Kategori: Lajme

  • Ndani përvojën tuaj: Aplikacionet e kontrollit prindëror në Kosovë

    A jeni të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve tuaj në internet? Frikësoheni se ata mund të marrin pjesë në sfidat e rrezikshme të TikTok-ut, apo të ekspozohen ndaj përmbajtjeve të tjera dëmshme? Na tregoni historinë tuaj.

    Ne po kërkojmë njerëz nga Kosova që janë të gatshëm të ndajnë përvojën e tyre në përdorimin e aplikacioneve të kontrollit prindëror, për menaxhimin e pajisjet digjitale që përdorin fëmijët.

    Këto aplikacione janë të destinuara për prindërit që duan të kufizojnë aktivitetin e fëmijëve të tyre në internet dhe t’i mbajnë ata larg përmbajtjeve dhe ndërveprimeve eventuale të dëmshme. Ne jemi të interesuar të kuptojmë nëse prindërit kosovar janë në dijeni për këto aplikacione dhe si i përdorin ato.

    Gjërat kryesore që duam të dimë nga ju:

    – A jeni në dijeni për ekzistencën e aplikacioneve të kontrollit prindëror?

    – A përdorni ndonjë aplikacion të tillë për të monitoruar kohën para ekranit të fëmijës tuaj?

    – Sa shpesh i përdorni këto aplikacione?

    – Cilat aplikacione i përdorni?

    Historitë tuaja do të ndihmojnë hulumtimin tonë. Ne nuk do të përdorim të dhënat personale pa pëlqimin tuaj paraprak dhe qëllimi ynë është të vëmë në dukje problemet e përgjithshme sistematike.

    Përgjigjet janë të sigurta dhe të koduara.

    Si mund të merrni pjesë?

    Për të ndarë përvojën tuaj, plotësoni pyetësorin e çasshëm në anglisht, shqip dhe bosnjakisht.

    Ju gjithashtu mund të na kontaktoni në email: readerstories@birn.eu.com.

    Ose mund të na kontaktoni në rrjetet sociale:
    FB: @balkaninsight
    X: @balkaninsight

  • Shkrepi pushkën automatike në ahengun familjar, arrestohet i dyshuari në Podujevë

    Shtatë gëzhoja u gjetën nga njësitet policore në një lokacion në fshatin Llapashticë e Epërme në Podujevë, që dyshohet se ishin mbetje të të shtënave me armë, më 02.01.2024, rreth orës 21:25.

    Të shtënat u regjistruan gjatë një ahengu familjar, ndërsa i dyshuari – sipas Policisë – përdori një pushkë automatike.

    Në Raportin policor ditor thuhet se i dyshuari është arrestuar, pasi Policia e mori informacionin doli në vendin e ngjarjes.

    Nga i njëjti u konfiskua pushka automatike me 18 copë fishekë dhe 7 gëzhoja. Pasi u shiqua edhe vendi i ngjarjes, i dyshuari  u dërgua edhe në Stacion policor për intervistim.

    Për rastin u njoftua edhe Prokurori kujdestar, ndërsa i njëjti udhëzoi Policinë që pas intervistimit të dyshuarin ta dërgonin në mbajtje për 48 orë.

    Rasti është iniciuar si “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim i armës”.

  • Djali dyshohet se rrahu babain, Policia gjen armë në shtëpi

    Nën dyshimin se rrahu babain e tij, një djalë është arrestuar nga Policia, më 02.01.2025, në Viti.

    Policia ka njoftuar se i dyshuari kishte ushtruar dhunë ndaj babait të tij, ndërsa pas marrjes së informacionit njësitet policore ishin drejtuar për në vendin e ngjarjes.

    Përveç arrestimit të të dyshuarit, në shtëpinë e të njëjtit është kryer edhe një bastisje.

    Gjatë bastisjes është gjetur dhe është konfiskuar një armë zjarri.

    Për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar, derisa ky i fundit ka marrë vendim që pas intervistimit të të dyshuarit, i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

    Rasti është duke vazhduar të trajtohet, ndërsa është iniciuar si “dhunë në familje” dhe “armëmbajtje pa leje”.