Kategori: Lajme

  • LVV mban tubim me vajza dhe gra, Kurti: Zotohemi që do të jemi përherë pranë juve

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare, më 29.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral me vajza dhe gra në Prishtinë.

    Kurti tha se gratë shqiptare përgjatë gjithë historisë kanë luftuar kundër pushtuesve të jashtëm, kanë flakur tutje konceptet partiarkale, janë angazhuar për ndërtimin e një shoqërie të lirë e të drejtë, bashkë më shumë burra.

    Ai ka bërë thirrje t’u jepet guxim vajzave që votojnë për herë të parë dhe mbështetje për gratë e moshuara që të degjohet edhe zëri i tyre.

    “Më 9 shkurt çohuni herët, merrni nënat, motrat, vajzat, shoqet, gjyshet, vjehrrat, baballarët, dilni në votime dhe tregoni se gratë e Kosovës e kanë vendosur të lëvizin vetë. Me vendosmëri, me guxim për veten tuaj. Numri 118 sjell barazi, liri, sovranitet e dinjitet”- u shpreh ai.

    “Zotohemi që do të jemi përherë pranë juve e bashkë me juve”- tha ai.

    Kandidatja për deputete e LVV-së, Albulena Haxhiu, e nisi fjalimin duke thënë se ky është tubimi më i madh ndonjëherë i mbajtur vetëm me vajza dhe gra.

    “Në këto katër vite kemi ndërtuar politika që kanë krijuar më shumë mundësi për gratë. Me qeverinë Kurti 3 do të bëjmë edhe më shumë për gratë e vajzat e vendit tonë. Ne nuk kërkojmë favore, as përparësi. Ne gratë dhe vajzat e Kosovës kërkojmë barazi, që puna jonë të vlerësohet, zëri ynë të dëgjohet, vendimet të mos merren pa vajzat dhe gratë. Ka ende barriera dhe mungesë të barazisë të cilën do ta ndryshojmë me votën e 9 shkurtit”- ka thënë ajo.

    Haxhiu u ka kërkuar grave të dalin masivisht në votime për zgjedhjet e 09.02.2025.

    Kandidati për deputet, njëherazi ministër i Financave, Hekuran Murati, ka folur për shtesat për lehona dhe fëmijët dhe rritjen e pagës minimale.

    “Jemi Qeveria e vetme që ka pasur në qendër të prioriteteve fuqizimin ekonomik të vajzave dhe grave. Shumica e grave në vend e bëjnë punën e gruas, nënës dhe punën prej të cilës marrin rrogë si profesioniste”- ka thënë Murati.

    Murati ka thënë se puna e nisur për fuqizimin e grave do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, duke theksuar premtimin për platformën e punësimit “Superpuna për Gratë”.

    Partitë politike në Kosovë nuk kanë sjellë risi sa i përket barazisë gjinore në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Listat zgjedhore të subjekteve politike të publikuara më 11.12.2024 edhe në këto zgjedhje janë të dominuara nga burrat.

    Të gjitha subjektet politike janë kujdesur për respektimin e kuotës 30 për qind për përfaqësim të grave, por në këto lista gratë nuk janë të përfaqësuara barabartë 50/50 sipas Ligjit për Barazi Gjinore.

    Partia më e madhe në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, nga 110 kandidatë ka 41 gra kandidate për deputete, që i bie 37 për qind.

    Liderët e partive politike në Kosovë jo rrallëherë kanë folur për rëndësinë e barazisë gjinore në shoqëri e institucione, madje disa prej tyre edhe kanë premtuar 50 për qind gra në pozita udhëheqëse.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Grave të LVV-së më 15.09.2024, pati thënë se krenohet me përparimin që Kosova ka pasur kur vjen puna te Parlamenti e Qeveria.

    Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

    Partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të enjten

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se të enjten, më 30.01.2025, do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë

    1.

    Nga TS 35/10kV Mazgit do të ndërprehet:

    LP 35kV Koliq  (H04) pa tension mbesin daljet 35kV – bizneset Koliq  prej orës 10:00  deri në ora 13:00.

    Vendet: SH.P.K.-LLC”APOLLONIA”  Fabrikë e Tjegullave dhe Europlast-Siqevë.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, përforcimi i urave në shtylla.

    Pejë

    1.

