Kategori: Lajme

  • Komisioni për Persona të Zhdukur: 13 viktima të identifikuara nga 9 lokacione gjatë gërmimeve në vitin 2024

    Gjatë vitit 2024, 9 lokacione janë gërmuar, duke çuar në zhvarrosjen e mbetjeve mortore dhe identifikimin e 13 viktimave.

    Gjatë vitit 2024, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka theksuar se vitin që lamë pas është përballur me sfida të mëdha, përfshirë mungesën e informacionit të besueshëm dhe politizimin e procesit nga institucionet e Serbisë.

    Megjithatë, sipas tyre, bashkëpunimi i pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare dhe partnerët ndërkombëtarë ka sjellë rezultate pozitive në drejtim të drejtësisë dhe të vërtetës.

    Gjatë vitit, nga ana e tyre për Dukagjinin, thuhet se janë realizuar 33 operacione fushore, duke përfshirë gërmime në 23 lokacione brenda Kosovës, ku janë zbuluar mbetje mortore të 13 individëve.

    “Nga 23 lokacionet në fjalë, vetëm 9 prej tyre kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore. Sipas ekspertëve mjekoligjor nga këto lokacione janë zhvarrosur 13 individë (megjithatë kjo e dhënë mund të konfirmohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme të ekzaminimit mjekoligjor përfshirë edhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së)”, thuhet nga ky komision.

    Në lidhje me lokacionet në Serbi, përkundër dakordimeve, thuhet se nuk ka pasur përparim në gërmime.

    Takimet e Grupit Punues për Persona të Zhdukur, organizuar me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), kanë mundësuar adresimin e kërkesave për përparim në procesin e identifikimit dhe ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

    Përveç angazhimeve lokale, gjatë vitit është intensifikuar bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat për mbështetje teknologjike dhe shkencore, përfshirë përdorimin e teknologjisë LiDAR dhe Radarit Depërtues Tokësor (RDT) për gjetjen e trupave.

    Në procesin e identifikimit, janë realizuar 124 raporte nga analiza shkencore e ADN-së, duke sjellë 38 identifikime të reja të viktimave.

    Po ashtu, 25 mbetje mortore janë dorëzuar për rivarrim, duke respektuar të drejtat e familjeve për të ditur fatin e të dashurve të tyre.

    Në përpjekjet për të përparuar çështjen e personave të zhdukur, Komisioni ka kërkuar mbështetje të mëtejshme nga Bashkimi Evropian dhe ka vazhduar të angazhohet në nivel ndërkombëtar për krijimin e një Komisioni të Përbashkët për Persona të Zhdukur./Dukagjini

  • 10 të plagosur si pasojë e të shtënave me armë pranë një klubi privat në Nju Jork

    10 persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në Kuins të Nju Jorkut, mbrëmjen e parë të vitit të ri, njoftoi policia e Nju Jorkut të enjten (02.01.2025) në mëngjes.

    Ngjarja ndodhi jashtë një klubi privat të mërkurën (01.01.2025) vonë. Të plagosurit, 6 gra dhe 4 burra, janë jashtë rrezikut për jetën, njoftoi policia.

    Autoritetet thanë se 3 ose 4 burra hapën zjarr ndaj turmës jashtë klubit privat.

    Dëshmitarët shprehën tronditjen e tyre duke përdorur mediat sociale ndërsa shpërndanë fotografi të momentit të mbërritjes në vendngjarje të punonjësve të rendit.

    Policia përjashtoi mundësinë e një sulmi terrorist.

    Ngjarja u regjistrua disa orë pas dy akteve të tjera të dhunës në Shtetet e Bashkuara.

    Në Nju Orlins një kamionçinë mori përpara turmën e njerëzve që po festonin Vitin e Ri duke vrarë 15 persona ndërsa në Las Vegas një person vdiq dhe shtatë të tjerë u plagosën pas shpërthimit të një makine Tesla jashtë hotelit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump./VoA

  • Vdes Anton Berisha, ish-zv.ministër i Punëve të Jashtme dhe ish-ambasador i Kosovës në Slloveni

    Ka vdekur ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha.

    Njoftimin për vdekjen e Berishës e kanë bërë familjarët e tij.

    “Pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona” – thuhet në njoftim.

    Në njoftim thuhet se homazhet do të mbahen më 03.01.2025, nga ora 09:00 deri në orën 12:00, në Kishën Katolike “Shën Katarina” në Pejë.
    “Varrimi i tij do të bëhet më 03.01.2025, në orën 13:00, në varrezat katolike në Pejë” – përfundon njoftimi.