Kategori: Lajme

  • Italia thërret ambasadorit iranian, kërkon lirimin e gazetares italiane

    Ministria e Jashtme italiane e thirri të enjten (02.01.2025) ambasadorin iranian për t’i kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetares Cecilia Sala, e cila u arrestua në Teheran më 19.12.2024, ndërkohë që po punonte me vizën e rregullt për gazetarët.

    Përmes një deklarate ministria shpreh “shqetësimin serioz” mbi ndalimin e gazetares Sala dhe thekson domosdoshmërinë e trajtimit njerëzor dhe respektimit të të drejtave të saj.

    Mediat italiane njoftojnë se gazetarja Sala po mbahet e izoluar në një qeli të ftohtë burgu me një dritë fluroshente që mbahet e ndezur ditën dhe natën. Syzet e saj janë sekuestruar dhe ajo pothuajse nuk ka asnjë kontakt me njerëz të tjerë.

    Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane, Riccardo Guariglia, kërkoi që personeli i ambasadës në Teheran të lejohet ta vizitojë gazetaren Sala dhe t’i japë asaj “sendet të cilat i janë mohuar deri tani”, sipas ministrisë.

    Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit IRNA njoftoi të hënën se Sala u arrestua për shkak se “shkeli ligjet e Republikës Islamike”. Agjencia nuk dha detaje të tjera.

    Gazetarja Sala u ndalua tri ditë pasi sipërmarrësi iranian, Mohammad Abedini u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos në bazë të një urdhër-arresti amerikan nën pretendimet se ai është furnizuesi i pjesëve të dronëve, të cilët Uashingtoni thotë se janë përdorur në sulmin e vitit 2023, që shkaktoi vdekjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani.

    Irani ka mohuar përfshirjen në atë sulm dhe ministria e jashtme iraniane u citua nga mediat iraniane të ketë thënë se arrestimi i sipërmarrësit Abedini shkel ligjin ndërkombëtar.

    Gjatë viteve të fundit, forcat e sigurisë së Iranit kanë arrestuar dhjetëra të huaj dhe individë me shtetësi të dyfishtë, kryesisht nën akuzat për spiunazh. Organizatat për të drejtat e njeriut e akuzojnë Iranin se po përpiqet të sigurojë lëshime nga shtete të tjera përmes arrestimeve të tilla. Irani e mohon këtë pretendim.

    Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni pritet të diskutojë për çështjen e gazetares Sala me ministrat e jashtëm dhe të drejtësisë të enjten (01.01.2025), sipas njoftimit të zyres së saj./VoA

  • Të paktën 54 të vrarë nga sulmet ajore izraelite në Rripin e Gazës

    Të paktën 54 persona u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës të enjten (01.01.2025), duke përfshirë tre fëmijë dhe dy oficerë të rangut të lartë të forcave policore të Hamasit, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

    Forcat izraelite goditën të enjten (01.01.2025) herët në një zonë humanitare të shpallur nga Izraeli, të njohur si Muwasi, ku qindra mijëra njerëz të zhvendosur janë të strehuar në tenda në dimrin e ftohtë dhe me shi. Në këtë sulm u vranë të paktën 11 njerëz, përfshirë gra dhe tre fëmijë.

    Në sulmet e tjerë në pjesën qendrore dhe veriore të Rripit të Gazës u vranë të paktën 43 palestinezë. Viktimat në një sulm në Gazën qendrore ishin anëtarë të komisioneve lokale që ndihmojnë në sigurimin e autokolonave të ndihmave, sipas punonjësve të Spitalit Martirët e Al-Aksës, ku u dërguan kufomat. Një gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press, i cili ndodhej në spital konfirmoi numrin e viktimave.

    Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite mbi sulmet e ditës së enjte (01.01.2025).

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Shendëtësisë në Rripin e Gazës nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite, që filluan në tetor të vitit 2023, janë vrarë më shumë se 45 mijë njerëz, më shumë se gjysma e tyre, gra dhe fëmijë. Zyrtarët shëndetësorë në Rripin e Gazës nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe militantëve të Hamasit në raportet e tyre mbi numrin e viktimave.

