Kategori: Lajme

  • 47-vjeçari shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm arrestohet në Greqi

    Një 47 vjeçar shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm është arrestuar më 03.01.2025, në Athinë.

    Sipas Policisë së Shtetit në Shqipëri, për arrestimin e tij është zhvilluar operacion i përbashkët me Policinë e Greqisë.

    “Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia greke finalizoi operacionin ‘IN TIME’ – duke arrestuar këtë shtetas.” – thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

    Ndërsa, është bërë e ditur se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

     

  • Situata me fluturimet – deklarohet Aeroporti i Prishtinës

    Në ditët e para të vitit, për shkak të dendësisë së mjegullës në Kosovë ishin anuluar disa fluturime nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”. Ndërsa, gjatë ditës së premte, më 03.01.2025, nuk është anuluar asnjë fluturim – thonë nga Aeroporti për KALLXO.com.

    Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit, u përgjigj shkurt në pyetjet e parashtruara për këtë çështje – duke thënë se “fluturimet janë duke u realizuar sipas planit dhe nuk ka anulime.”

    Edhe në bazë të uebfaqes së Aeroportit, ku njoftohet për fluturimet gjatë ditës, nuk është parë që është shtyrë ose anuluar ndonjë fluturim deri në orët e para të mesditës së 03.01.2025.

    Në dy ditët paraprake, për po të njëjtën arsye, ishin anuluar afër 50 fluturime, kurse në disa të tjera ka pasur vonesa.

    Instituti Hidrometeorologjik paralajmëroi se më 03.01.2025 është parashikuar mëngjesi të jetë me ngrica dhe kushte për mjegull.

    Ndërkaq, për pasdite dhe mbrëmje nuk është njoftuar nëse do të ketë mjegull, veçse vranësira të intensifikuara dhe reshje bore.

    Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të enjten, më 02.01.2025, ka thënë se devijimet apo anulimet e fluturimeve për shkak të mjegullës kanë ndodhur meqë pilotët nuk kanë qenë të certifikuar për Sistemin e Avancuar të Aterrimit “ILS CAT IIIb”. Me këtë Sistem është i pajisur Aeroporti i Prishtinës.

    “Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij Sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.” – ka shkruar Aliu në Facebook.

    Aliu tha se Sistemi i Avancuar i Aterimit i instaluar në Aeroportin e Prishtinës mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.

    Një situatë e tillë ka ndodhur pikërisht në kohën kur në Kosovë është i pranishëm një fluks i madh i vajtje-ardhjeve të mërgimtarëve, për pushime dimërore dhe për festat e fundvitit.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se qytetarët po presin më shumë se një orë në pika kufitare për të dalë nga Kosova, ndërsa janë krijuar edhe kolona të automjeteve deri në 600 metra.

    Të dhënat e fundit të kësaj Qendre tregojnë se kolonat te pika kufitare me Serbinë, te Dheu i Bardhë, arrijnë deri në 400 metra, ndërsa mbi një orë (100 minuta) janë pritjet për të dalë nga Kosova, në këtë pikë kufitare.

    Në Merdarë, qytetarët po presin deri në një orë, kurse deri në 200 metra është kolona e krijuar në dalje.

    Ndërsa në Jarinje, qytetarët po presin deri në 15 minuta për hyrje, kurse deri në 20 minuta për të dalë nga Kosova. Kolona për hyrje-dalje në këtë pikë: 15 deri në 20 metra.

    Në Muçibabë, pritjet për të dalë nga Kosova shkojnë deri në 15 minuta, kurse 100 metra është krijuar kolona e automjeteve në këtë pikë kufitare.

    Në pika të tjera kufitare – sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar – vonesat janë nga 3 deri në 5 minuta, ndërsa nuk raportohet për kolona të automjeteve.

  • Meloni refuzon largimin e simboleve fashiste nga logoja e partisë

    Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, përjashtoi mundësinë e largimit të simbolit të flakës tringjyrëshe nga logoja e partisë së saj – pavarësisht thirrjeve nga subjekti i saj, që të heqë dorë nga simbolet fashiste.

    “Largimi i flakës… kurrë nuk ka qenë temë.” – tha Meloni gjatë një interviste për gazetën italiane “Corriere della Sera”, më 3 janar.

    Deklaratat e saj vijnë pasi Luca Ciriani, anëtar i partisë së Melonit Vëllezërit e Italisë (Fdl) dhe ministër për raportet me Parlamentin tha se “do të vijë momenti që të shuhet flaka”.

    “Është një gjë simbolike dhe sikurse edhe shumë gjëra të tjera simbolike do t’i vijë dita, edhe nëse nuk heqim dorë nga to krejtësisht.” – kishte deklaruar ai në nëntorin e vitit të kaluar.

    Meloni, kryeministrja e ekstremit të djathtë, ka tentuar që ta distancojë veten nga trashëgimia e partisë së saj nacionaliste, që u themelua më 2012 dhe që ka rrënjët te Lëvizja neofashiste Socialiste italiane.

    Si aktiviste e re, më 1996, ajo kishte deklaruar se besonte se udhëheqësi fashist, Benito Mussolini kishte qenë “politikan i mirë”. Tani ajo pretendon se këto nostalgji për fashizmin “nuk kanë vend” në jetën politike italiane.

    Kundërshtarët e saj – përfshirë disa anëtarë të partisë së saj – vazhdimisht i bëjnë thirrje që të largojë simbolin e flakës nga logoja; simbol që është me tri ngjyrat e flamurit italian e që u inspirua nga partia e Jean-Marie Le Pen në Francë, i cili themeloi Tubimin Kombëtar më 1972.

    Sipas disa analistëve, baza e logos paraqet varrin e Mussolinit në Predapio, që tërheq ende dhjetëra mijëra vizitorë çdo vit.

    Flaka u inkorporua në logon e partisë, më 2014.

    Disa zyrtarë të lartë të Vëllezërve të Italisë nuk e fshehin admirimin e tyre për regjimin fashist, i cili kishte aplikuar “ligje raciste” kundër hebrenjve më 1938.

    Kryetari aktual i Senatit, njëherësh bashkëthemelues i partisë së Melonit, Ignazio La Russa është ish-aktivist i Lëvizjes Socialiste italiane.

    Muajin e kaluar, gazeta ultrakonservatore “Libero Quotidiano”, e cila udhëhiqet nga ish-zëdhënësi i Qeverisë së Melonit, publikoi në ballinë fotografinë e Mussolinit me titullin: “Njeriu i vitit”.

    Në një editorial, kjo gazetë akuzoi të majtën për shfrytëzimin e historisë për përfitime politike.

    Meloni u zgjodh kryeministre në tetor të vitit 2022. Partia e saj vazhdon të jetë partia me mbështetjen më të madhe në vend, edhe pse mbështetja ka rënë për 16 pikë dhe tani gëzon mbështetje prej 42% – sipas një sondazhi të publikuar ditë më parë.

    “Nuk kam asgjë nga e cila mund të turpërohem.” – tha Meloni për “Corriere della Sera”. /REL