Kategori: Lajme

  • Tragjedia në Cetinjë, presidentja e Kosovës solidarizohet me Malin e Zi dhe u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar popullin dhe Qeverinë e Malit të Zi pas rastit tragjik që ka ndodhur në Cetinjë, ku një person ka vrarë së paku 10 persona dhe ka plagosur disa të tjerë.

    Në një postim në rrjetin social “X”, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se solidarizohet me institucionet e Malit të Zi dhe u shpreh ngushëllime familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga të shtënat me armë zjarri në Cetinjë.

    “Mendimet e mia janë me tërë komunitetin që vajton dhe po përballet me këtë akt të tmerrshëm dhune që ka marrë kaq shumë jetë” – ka theksuar presidentja.


    Dorasi i dyshuar A.M. është ende në arrati, derisa Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tre ditë zi kombëtare pas kësaj tragjedie.

     

    https://kallxo.com/lajm/shkon-ne-se-paku-10-numri-i-te-vrareve-ne-cetinje/

  • Uka: 25-vjeçari i lënduar nga fishekzjarret në Prizren është në gjendje kritike

    25-vjeçari i lënduar si pasojë e shpërthimit të fishekzjarreve në një pikë shitjesh të mjeteve piroteknike në Prizen më 31.12.2024 është në gjendje kritike shëndetësore.

    Ai është duke u trajtuar në Klinikën Intensive të QKUK-së.

    Shaqir Uka, shef i Klinikës Intensive në QKUK, për KALLXO.com bëri të ditur se i lënduari po merr trajtim të mëtejshëm në këtë Klinikë.

    “Një pacient 25-vjeçar nga Prizreni po vazhdon të mbetet në gjendje kritike shëndetësore dhe vazhdon të marrë tretman të mëtutjeshëm mjekësor në Mjekimin Intensiv tē QKUK-së” – bëri të dikur Uka.

    Sipas Policisë, nga zjarri i mjeteve piroteknike janë përfshirë nga flakët edhe lokale, banesa e vetura.

     

  • Masakra në New Orleans, i dyshuari shtetas amerikan, në makinë valëvitej flamuri i ISIS-it

    Një shofer ka bërë masakër në lagjen e mirënjohur franceze të Nju Orlinsit në orët e para të ditës së Vitit të Ri, duke vrarë të paktën 10 persona. Ai hyri me makinë përmes turmës, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia, thanë autoritetet.

    Mbi 35 persona u plagosën, pasi sulmi i së mërkurës e shndërroi Rrugën festive Bourbon në një kaos makabër. FBI-ja po e heton ngjarjen si një akt terrorist. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në organizimin dhe kryerjen e këtij sulmi.

    Shoferi është identifikuar me emrin Shamsud-Din Bahar Jabbar, 42 vjeç, thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press gjashtë zyrtarë të agjencive të zbatimit të ligjit, që folën në kushte anonimiteti.

    Hetuesit po punonin për të mbledhur informacion shtesë në lidhje me prejardhjen e autorit dhe po hetonin edhe rreth një flamuri të zi të vendosur mbi automjet.

    Sipas një deklarate të FBI-së, flamuri është i grupit terrorist Shteti Islamik. Sipas FBI-së, i dyshuari Jabbar është shtetas amerikan nga Teksasi dhe po hetohen “lidhje të mundshme me organizata terroriste”.

    Në një foto të qarkulluar për zyrtarët e zbatimit të ligjit shfaqet i dyshuari Jabbar me mjekër dhe i veshur me rroba kamuflazhi pranë kamionit, pasi u vra nga policia.

    I dyshuari Jabbar u vra gjatë një shkpmbimi me armë zjarri me policinë pas sulmit, rreth orës 03:15 të mëngjesit në një zonë të mbushur me njerëz që po festonin ardhjen e Vitit të Ri, tha FBI-ja.

    Hetuesit gjetën një pistoletë dhe një pushkë automatike të llojit AR pas shkëmbimit të zjarrit dhe po bënin kërkime në lagjen franceze për pajisje të mundshme shpërthyese, thanë zyrtarët e zbatimit të ligjit.

    Agjentja e FBI-së, Alethea Duncan tha se zyrtarët po hetonin për të paktën një pajisje shpërthyese të improvizuar në vendngjarje.

    Kryebashkiakja e Nju Orlinsit, LaToya Cantrell i përshkroi vrasjet si një “sulm terrorist”.

    Kryeinspektorja e policisë së Nju Orlinsit, Anne Kirkpatrick tha se shoferi ishte “i vendosur për ta bërë masakrën dhe dëmin që shkaktoi”.

    “Ishte një sjellje shumë e qëllimshme. Ky person po përpiqej të shtypte sa më shumë njerëz që të mundej”, tha zonja Kirkpatrick.

    Pasi automjeti u ndal, shoferi doli dhe hapi zjarr ndaj oficerëve që afroheshin, tha policia. Oficerët iu përgjigjën zjarrit, duke e vrarë shoferin.

    Dy policë u plagosën dhe janë në gjendje të qëndrueshme, njoftoi policia. Krahas tyre janë edhe 33 persona të tjerë të plagosur nga sulmi me automjet.

    Zona ku ndodhi sulmi është një destinacion i preferuar për festimet e Vitit të Ri. VOA