    Lufta filloi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në 07.10.2023. Sipas të dhënave izraelite gjatë sulmit u vranë 1200 vetë, kryesisht civilë dhe u morën peng 250 të tjerë. 100 pengje mbahen ende në Gazë dhe një e treta e tyre besohet se ka vdekur./VoA

  • Mjegulla e dendur anulon afër 50 fluturime për dy ditë në Aeroportin e Prishtinës

    Për shkak të mjegullës së dendur, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” janë anuluar afër 50 fluturime gjatë dy ditëve të fundit, kurse në disa të tjera ka pasur vonesa. Për pasojë numri i qytetarëve që detyrohen të presin gjatë nuk është i vogël, por megjithatë disa prej tyre thonë se e mirëkuptojnë situatën. Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron se mjegull do të ketë edhe gjatë ditës së nesërme (03.01.2025).

    Kolona të tilla janë të zakonshme në kryeqytet, por këtë të enjte (02.01.2025) ato janë bartur në hyrje të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Mërgimtarët e ardhur në Kosovë për festën e Vitit të Ri dëshirojnë të kthehen në vendet ku jetojnë, por këtë po e kanë problem shkaku i mjegullës së dendur që ka përfshirë Kosovën.

    Nga Aeroporti i thanë televizionit Dukagjini se këto dy ditë janë anuluar dhjetëra fluturime.

    “38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri më tani. Dukshmëria ka qenë nën 50 metra, prandaj është pamundësuar realizimi i fluturimeve”.

    Qytetarët që largoheshin nga Kosova, ata që vinin në vendin tonë, dhe familjarët që i prisnin dhe përcillnin, kryesisht pajtoheshin me faktin se mund të ketë anulime ose vonesa të udhëtimeve.

    “Një fluturim i ka dështu, tash e ka nxjerrë tiketën prapë për knej.

    -Kur ka pas me arrite?

    -Në 12:30 ka pas me arritë këtu por tash duhet me pritë deri në 14:00-15:00”, ka thënë Sinan Ferizi, njëri nga udhëtarët që u ballafaqua më vonesa.

    “Tash jam tu shku, nuk e di deri të hyje brenda, të shohim.

    Në email nuk na ka ardhë diçka, ta shofim tash, edhe me pas nuk kemi çka bëjme duhet të presim”, ka shtuar Ferizi.

    “Po vonesa pati, kemi pas me fluturu në ora 08:00 dhe kemi fluturar në orën 11:00, në Cyrih nuk ka pas vonesa vetëm këtu shkaku i mjegullës”, ka thëne Smajl Mahmutaj, udhëtar.

    Në kohën kur televizioni ishte në ambientet e aeroportit, në monitorët udhëzues njoftohej për shtyrje të fluturimeve.

    Ora shënon të jetë 13:00, momentalisht nuk ka asnjë fluturim të anuluar kurse deri në këtë orë kanë qenë 4 të tillë, kurse nuk dihet nëse do ketë anulime të tjera të fluturimeve pasi që mjegulla në aeroportin e Prishtinës, vazhdon të jetë e dendur”.

    Ndërkaq, Besim Aliu nga Instituti Hidrometorologjik i Kosovës thotë kushtet e tilla atmosferike do të jenë edhe gjatë së premtes (03.01.2025).

    “Edhe nesër pra do të kemi mjegull, pastaj vranësira të dendura të cilat do të krijojnë kushte për reshje, mjegulla do të hiqet por prapë do të krijohet nuk do të thotë që është mjegulla e kësaj stine sepse jemi shumë herët”.

    Para disa javësh, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tregoi se Qeveria ka investuar në një sistem të avancuar të aterimit, ku me këtë rast tha se anulimi i fluturimeve për shkak të mjegullës ka mbetur në histori.

    Ndërsa këtë të enjte (02.01.2025) pas anulimit të dhjetëra fluturimeve, Aliu ka thënë se fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë ateruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.

    Ky sistem sipas tij, mundëson aterime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash./Dukagjini