kanë 3,145 studentë e 113 profesorë në Fakultetin e Mjekësisë që sipas tij, kanë një mesatare 1:27 sa i përket raportit profesorë-studentë.

    E sipas Hajrullahut, raporti profesorë – studentë në Fakultetin e Mjekësisë është më i miri, pas Fakultetit të Arteve në UP.

    “Diabetin ndryshe mund ta shpjegoj kur i kam 100 studentë dhe ndryshe kur janë tre profesorë të diabetit, e shpjegon paralelisht, prej orës 8 deri në ora 10, tri orë të ligjëratave njëkohësisht, profesori 1, profesori 2, profesori 3 i internos dhe e shpjegon diabetin ndryshe me 50 studentë dhe ndryshe me 100 studentë ku ka zhurmë, kjo është ideja” – ka treguar Muçaj.

    “(S’)Ka implikim buxhetor personeli i angazhuar për ligjërata në grupin e tretë të studentëve të Mjekësisë”

    Sipas prorektorit për mësimdhënie në UP, Naim Jerliu, për rregulloren e miratuar në tetor 2023 për të ardhurat personale të personelit akademik, Senati i kaluar i UP-së e kishte pasur për obligim që ta bëjë një akt të veçantë, në lidhje me tabelat e grupimeve të studentëve për ligjërata në njësitë akademike të UP-së, por nuk e ka bërë.

    Prorektori Jerliu tha se njësitë akademike ndarjen e grupeve për ligjërata dhe ushtrime e bëjnë në bazë të rregullores së UP-së të datës 22.09.2022, e cila është plotësim i rregullores së mëhershme, asaj të vitit 2021.

    “Është fjala për një zbatim të një praktike në të gjitha programet, për të cilën praktikë Fakulteti i Mjekësisë meqë nuk është zbatuar në një program, që ka probleme me numër të caktuar, në këtë rast prej 200 studentëve, që do duhej të ndahej në katër grupime, nuk është zbatu” – tha Jerliu.

    Në bazë të shpjegimeve që i dha dekani Muçaj, prorektori Jerliu tha se semestrin veror të vitit akademik 2024/2025 nuk ka asnjë implikim buxhetor.

    Por, njëjtë nuk mendoi prorektorja për financa në UP, Albana Berisha Qehaja, e cila tha se çdo grup i ri i studentëve që formohet ka implikim financiar.

    “Kjo çështje nuk kalon pa implikime financiare, ju mund ta kaloni në Senat, mirëpo unë besoj që do të bëhet shkelje nëse formohen edhe zgjerohen grupet pa u ditë cilat janë saktë implikimi financiar 2025 e mandej që vjen si radhë edhe për hapjen e pozitave të reja që na e dimë që buxheti i Universitetit të Prishtinës… nuk ka kapacitet” – ka theksuar Berisha-Qehaja.

    Edhe pas kësaj deklarate të prorektores Berisha-Qehaja, dekani Muçaj ka insistuar se në semestrin veror 2024/2025 nuk ka asnjë implikim buxhetor.

    “Derisa ka hy në fuqi Ligji për paga në 2023, buxheti në Fakultetin e Mjekësisë ka qenë diku 3.9 milionë në 2022, ndërsa në 2023 ka qenë diku 2.36 milionë, ndërsa në vitin tash, 1.9 milion. Diferenca e tavanit që është zbritur që Fakulteti i Mjekësisë ka ndiku. Pse? Se kemi rrogë sekondare në Ministri të Shëndetësisë, QKUK, është zvogëluar prej 1.6 deri në 1.9 milion dhe na jemi nën tavan për 1.6 milion dhe të thuhet nga prorektorja për financa që ka implikime buxhetore nuk është e vërtetë se kemi diferencën 1.6, 1.9 milion të zvogëluar” – ka reaguar Muçaj.

    Si përfundim, rektori Hajrullahu tha se nuk mund të marrin vendim në lidhje me kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë për shtimin e grupit të tretë të studentëve për ligjërata, pasi vlerësoi se si njësi akademike kanë autonomi që të vendosin për këtë çështje, kur nuk ka implikim buxhetor.

    “Ne nuk mundemi me sjell kurrgjë në këtë rast, vendim, mirëpo praktika qenka, ju lutem e keni edhe autonominë si njësi akademike edhe njëherë e përsëris, që ne, as unë, as ju, nuk mundemi me ndërmarrë praktika kur ka implikime buxhetore se është trupë tjetër (Këshilli Drejtues i UP-së)” – tha Hajrullahu.

    Pas kësaj fjale të rektorit Hajrullahu, dekani Muçaj ka dhënë një sqarim duke thënë se kërkesa e tyre për shtimin e grupit të tretë të studentëve për ligjërata është një njoftim për Senatin e UP-së për formimin e këtij grupi.

    “Me sa po e kuptoj, ndoshta e kam keqkuptuar, d.m.th nuk ka pasë nevojë, atëherë po mbetet kështu, po e riformulojë – njoftim i Senatit për ndarjen e rigrupimeve që njësia akademike është autonome m’i nda, sikur se që ka ndodhë me njësitë tjera akademike” – tha Muçaj.

    Hajrullahu pastaj tregoi se është njoftuar që është një komision duke punuar në rregulloren e re të UP-së për të ardhurat personale të personelit akademik, për të cilën apeloi që sa më shpejt të finalizohet.

    Prorektorja Albana Berisha-Qehaja ia ka përmendur dekanit Muçaj se kërkesa shtesë e elaboratit që kanë marrë nga Fakulteti i Mjekësisë ka kalkulime financiare të profesorëve që pritet t’i mbajnë ligjëratat për grupin e tretë të studentëve.

    “Kërkesa prej Fakultetit të Mjekësisë, nuk është ardhur vetëm për formimin e grupit, po njëkohësisht janë ba kalkulime financiare. Është mirë prej tyre, po s’është kompetencë e tyre. Janë ba kalkulime financiare qysh kanë m’u pagu, qysh janë kah paguhen e gjana. Kjo është brenga jem, në momentin që vjen një propozim me implikime financiare nuk është çështje që duhet të vendosë Senati” – potencoi Berisha-Qehaja.

    “Ato janë për planifikim për të ardhmen, jo për semestrin e dytë” – i është përgjigjur Muçaj, prorektores Berisha-Qehaja.

    Në kohën kur ishte paraqitur kërkesa e parë e Fakultetit të Mjekësisë në tetor, 2024, për organizimin e grupimeve të studentëve për ligjërata, kishte reaguar Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), më 23.10.2024, duke thënë se punësimi i profesorëve asistentë dhe asistentëve të rinj do të mund të çojë në përmbushjen e kuotave të lejuara nga Ministria e Financave për Universitetin e Prishtinës dhe si rrjedhojë ta bëjë të pamundshëm hapjen e vendeve të reja të nevojshme në të ardhmen në tërë Universitetin.