Kategori: Lajme

  • Largimi i bashkatdhetarëve pas festave, pritjet në pikat kufitare

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, janë krijuar kolona në disa pika kufitare për të dalë nga Kosova.

    Në pikën kufitare në Merdarë është krijuar kolonë 900 metra dhe pritje 110 deri 120 minuta.

    Kolona e krijuar në pikën kufitare në Dheun e Bardhë është 400 metra apo pritje deri në 50 minuta ndërsa pritja në hyrje është 20 minuta.

    Në Jarinjë kolona për dalje nga Kosova është 200 metra apo 30 deri 40 minuta sipas të dhënave të përditësuara më 02.02.2025, në ora 17:13.

    Në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar përditëson në vazhdimësi fluksin nëpër 13 pikat e kalimit kufitar.

    Pritjet në pikat kufitare mund t’i shikoni në kohë reale KËTU.

  • Adoptimi i IA-së: I kujdesshëm, por i pashmangshëm

    Dy vjet pas mbërritjes dramatike të ChatGPT-së, kompanitë janë të entuziazmuara nga mundësitë e inteligjencës artificiale (IA) gjenerative, por po futen në vitin 2025 me hapa të kujdesshëm, në vend se të nguten me transformimin e operacioneve të tyre.

    Tuneli i La Manshit, një prej rrugëve më të ngarkuara të udhëtimit në botë, përbën një shembull të qartë të kufizimeve aktuale dhe të aplikimeve praktike të IA-së.

    Çdo ditë, 400 prej lokomotivave më të mëdha të botës kalojnë nëpër tunelin që lidh Francën dhe Britaninë, duke bartur rreth 11 milionë pasagjerë trenash dhe 2 milionë automjete çdo vit.

    Për GetLink-un, kompaninë që menaxhon trenat me gjatësi prej 800 metrash, kujdesi me aplikimin e IA-së mbetet i rëndësisë parësore.

    “Jemi në një biznes tejet të rregulluar. Nuk bëjmë marifete. Këto janë procedura shumë të rrepta”, shpjegoi Denis Coutrot, shef i departamentit për të dhëna dhe inteligjencë artificiale në GetLink.

    Në vend se të kontrollojë operacionet e trenave, IA-ja e tyre kryesisht merret me detyra më të thjeshta, si kërkimi i rregullave dhe rregulloreve.

    Sektori ligjor, i cili konsiderohej fillimisht si fushë që do të prekej ndjeshëm nga IA-ja, tregon një histori të ngjashme.

    “ChatGPT-ja, sigurisht, është e jashtëzakonshme. Por, është vërtet shumë e vështirë ta aplikosh atë në punët e përditshme në mënyrë domethënëse”, ka thënë James Sutton, themelues dhe shef ekzekutiv i Avantia Law.

    Verifikimi i çdo gjëje

    Përderisa AI-ja shkëlqen në kryerjen e detyrave bazike, si kërkimi në baza të dhënash ligjore dhe në gjenerimin e përmbledhjeve të thjeshta, punët më komplekse kërkojnë mbikëqyrje më të kujdesshme njerëzore.

    Sutton ka shpjeguar se mungesa e konsistencës nga IA-ja mbetet sfidë: “E kërkoj përgatitjen e një kontrate dhe IA-ja e përpilon për mrekulli. E kërkoj një tjetër, dhe del 40 për qind mirë. Kjo mungesë sigurie nënkupton që avokatët ende duhet të verifikojnë gjithçka”.

    Industria e teknologjisë paraqet një lakore më agresive të adoptimit të IA-së.

    Google raporton se 25 për qind të programimeve i kryen përmes IA-së gjenerative.

    Shefi i JetBrains, Kirill Skrygan, parashikon se deri në fund të vitit të ardhshëm, IA-ja do të kryejë rreth 75-80 për qind të detyrave të kodimit.

    “Zhvilluesit po përdorin IA-në si asistentë për të koduar, dhe numrat po rriten çdo ditë”, ka thënë Skrygan në konferencën Web Summit, në Lisbonë.

    “Niveli i ardhshëm do të jenë agjentët kodues, të cilët mund të kryejnë detyra të plota, të cilat zakonisht u caktohen zhvilluesve”.

    Ai ka sugjeruar se, me kohë, këta agjentë mund të zëvendësojnë pothuajse të gjithë prej miliona zhvilluesve të botës.

