Kategori: Lajme

  • Të shtëna me armë në Pejë, gëzhoja e njolla gjaku në vendin e ngjarjes

    Të shtëna me armë zjarri dyshohet të kenë ndodhur pasditën e së mërkurës (29.01.2025) në rrugën “Bill Clinton” afër Spitalit të të Verbërve, në Pejë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se një zyrtar policor ka identifikuar në vendin e ngjarjes gëzhoja e njolla të gjakut.

    “Rreth ores 14:52 minuta një zyrtar policor i cili derisa ishte duke ecur në rrugën “Bill Clinton” në afërsi të Spitalit të të Verbërve ka hasur në disa gëzhoja dhe njolla të gjakut. Zyrtari policor menjeherë ka njoftuar policinë dhe në vend ngjarje kanë dalë njësitet policore, të cilat janë duke u marrë me rastin. Tani për tani kemi vetëm këto të dhëna dhe se po merremi me rastin”- tha Gashi për KALLXO.com.

  • Vdes një person pas lëndimeve që mori gjatë manovrimit me paragllajd në Istog

    Një person ka vdekur pas lëndimeve të marra pas manovrimit dhe riparimit të një paragllajdi në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Sine të Istogut, më 29.01.2025 – ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Personi ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pas lëndimeve të rënda, që iu shkaktuan gjatë manovrave me paragllajd.

    Policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.:45 në fshatin Sine, kur një person derisa ishte duke manovruar-riparuar një paragllajd në oborrin e shtëpisë së tij ka pësuar lëndime të rënda trupore.

    “Në vendngjarje kanë dalë Njësitet kompetente policore, Prokurori i Shtetit dhe autoambulanca, e cila e ka transportuar të lënduarin për në Spitalin Rajonal në Pejë. Për shkak të gjendjes së rëndë, viktima  është dërguar për tretman në QKUK në Prishtinë, ku më pas është konfirmuar se ka ndërruar jetë.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Lajmin për vdekjen e personit e ka konfirmuar edhe Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente të QKUK-së.

    Syla ka thënë për KALLXO.com, se tashmë i ndjeri ishte dërguar në QKUK, rreth orës 13:00 dhe kishte plagë të rënda.

    “I ndjeri është sjellë rreth orës 13:00, në QKUK me lëndime të rënda dhe pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra të renimacionit profesional nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.” – ka thënë drejtori Syla.

    Policia ka thënë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë u kthehet familjarëve për ceremoninë e varrimit.

  • 20 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Sudanin Jugor

    Një fluturake e vogël që po bartte punëtorë të industrisë së naftës në Sudanin Jugor është rrëzuar të mërkurën, më 29.01.2025, duke lënë të vdekur 20 persona – bën të ditur për Reuters një zyrtar vendas.

    Aeroplani është përplasur në Aeroportin e Kompanisë shtetërore të naftës në mëngjes, derisa po ngrihej drejt kryeqytetit Juba – ka bërë të ditur ministri i Informacionit Gatvech Bipal.

    Bipal ka thënë se pasagjerët ishin punëtorë të Kompanisë GPOC – Konzorcium që përfshin Korporatën Kombëtare Kineze të Naftës dhe Kompaninë shtetërore të Sudanit.

    Ai ka thënë se në mesin e të vdekurve ishin edhe dy shtetas kinezë dhe një indus.

    Bipal nuk ka dhënë më shumë hollësi për rrethanat e përplasjes. Mediat raportuan fillimisht se numri i viktimave ishte 18 sosh, por Bipal ka thënë për Reuters se dy prej të mbijetuarve vdiqën më vonë. Një person ka mbijetuar.

    Shumë rrëzime aeroplanësh kanë ndodhur viteve të fundit në Sudanin Jugor, të zhytur në luftë. Në shtatorin e vitit 2018, së paku 19 persona vdiqën kur u rrëzua një fluturake e vogël, që po bartte pasagjerë nga Juba në Yirol.

    Më 2015 shumë persona vdiqën kur u përplas një aeroplan rus bagazhi me pasagjerë në bord, pas ngritjes nga pista në kryeqytetin Juba.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com