Kategori: Lajme

  • Ambasadori i ardhshëm britanik në SHBA: Kritika ime ndaj Trumpit ishte e gabuar

    I përzgjedhuri i Mbretërisë së Bashkuar për Ambasador në Shtetet e Bashkuara, Lord Peter Mandelson i ka përshkruar kritikat e tij të mëhershme për presidentin amerikan Donald Trumpin si të bazuara mbi gjykime të gabuara – raporton më 29.01.2025 televizioni britanik BBC.

    Peter Mandelson ka thënë se tani gëzon “respekt të freskët” për presidentin amerikan – duke shtuar se është “goxha konfident” se Trumpi do ta aprovojë emërimin e tij Ambasador.

    Si pjesë e procesit, kredencialet e Lordit Mandelson duhet t’i dorëzohen Trumpit, për të cilat raportohet se Presidenti do t’i miratojë.

    Në vitet e mëhershme Lordi Mandelson e ka përshkruar Trumpin si “të pamatur” dhe “ngacmues”.

    Në një intervistë dhënë një gazetari italian më 2019, ai e kishte përshkruar Trumpin si “të pamatur dhe rrezik për botën”.

    Kjo pasoi një intervistë të vitit 2018 për “Evening Standard”, ku Trumpin e kishte përshkruar si “ngacmues”.

    Por ai ka deklaruar për Fox News: “I kam thënë ato fjalë gjashtë vjet më parë më 2019, prirë mbase prej një gazetari italian… ishte një kohë kur në Britani meqë ra kishte një politikë të ngarkuar dhe kishte emocione të mëdha për shumë gjëra në Britani atëherë”.

    Ai ka thënë se krahasuar me atëherë ka ndryshuar pikëpamje për Presidentin aktual amerikan.

    Duke e pranuar fitoren “e jashtëzakonshme” të mandatit të dytë të Trumpit, Lordi Mandelson ka thënë se Trump ka fituar “respekt të ri” prej tij dhe ka theksuar se nuk ka dëgjuar asnjë fjalë nga Shtëpia e Bardhë se do të përbëjë telash për emërimin e tij.

    “Mendoj se presidenti Trump do të vlerësojë kredencialet e mia dhe do të shqyrtojë cila do të jetë marrëdhënia më e mirë para nesh.” – ka thënë ai.

    “Presidenti është një person i këndshëm, person i drejtpërdrejtë dhe kjo është arsyeja pse kam besim se kur them se kur do të shikojë kredencialet e mia, ai do të thotë ‘Në rregull, mendoj se ky njeri mund të punojë mirë për të dy vendet tona dhe për marrëdhëniet tonë speciale’”.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Shkon në 30 numri i të vdekurve në turmën e Festivalit fetar në Indi

    Autoritetet kanë konfirmuar të mërkurën, më 29.01.2025, se të paktën 30 persona kanë vdekur dhe 60 të tjerë janë plagosur në një rrëmujë turme në Festivalin masiv “Kumbh Mela” në Indi – raporton BBC.

    Një prej të mbijetuarve i cili foli me ekipin e BBC-së në terren përshkroi se ishte shtyrë në lumin Gang, ndërsa po merrte pjesë në larje rituale.

    Samira Hussain e BBC-së ka përshkruar skena “kaosi absolut” në bregun e lumit: me rroba, këpucë, batanije dhe çanta shpine të shpërndara e të hedhura përtokë, ndërsa turmat po përpiqeshin të arratiseshin.

    Zyrtarët parashikuan që deri në 100 milionë njerëz pritej të merrnin pjesë në Ditën e Larjes në Festivalin fetar hind.

    Ngjarja ndodhi midis ndërmjet 1 dhe 2 të mëngjesit pranë arenës së asketëve, ku ishin vendosur barrikada për menaxhimin e turmës gjatë zhytjes së tyre të shenjtë – ka theksuar Yogi Adityanath, kryeministër i shtetit Uttar Pradesh, ku mbahet Festivali – raporton Reuters.

    Kryeministri Narendra Modi, në një postim në X, ka shprehur ngushëllime për “adhuruesit që kanë humbur të dashurit e tyre”, por nuk specifikoi numrin e të vdekurve.

    “Administrata lokale është e angazhuar për të ndihmuar viktimat në çdo mënyrë.” – ka theksuar ai.

    Adityanath shtoi se situata ishte nën kontroll, por turma ishte ende masive.

    Videot dhe fotografitë pas rrëmujës treguan trupat që barteshin me barela dhe njerëz të ulur në tokë duke qarë, ndërsa të tjerët kaluan mbi rroba, këpucë, çanta shpine dhe batanije të lëna nga ata që përpiqeshin t’i shpëtonin rrëmujës.

    Një dëshmitar ka theksuar për Reuters se ka parë disa trupa të pajetë, teksa dhjetëra ambulanca po nxitonin drejt bregut të lumit ku ndodhi incidenti.

    Dëshmitarët thanë se kishte një rrëmujë të madhe pranë bashkimit të tre lumenjve të shenjtë – ku zhytja konsiderohet veçanërisht e shenjtë – që bëri që besimtarët të binin mbi njëri-tjetrin.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Policia arreston dy persona, dyshohen për vjedhje në një Pompë derivatesh në Trudë të Prishtinës

    Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën dy persona, të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhje në një Pompë derivatesh në fshatin Trudë të Prishtinës, më 24.01.2025.

    Sipas Policisë të arrestuarit janë shtetas kosovarë dhe u takojnë moshave 34 dhe 33 vjeç.

    “Sot nga Njësiti i Hetimeve të Drejtorisë së Kryeqytetit, Njësia e Stacionit – Veriu, janë arrestuar dy persona të dyshuar për grabitje. Rasti ka ndodhur më 24 janar 2025, në fshatin Trudë, saktësisht në një Pompë derivatesh. Puna e hetuesve policorë ka rezultuar me identifikimin dhe  arrestimin e personave të dyshuar (meshkuj): V.I. (34 vjeç) dhe L.B (33 vjeç), të dy shtetas të Republikës së Kosovës, për të cilët ekziston dyshimi se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në rastin e grabitjes.” – tha Policia.

    Policia thekson se personat e dyshuar, me vendim të Prokurorisë, janë ndaluar në mbajtje, përderisa hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale – lidhur me rastin.