Kategori: Lajme

  • Babë e bir probleme me ligjin, njëri dyshohet se përdori armën e tjetri e sulmoi gruan me të cilën bashkëjetonte

    Babë e bir në Istog janë përballur me organet e rendit, më 02.01.2025, pasi të njëjtit po dyshohen se kryen vepra penale: atë “dhunë në familje” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Policia ka njoftuar se është arrestuar një burrë, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike, si dhe e kishte kërcënuar me armë një grua, me të cilën bashkëjetonte prej disa ditësh.

    Në anën tjetër, babai i të dyshuarit për “dhunë në familje” – sipas Policisë – dyshohet se në ndërrimin e motmoteve kishte gjuajtur me armë zjarri në ajër.

    Pas marrjes së informacionit për “dhunë në familje” Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa kishte konfiskuar edhe armën që dyshohet se ishte përdorur edhe në ndërrimin e motmoteve.

    Në këtë rast nuk ka pasur ndonjë person të lënduar, ndërsa viktima e dhunës në familje, sipas Raportit të Policisë, me dëshirën e saj, pasi dyshohet se ishte rrahur nga partneri, është kthyer te familja e saj.

    Për ngjarjen është njoftuar edhe Prokurori kujdestar. Ndaj babait të të dyshuarit për “dhunë në familje” është iniciuar rasti për “përdorim i armës” dhe i njëjti pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërsa, Policia ka njoftuar se ndaj djalit është iniciuar rasti për “dhunë në familje” dhe i njëjti pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Dy të lënduar nga aksidenti në Pestovë

    Dy persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes dy veturave në Pestovë të Vushtrrisë, më 02.01.2025.

    Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    “Dy persona të  lënduar, dy automjete të përfshira në aksidentin e mbrëmshëm në Pestovë.” – tha Zahiti.

    Rreth kohës dhe rrethanave të rastit, Zahiti tha se nuk ka detaje të tjera.

  • Izraeli raporton për sulme me dronë dhe raketa nga Jemeni

    Ushtria izraelite tha se ka rrëzuar një raketë dhe një dron të lëshuar nga Jemeni, më 03.01.2025. Ky ishte sulmi i fundit në serinë e sulmeve nga Jemeni, që kanë pasur për shënjestër Izraelin në javët e fundit.

    “Një raketë u lëshua nga Jemeni dhe kaloi në territorin izraelit. Raketa u rrëzua.” – tha Ushtria përmes një deklarate të publikuar në kanalin e saj në Telegram.

    “Kemi pranuar një raportim sa i përket rënies së copëzave të raketës së rrëzuar në zonën Modi në Izraelin qendror dhe jemi duke verifikuar detajet e këtij raportimi.” – shtoi Ushtria.

    Autoriteti i Shërbimit të Emergjencave në Izrael tha se disa persona janë trajtuar për shkak të plagëve të marra apo për shkak se kanë përjetuar sulme paniku teksa kanë qenë duke shkuar nëpër strehimore, pas aktivizimit të sirenave për sulme.

    Disa orë më pas, Ushtria izraelite tha se ka rrëzuar një dron të lëshuar nga Jemeni.

    Sipas Ushtrisë, droni u rrëzua para se të hynte në territorin izraelit.

    Të martën, Izraeli tha se kishte rrëzuar një raketë të lëshuar nga Jemeni.

    Shumica e Jemenit kontrollohet nga rebelët Huthi, të cilët mbështeten nga Irani. Rebelët vazhdimisht kanë gjuajtur raketa dhe dronë drejt Izraelit, por edhe ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit, në atë që ata e quajnë solidaritet me palestinezët në Gazë, në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Rebelët Huthi, po ashtu, kanë intensifikuar sulmet e tyre që nga nëntori i vitit të kaluar, kur u arrit një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja në Liban.

    Izraeli, po ashtu, ka sulmuar Jemenin në fund të dhjetorit – duke shënjestruar Aeroportin Ndërkombëtar në Sana./REL