Kategori: Lajme

  • Arrestohen katër të dyshuar për posedim të narkotikëve, njëri prej tyre polic

    Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar gjatë mbrëmjes të së mërkurës (01.01.2025) për një rast të posedimit të paautorizuar të narkotikëve, ku dyshohej se ishin përfshirë tre qytetarë dhe një zyrtar policor – jashtë detyrës zyrtare.

    Njoftimi ishte bërë nga Policia e Kosovës.

    “Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë qenë prezent edhe njësi të tjera policore dhe prokurori”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Rasti raportohet të ketë ndodhur para mesnatës kur njësitë policore nga Stacioni Jugu në Prishtinë gjatë patrullimit në rrugën “Bejtush Gërbeshi” kanë ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin katër të dyshuarit.

    “Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur 2 qese të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë (me peshë 1.1 gram) dhe një qese e vogël që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë (me peshë 1 gram)”, thuhet në njoftim.

    Gjatë kontrollit trupor te njëri nga pasagjerët është gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit 7.65 mm dhe një karikator pa fishekë.

    “Në këtë rast janë arrestuar katër të dyshuarit përfshirë edhe zyrtarin policor dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” (dhe armëmbajtje pa leje ndaj të dyshuarit nga i cili është konfiskuar arma e zjarrit)”, shpjegohet në njoftim.

    Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

  • Anulohen 12 fluturime në ardhje në Aeroportin e Prishtinës, ministri Aliu shpjegon shkaqet

    Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, janë anuluar 12 fluturime në ardhje shkaku i mjegullës.

    Këto anulime janë bërë pavarësisht se AP “Adem Jashari” e ka të instaluar sistemin e avancuar të aterimit – ILS CAT 3B.

    Lidhur me këtë zhvillim ka shkruar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, më 02.01.2025.

    “Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional sistemin e avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.

    Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi, sipas tij, kanë aterruar me sukses, ndërsa “fluturimet pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar”.

    “46 ardhje-shkuarje janë realizuar me sukses, derisa 12 janë anuluar në ardhje”, ka shkruar Aliu.

     

  • Pëlcet gypi i ujit, dy fshatra në Vushtrri mbesin pa ujë

    Në fshatin Bruznik të Vushtrrisë ka pëlcitur një gyp i ujit.

    Si pasojë ky fshat bashkë me fshatin Kollë nuk do të kenë ujë deri të premten (03.01.2025).

    “Për shkak të pëlcitjes së gypit kryesor furnizues në fshatin Bruznik, fshati Kollë dhe fshati Bruznik mbesin pa ujë deri ditën e nesërme kur pritet të intervenohet në sanimin e tij”, ka njoftuar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, më 02.01.2025.