    Nga Stabilimenti 10[kV] Klina do të ndërprehet:

    Dalja  10[kV] Volljaku( kodi: 52000102 ) nga ora 11:00 deri në ora 13:00

    Vendet: fshatrat: Deiq (një pjesë), Volljakë dhe Zajm.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri – pastrim traseje, lokacioni  Grabonicë.

    Prizren

    1.

    Nga NS 110/35/10 kV Theranda do të ndërprehet:

    Dalja 10kV  Rruga e Reçanit (kodi: 32000005) nga ora 10:00 deri 15:30

    Vendet: pjesët periferike të Therandës (rr.Reçani); Banesat e Benafit, Banesat e Inxhinieringut, Banesat te Viva, lagjja Hoxha I dhe II.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri – bartja e rrjetit në shtylla të reja  të tensionit të mesëm, rr. Xhavit Syla -Therandë.

    1.

    Nga NS 110/35/10 [kV] Prizreni 1 do të ndërprehet:

    Dalja 10 [kV] Bodrumi (kodi: 30000014) prej ores 09:00 deri 09:30  dhe nga ora 15:00 deri 17:00

    Vendet: fshatrat: Atmaxhë, Gjonaj, Karashëngjegji, Kojushë, Mazrek, Nashec dhe Zym i Hasit.

    Arsyeja: Krijimi i kushteve të punës pa tension, largimi i urave të tensionit të mesëm.

    2.

    NS 110/35/10 [kV] Prizreni 1

    Nga Dalja 10 [kV] Bodrumi do të ndërprehen prej ores 09:00 deri 17:00

    NS 10/0.4[kV]TS -Nasheci 2 (kodi: 30000014004)

    NS 10/0.4[kV] TS -Pompat e ujit (kodi: 30000014005)

    Vendet: fshatrat: Atmagjë, Gjonaj, Karashëngjegji, Kojushë, Mazrek, Nashec dhe Zym i Hasit.

    Arsyeja: Punime ne projektet e Lot 16 Nasheci 2, ndërrimi i konzollave, izolatorëve dhe përçuesit të tensionit të mesëm.

    1.

    Nga NS 35/10 [kV] Zhuri do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Dobrusht Gorozhup (kodi: 30035008) nga ora 12:00 deri në ora 16:00

    Vendet: fshatrat: Dobrushtë, Gorozhup dhe Planejë.

    Arsyeja: Ngritja e shtyllës nen tension me të gjitha pajisjet përcjellëse.

    Ferizaj

    1.

    Nga NS 35/10[kV] Ferizaj II do të ndërprehet:

    Dalja 10 [kV] Sillosi (kodi: 40041001) nga ora 09:00 deri 13:00

    Vendet: rrugët: Reçaku, Driton Islami, Xhevë Lladrovci, 28 Nentori, Ramadan Rexhepi, Epopeja e Jezercit.

    Arsyeja: Punët që duhen të kryhen, sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar.

    Mitrovicë

    1.

    Nga NS 110/10 [kV] Vushtrria 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] J08  Qytet e Fshatra  (Kodi: 73000003) prej orës 09:00 deri në ora 17:00

    Vendet: Rrugët: Adnan Shyti, Ahmet Selaci, Arsim Tahiri (njëpjesë), Avni Rrustemi, Basri Beqiri (njëpjesë), Drini i Bardhë (njëpjesë), Ganimete Terbeshi (njëpjesë), Gjergj Kastrioti Skenderbeu, Hamdi Gashi (njëpjesë), Haxhi Zeka (njëpjesë), Faruk Beqiri (njëpjesë), Sahit Avdyli (njëpjesë) dhe Shote Galica. Fshatrat: Banjska, Dobërllukë, Kçiç i Madhë, Pasomë, Sllatinë, Smrekonicë dhe Tërllabuç.

    Arsyeja: Projekte investive, demontim i rrjetit te vjetër,  vendosja e rrjetit të ri në shtylla ekzistuese, ngritja e shtyllave nën tension.

    2.

    Nga NS 110/10(20) [kV] Skenderaj do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Qirezi (kodi: 74000004) prej orës 08:30 deri 17:00

    Vendet: fshatrat: Baks, Dashevc (një pjesë), Gllanasellë, Godanc, Godanc- lagjet: Berbatovci dhe Gërguri,  Gradicë, Gradicë – Lagjet: Bardhi, Dervisholli, Fazliu, Muja, Selmani, Sukaj dhe Uka, Kozhicë, Krasaliq, Krasmirovc, Prelloc, Qirez, Polac – lagjet: Gruda, Gucati, Hoti, Kabashi, Kerolli, Koca, Makolli, Myftari, Uka, Veliu, Xami dhe Koca si dhe Likoshani – lagjet: Avdulli, Gjeli, Hasani, Miftari, Neziri, Zukaj dhe Zymeri.

