Kategori: Lajme

  • Pritjet për të dalë nga Kosova në pikat kufitare me Serbinë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se qytetarët po presin më shumë se një orë në pika kufitare për të dalë nga Kosova, ndërsa janë krijuar edhe kolona të automjeteve deri në 600 metra.

    Të dhënat e fundit të kësaj Qendre tregojnë se kolonat te pika kufitare me Serbinë, te Dheu i Bardhë, arrijnë deri në 400 metra, ndërsa mbi një orë (100 minuta) janë pritjet për të dalë nga Kosova, në këtë pikë kufitare.

    Në Merdarë, qytetarët po presin deri në një orë, kurse deri në 200 metra është kolona e krijuar në dalje.

    Ndërsa në Jarinje, qytetarët po presin deri në 15 minuta për hyrje, kurse deri në 20 minuta për të dalë nga Kosova. Kolona për hyrje-dalje në këtë pikë: 15 deri në 20 metra.

    Në Muçibabë, pritjet për të dalë nga Kosova shkojnë deri në 15 minuta, kurse 100 metra është krijuar kolona e automjeteve në këtë pikë kufitare.

    Në pika të tjera kufitare – sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar – vonesat janë nga 3 deri në 5 minuta, ndërsa nuk raportohet për kolona të automjeteve.

     

  • Ukraina: Rusia kryen sulm vdekjeprurës në Kiev

    Një sulm me dron nga Rusia në kryeqytetin ukrainas, Kiev ka vrarë një person dhe ka plagosur katër të tjerë – thanë zyrtarët lokalë.

    Forcat e Moskës, që kanë nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kanë përshkallëzuar sulmet ajrore në mbarë Ukrainën, që nga javët e parë të stinës së dimrit, duke kryer sulme edhe në ditën e Vitit të Ri në Kiev – sulme që vranë dy persona.

    “Një person është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur, gjatë një sulmi ajror të armikut në rajonin e Kievit.” – tha Mykola Kalashnyk, kreu i rajonit të Kievit.

    Ai tha se një shofer kamioni është vrarë pasi është goditur nga copëzat e një droni të rrëzuar rus.

    Copëza të dronit, po ashtu, ranë mbi një shtëpi, duke plagosur tre persona – përfshirë një djalë 16 vjeçar.

    Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia ka lëshuar 93 dronë gjatë natës. Ushtria tha se ka rrëzuar dronët ose i ka penguar përmes pajisjeve elektronike.

    Autoritetet thanë se copëzat e dronëve ranë në dy qarqe në Kiev, por nuk u raportua për të plagosur./REL

  • Ferizajasi raporton në Polici se vetura e parkuar iu qëllua nga plumbi

    Një burrë ka raportuar në Policinë e Kosovës se në veturën e tij ka vërejtur një vrimë nga një plumb.

    Ngjarja është regjistruar në rrugën “Oso Kuka”, në Ferizaj, më 02.01.2025.

    Sipas Raportit ditor të Policisë, ankuesi kishte raportuar se vetura e tij ka qenë e parkuar, ndërsa është qëlluar me një plumb që ka ardhur nga një drejtim i panjohur.

    Në lidhje me ngjarjen është iniciuar vepra penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Përveç dëmeve materiale, në këtë rast, nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar apo të plagosur.

    Rasti po vazhdon të hetohet edhe më tutje.