Kategori: Lajme

  • Presidenti Biden nderon 20 amerikanë me Medaljen Presidenciale të Qytetarisë

    Presidenti amerikan Joe Biden do t’u japë 20 amerikanëve nderimin e dytë më të lartë civil të vendit në një ceremoni që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

    Në këtë grup përfshihen ligjvënësi Bennie Thompson dhe ish-ligjvënësja republikane Elizabeth Cheney, të cilët drejtuan hetimet e Kongresit për sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol. Sulmi i 6 janarit u bë nga një turmë e mbështetësve të zotit Donald Trump në përpjekje për të mos lejuar certifikimin e fitores së zotit Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

    Presidenti i zgjedhur Trump, që fitoi zgjedhjet e vitit 2024 për një mandat të ri që fillon më 20 janar, ka thënë se zoti Thompson dhe zonja Cheney duhet të burgosen.

    Deklarata e Shtëpisë së Bardhë për të nderuarit e së enjtes thekson se republikania Cheney, “ngriti zërin e saj dhe u bë bashkë me palën kundërshtare në politikë për të mbrojtur vendin tonë dhe idealet mbi të cilat ne qëndrojmë: Lirinë. Dinjitetin dhe Integritetin”.

    E krijuar në vitin 1969, Medalja Presidenciale e Qytetarisë nderon shtetasit amerikanë“që kanë kryer vepra shembullore për vendin e tyre ose bashkëqytetarët e tyre”.

    “Presidenti Biden beson se këta amerikanë kanë të përbashkët integritetin dhe përkushtimin e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Vendi ynë është më i mirë për shkak të përkushtimit dhe sakrificës së tyre”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

    Në mesin e atyre që do të nderohen janë edhe Mary Bonauto dhe Evan Wolfson, të cilët u angazhuan për legalizimin e së drejtës për martesë mes personave të së njëjtës gjini në Shtetet e Bashkuara.

    Frank Butler është një tjetër fitues i medaljes për përpjekjet e tij për të përmirësuar teknikat e ndihmës së shpejtë për ushtarët e plagosur në fushën e betejës.

    Mitsuye Endo Tsutsumi do të nderohet për padinë e saj të suksesshme ligjore kundër burgosjes së japonezëve amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Presidenti Biden do të nderojë edhe zonjën Eleanor Smeal për punën e saj në udhëheqjen e protestave për të drejtat e grave dhe për paga të barabarta për gratë.

    Medalje do t’u jepen edhe ish ligjvënëses Carolyn McCarthy, si dhe një grupi ish-senatorësh: Bill Bradley, Chris Dodd, Nancy Kassebaum dhe Ted Kaufman.

    Në mesin e të nderuarve përfshihen edhe Diane Carlson Evans, themeluese e Fondacionit të Përkujtimit të Grave të Vietnamit, korrespondentin nga zonat e luftës Joseph Galloway, avokatin e të drejtave civile Louis Redding dhe fotografin Bobby Sager.

    Në këtë grup janë edhe gjykatësi Collins Seitz, themeluesi i Universitetit Fulbright të Vietnamit, Thomas Vallely, aktivisti i studimeve mbi kancerin e gjirit, Frances Visco dhe themeluesja e Fakulteti të Artit dhe Dizajnit në Savannah, Paula Wallace.
    Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’/VOA

  • LVV ankohet në PZAP, kërkon anulimin e vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe

    Lëvizja Vetëvendosje, më 02.01.2025, ka dorëzuar ankesë në PZAP kundër vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe, për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë.

    Kjo parti pretendon se “nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së” është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe.

    “Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

    Për LVV-në, “Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radoiçiq. “Ajo [LS] dikur përdorej nga Radoiçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

    “Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”, përfundon LVV.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në ditën e fundit të vitit 2024 ka certifikuar Listën Serbe për Zgjedhjet 2025.

    Ky vendim është marrë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që e “urdhëronte” KQZ-në për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.

    “KQZ ka marrë vendim që ta certifikojë Listën Serbe. Vendimi i PZAP-së është i plotëfuqishëm. Konsideroj që kjo çështje është mbyllur.” – deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    Më 25.12.2024, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ankua në Gjykatën Supreme ndaj Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) – lidhur me rastin e Listës Serbe.

    Pasi u konfirmua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për certifikimin e Listes Serbe, kundër këtij vendimi u shpreh anëtari i  KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi.

    “Ka shumë dëshmi, shumë elemente që unë mendoj që ky subjekt politik nuk meriton të certifikohet.” – tha ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 23.12.2024, nuk e kishte certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.

    Pas votimeve, me 2 vota “për”, 2 “kundër” dhe të të tjerëve anëtarë për mospjesëmarrje në votim, moscertifikimin e LS-së e kishte konstatuar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    “Nuk kalon Rekomandimi i Zyrës për certifikimin e Listës Serbe.” – kishte thënë ai në mbledhjen e KQZ-së, më 23.12.2024.

    Vendimi paraprak ishte marrë, pasi u vlerësua nga ana e disa anëtarëve në KQZ, se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek – gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

    Lista Serbe pas kësaj më 25.12.2024 kishte parashtruar Ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi që nuk u certifikua për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë.

    Ndërsa, PZAP kishte vendosur në favor të kësaj partie.

  • Osmani: Përmbyllëm një vit përplot me aktivitete në përfaqësim të Kosovës në arenën ndërkombëtare

    Presidentja, Vjosa Osmani, ka publikuar një video nga takimet që ka zhvilluar me liderë botërorë dhe nga pjesëmarrjet në mbledhje, konferenca e samite ndërkombëtare në vitin 2024.

    Me këtë rast, ajo ka thënë se po e “përmbyllëm një vit përplot me aktivitete në përfaqësim të Kosovës sovrane në arenën ndërkombëtare”.

    “Përmbyllëm një vit përplot me aktivitete në përfaqësim të Kosovës sovrane në arenën ndërkombëtare. Do të vazhdojmë edhe në vitin 2025 gjithnjë në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani, më 02.01.2025.