    Arsyeja: Projekte investive.

    Gjakovë

    1.

    Nga NS 35/10 [kV] Malishevë  do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] J06 Malisheva (kodi: 82082004) prej orës 08:00 deri në ora 17:00

    Vendet: rrugët: 535 Prof.Hamdi Berisha, 554 Viliam Voker, 601 Sheshi i Dëshmorëve, 602 Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, 603 Adem Jashari, 604 Imer Krasniqi, 605 Rilindja Kombëtare, 606 Pavarësia, 608 Hamdi Berisha, 610 Hizri Mazreku, 611 Jahir Mazreku. 612 Uiliam Uoker; fshatrat: Burim, Carallukë (një pjesë), Dardania, Gërmiz, Lubizhdë (1 konsumator) dhe Senik (1 konsumator).

    Arsyeja: Projekte investive, montimi i TS Keku, montimi i kthinave, montimi i ormanit të tensionit të ulët, punimi i lidhëseve, punimi i kokave, energjizimi në rrjet të ri si dhe punime tjetra elektrike në kuadër të Lot 20-Malishevë.

    1.

    Nga NS 35/10[kV]  Xërxa do të ndërprehet:

    Dalja 10 [kV] Podrumi (kodi: 82081008) nga ora 09:00 deri 14:00

    Vendet: fshatrat: Bellacërkë (një pjesë), Berjakë dhe Sapniq (një pjesë).

    Arsyeja: Ngritja e shtyllës në nivelin e duhur, sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar.

  • Abdixhiku në Prizren, premton mësim tërëditor, çerdhe, stadium e spital

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 29.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Prizren.

    Ai ka thënë se në këtë rrugë të re LDK-ja e ka për detyrë që të ëndërrojnë shumë, e të fitojnë me dinjitet.

    Teksa ka kritikuar Qeverinë aktuale, lideri i LDK-së premtoi para qytetarëve të Prizrenit ndërtimin e çerdheve të reja dhe një sërë investime të tjera.

    “Do të ndërtojmë tetë çerdhe të reja, do të ju ndihmojmë në mësim tërëditor që fëmijët të qëndrojnë 8 orë në shkollë. Një stadium modern të futbollit do ta keni për qytetin tuaj të bukur. Mbi 10 milionë euro për spitalin tuaj”- u shpreh ai.

    Ai ka përseritur zotimin për investime e rritje të koeficientit të pagave.

    “Në programin tonë kemi 5 miliardë euro investime. Që në javën e parë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë do t’u rriten pagat me koeficient 150 euro. Do e ndërtojmë Spitalin e ri të Kosovës. Me pajisje të reja, trajtim modern i njerëzve tanë”- tha ai.

    “Për një kohë të gjatë e kemi parë vendin tonë teksa humb mundësitë e destinuara nga historia, që zhytet në ndarje e përçarje të brendshme. Kësaj marrëzie kolektive duhet t’i dalim në ballë të gjithë, kjo nuk është Kosova jonë”- ka shtuar Abdixhiku.

    Mësimi tërëditor aktualisht po aplikohet në disa shkolla në Prishtinë, dhe vlen për nxënësit e klasave 1-5.

    Mësimi fillon në ora 07:45 deri rreth orës 15:00. Gjatë kësaj kohe, nxënësit kanë një shujtë të drekës, e cila është e financuar nga Komuna.

    Me fillimin e vitit shkollor 2024/2025, më 02.09.2024, mësimin tërëditor e kanë implementuar dhe vazhdojnë me këtë formë të mësimit dy shkolla fillore të mesme të ulëta në kryeqytet – Shkolla Model “Qamil Batalli” dhe “Shkolla e Gjelbër”.

    Lumir Abdixhiku, kandidat i LDK-së për kryeministër në një intervistë për “Kallxo Përnime” ka thënë se Vetëvendosja është pozicionuar kundër mësimit gjithëditor në shkollat e Prishtinës.

    Ai ka thënë se Vetëvendosja është munduar të ndërpresë këtë reformë që po realizohet në pesë shkolla të Prishtinës përmes një rregulloreje.

    Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

    Partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.