    Industritë e dizajnit virtual, kryesisht ajo e modës, po shohin ndikimin e madh të gjeneratorëve me inteligjencë artificiale të imazheve, si DALL-E, Midjourney dhe Stable Diffusion.

    Këto mjete tashmë po i transformojnë shprehitë e punës dhe po e shkurtojnë kohën e daljes në treg të koleksioneve të reja.

    Në sektorin e kujdesit shëndetësor, pavarësisht një studimi që ka treguar për potencialin e IA-së – përfshirë një ku ChatGPT-ja ua ka kaluar mjekëve në diagnostikim përmes historisë së pacientëve – doktorët vazhdojnë të hezitojnë në përqafimin e plotë të teknologjisë.

    “Ata nuk e dëgjonin IA-në kur IA-ja iu thoshte atyre gjëra me të cilat ata nuk pajtoheshin”, ka treguar Adam Rodman, i cili ka udhëhequr studimin, në një prononcim për New York Times.

    Brengat e mëdha

    Kompanitë përballen me një kalkulim kompleks ndërmjet novacionit, maturisë dhe gatishmërisë për të shpenzuar.

    “Do të duhet kohë që tregu t’i zgjidhë këto çështje me kostot dhe përfitimet, veçanërisht në një mjedis ku kompanitë tashmë po përballen me hezitim për investime në teknologji”, ka vlerësuar Seth Robinson, zëvendësshef për hulumtime industriale në CompTIA.

    Anant Bhardwaj, shef i Instabase, beson se kufizimet e IA-së janë reale, por të përkohshme.

    “Novacioni i ri, i vërtetë, si fizika e re apo mënyrat e reja të eksplorimit të hapësirës, këto janë ende larg kapaciteteve të IA-së… Nëse njerëzit mendojnë se IA-ja mund ta zgjidhë secilin problem të njeriut, përgjigja sot është ‘Jo’”.

    Përderisa IA-ja shkëlqen në procesimin e mostrave dhe të dhënave ekzistuese, Bhardwaj ka argumentuar se asaj i mungon kurioziteti njerëzor që nevojitet për të eksploruar terrene krejtësisht të reja.

    Megjithatë, ai ka parashikuar se, brenda dekadës së ardhshme, shumica e industrive do të kenë një formë operacionesh të udhëhequra nga IA-ja, me njerëzit në rol dytësor, por që autonomia e plotë e IA-së mbetet shumë e largët.

    Sidoqoftë, ndikimi i IA-së po vjen shpejt dhe me të madhe, dhe vendet e botës duhet të jenë të përgatitura.

    “Puna administrative është prekur ndjeshëm, kjo tashmë po ndodh. Në qendrat e thirrjeve kjo tashmë po ndodh”, ka thënë Susan Athey, profesoreshë në Universitetin e Stanfordit, në një konferencë për statistika në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

    Athey, ekonomiste e industrisë teknologjike, ka shprehur shqetësim për rrezikun e fshirjes nga IA-ja të profesioneve si operatorët e qendrave të thirrjeve.

    “Këto janë ato të cilat do t’i vështroja me shumë kujdes. Brengosem shumë për vendet që njihen për bizneset e qendrave të thirrjes”, ka thënë ajo./REL

  • Prishtina unifikon sistemin e transportit publik urban, privatët do të operojnë me çmime të njëjta si Trafiku Urban

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga data 01.01.2025 operatorët privatë të transportit do të operojnë me të njëjtat kushte si Trafiku Urban.

    Sipas këtij njoftimi, qytetarët e Prishtinës tani kanë sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat.

    Komuna e Prishtinës ka publikuar edhe çmimin e biletave.

    Çmimet e biletave janë si më poshtë:
    • 0.50€ për një udhëtim të vetëm.
    • 0.80€ për biletën ditore (vlefshme për të gjitha linjat).
    • 4€ për biletën javore.
    • 12€ për biletën mujore për studentë.
    • 14€ për biletën mujore për punëtorë.
    Kategoritë e liruara nga pagesa për të gjitha linjat urbane janë:
    • Pensionistët
    • Policia
    • Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)
    • Veteranët
    • Zjarrfikësit
    • Personat me aftësi të kufizuara
    • Nxënësit e shkollave fillore