Kategori: Lajme

  • FBI: Autori i sulmit terrorist në New Orleans veproi i vetëm

    FBI-ja thotë se beson se autori i sulmit terrorist në New Orleans që shkaktoi vdekjen e 15 personave në ditën e Vitit të Ri, ka vepruar i vetëm.

    Autoritetet e deklaruan një gjë të tillë në një konferencë shtypi duke shtuar se nuk ka më rrezik për banorët e New Orleans. Më herë auroritetet po hetonin nëse autori, Shamsud-Din Jabbar, një shtetas amerikan nga Teksasi dhe ish-rezervist i ushtrisë që kishte shërbyer në Afganistan, kishte pasur bashkëpunëtorë në sulmin, që autoritetet thanë se ishte i paramenduar.

    FBI-ja tha se autori i dyshuar udhëtoi me makinë nga Houston për në New Orleans më 31.12.2024 dhe kishte postuar pesë video në Facebook midis orës 1:29 dhe 3:02 të mëngjesit të ditës së sulmit, ku shprehej se mbështeste ISIS-in, grupin militant islamik me luftëtarë në Irak dhe Siri.

    Në videon e parë, Jabbar shpjegon se ai kishte planifikuar më parë të sulmonte familjarë dhe miq të tij, por se ishte i shqetësuar se mbulimi i medias do të largonte vëmendjen nga “lufta midis besimtarëve dhe jobesimtarëve” – tha në një konferencë shtypi zëvendësdrejtori i FBI-së, Christopher Raia.

    Jabbar tha gjithashtu në video se ai ishte bashkuar me ISIS-in para verës së kaluar .

    “Ky ishte një akt terrorizmi” – tha Raia. “Ishte një veprim i paramenduar dhe një veprim djallëzor”.

    FBI-ja kishte konfirmuar më parë se Jabbar kishte një flamur të grupit ISIS-it në kamionin që përdori për të goditur turmën. Ai vdiq nga një këmbim zjarri me policinë.

    Të mërkurën (01.01.2025) në mbrëmje presidenti Joe Biden shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe tha se i dyshuari kishte bërë disa veprime vetëm disa orë para sulmit që linin të kuptonin ideologjinë e tij. Presidenti Biden tha se organet e zbatimit të ligjit dhe komuniteti i zbulimit po vazhdojnë të kërkojnë për ndonjë lidhje apo bashkëpunëtor tjetër dhe se hetimi vazhdon të jetë aktiv.

    “Ai postoi video në mediat sociale duke treguar se ishte frymëzuar nga ISIS-i, duke shprehur dëshirën për të vrarë. Flamuri i ISIS-it u gjet në automjetin e tij, të cilin e kishte marrë me qira për të kryer këtë sulm. Në automjet janë gjetur edhe eksplozivë të mundshëm dhe aty pranë janë gjetur eksplozivë të tjerë” – tha ai.

    Hetuesit kishte gjetur armë dhe një mjet shpërthyes të improvizuar brenda automjetit. Po ashtu, në lagjen e njohur ku ndodhi shpërthimi, autoritetet kanë gjetur pajisje të tjera shpërthyese në një shtëpi në të cilën kishte rënë zjarr.

    Për 18 vjeçarin Zion Parsons, ishte hera e parë në Nju Orlins. Ai tha se skena dukej si zonë lufte.

    “Kishte trupa në gjithë rrugën. Të gjithë bërtisnin. Shihje dikë që po përpiqej të shpëtonte dikë tjetër, shikoje njerëz që qanin, pjesë trupash gjithandej. Ishte e dhimbshme të shihja një nga shoqet e mia të ngushta që u godit”, tha ai.

    Zona turistike e New Orleans vazhdon të jetë nën masa të rrepta sigurie.

    Sulmi në New Orleans është shembulli i fundit kur një automjet përdoret si armë për të kryer vrasje masive dhe sulmi më vdekjeprurës i frymëzuar nga ISIS në territorin e Shteteve të Bashkuara prej vitesh.

    Clara Broekart, një eksperte për grupet terroriste i tha Zërit të Amerikës se në vitin 2024 kishte pasur një rritje të ndjeshme në përpjekjet e frymëzuara nga ISIS globalisht, përfshirë në Shtetet e Bashkuara.

    “Ndonjëherë autori i mundshëm thjesht ishte frymëzuar nga ISIS-i, konsumonte propagandë nga Shteti Islamik dhe synonte të kryente një sulm në mbështetje të Shtetit Islamik. Por kemi parë edhe përpjekje kur persona me bazë në SHBA ishin në kontakt me rekrutuesit e ISIS-it në internet” – thotë ajo.

    FBI-ja thotë gjithashtu se nuk kishte lidhje mes sulmit në New Orleans dhe një shpërthimi në Las Vegas para hotelit Trump, ku personi brenda makinës gjeti vdekjen./VoA

  • KPM njofton mediat me rregulloren e re për zgjedhjet – duhet të dorëzohet edhe çmimorja

    Komisioni i Pavarur i Mediave ka dalë me njoftim për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025. Ky institucion ka nxjerrë një rregullore për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore.

    Të gjithë ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuale njoftohen se gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore duhet të vepronë në pajtueshmëri me legjislacionin e KPM-së.

    “OSHM-të (televizionet dhe radiot) të cilat vendosin të organizojnë programin e tyre gjatë fushatës zgjedhore do të deklarohen tek KPM nëse do të mbulojnë fushatën jo më larg se shtatë (7) ditë kalendarike para fillimit të fushatës zgjedhore (neni 6.2 i Rregullores KPM-2024/03)” – thuhet mes tjerash në njoftim.

    Tutje thuhet se këto institucione të licencuara nga KPM duhet të dorëzojnë ditarët për zgjedhjet, Ditarin A me terminet pa pagesë dhe Ditarin B me terminet me pagesë.

    “Ditarët plotësohen dhe dorëzohen në KPM të hënën e secilës javë për të raportuar për javën paraprake, sipas Nenit 11, paragrafi 3 i Rregullores KPM-2024/03” – thuhet tutje në njoftimin e KPM-së.

    Një javë para fillimit të fushatës zgjedhore, duhet që të dërgohet çmimorja e aplikuar gjatë zgjedhjeve.

  • Moti të premten

    Mot me diell dhe vranësira të dendura priten të premten, më 03.01.2025, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

    Mëngjesi pritet të jetë me ngrica dhe kushte për mjegull.

    Pasditja e 03.01.2025 mund të ketë vranësira të intensifikuara dhe reshje bore.

    IHMK njofton se temperaturat minimale do të jenë nga -5 deri në -2 gradë Celsius kurse maksimalet nga 3 deri në 6.

    Temperatura minimale -5 gradë Celsius pritet të jetë në Dragash kurse maksimalet pra 6 gradë Celsius pritet të jenë në Prizren, Gjakovë dhe Istog.