Kategori: Lajme

  • Shkon në dymbëdhjetë numri i të vrarëve në Cetinjë

    (Lajm në zhvillim)

    02.01.2025 – 16:00 – Vukan dhe Jovan Vuletiq më të rinjtë, Radomir Markoviq viktima më e vjetër e tragjedisë në Cetinje

    9-vjeçari Vukan dhe vëllai i tij 5-vjeçar Jovan Vuletiq janë viktimat më të reja të një krimi masiv të kryer pasditen e 01.01.2025 në Cetinje nga 45-vjeçari Aco Martinoviq, raporton media malazeze Vijesti.

    Në tragjedi ka mbetur i vrarë edhe xhaxhai i djemve – Mirko Vuletiq (45).

    Sipas policisë, Martinoviq vrau katër persona në shtëpinë e një të afërmi në Bajice – Radovan dhe Radmila Martinoviq dhe djemtë e tyre, binjakët Millosh dhe Marko Martinoviq. Në shtëpinë e Martinoviqit është plagosur rëndë edhe gruaja e Markos, Marija (38).

    Ndër viktimat e Aco Martinoviq janë Radomir Markoviq (70), Joshoo Otasheviq (55), Branislav Mudresha (60), Dragana Drashkoviq (53) dhe motra e tij Zorica Vuletiq.

    Më 01.01.2025, pak pas orës 17:30, në tavernën “Velestovo”, afër Qendrës Sportive, Martinoviq ka vrarë katër persona.

    Pas kësaj, ai vrau edhe katër persona në Bajice, dhe më pas vrau dy fëmijë në vendbanimin Humci dhe më pas vazhdoi krimin në Donji Kraji, ku vrau motrën e tij dhe një person tjetër.

    Kur policia e rrethoi rreth mesnatës, Martinoviq qëlloi veten në kokë dhe më pas vdiq rrugës për në spital/Vijesti.me.

    02.01.2025 – 15:11 – Në xhepat e Martinoviqit u gjetën 80 plumba

    80 plumba janë gjetur në xhepat e Aco Martinoviqit nga Cetinja, të dyshuarit për vrasjen e 12 personave dhe plagosjen e katër të tjerëve, më 01.01.2025 në Prijestonicë. Përveç municionit të gjetur në xhepat e tij, në karikatorin e pistoletës i janë gjetur edhe disa fishekë të kalibrit 9 mm, mëson jozyrtarisht Vijesti.

    45 vjeçari tentoi vetëvrasjen pranë shtëpisë së familjes në Prijestonicë dhe ndërroi jetë rrugës për në spitalin Danilo I në Cetinje.

    Më 01.01.2025, pak pas orës 17:30, në tavernën “Velestovo”, afër Qendrës Sportive, Martinoviq ka vrarë katër persona.

    Pas kësaj, ai vrau katër persona të tjerë dhe plagosi një person në Bajice, dhe më pas vrau dy fëmijë në vendbanimin Humci dhe më pas vrau motrën e tij dhe një person tjetër në Donji Kraji.

    Mes të vrarëve ishin tri gra dhe dy djem të rinj./Vijesti.me.

    02.01.2025 – 08:20

    Ka shkuar në dymbëdhjetë numri i personave që janë vrarë të mërkurën pasdite më 1 janar në Cetinjë të Malit të Zi, ndërkohë që katër persona janë të plagosur, ka njoftuar prokurorja Andrijana Nastiq pas ekspertizës.

    I dyshuari për këtë vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviq, ka tentuar vetëvrasjen. Ai ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

    Vrasjet kanë ndodhur në pesë lokacione të ndryshme – në lokacionin e parë dhe të dytë janë vrarë katër persona, në të tretin dy fëmijë, ndërsa në lokacionin e katërt dhe të pestë nga një person.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, tha në një konferencë të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i vrasjeve është i panjohur, pasi viktimat ishin miq dhe kumbara të Martinoviqit.

    Ai i vrau katër personat e parë në një lokal, pas një zënke që kishte paraprirë një shoqërim disaorësh.

    Katër persona janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës në gjendje kritike, sipas drejtorit të këtij institucioni Aleksandar Radoviq.

    Sipas deklaratës së Policisë, në mesin e të vrarëve janë disa anëtarë të familjes së Martinoviqit./REL

    00:14-Vdes autori i dyshuar i vrasjeve në Cetinjë

    Personi që dyshohet se është autori i vrasjes së disa personave në Cetinjë, Aco Martinoviq, ka vdekur.

    Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Danilo Sharanoviq, raporton rtcg.me.

    Ministri tha se Martinoviq ka vdekur gjatë transportimit për në Qendrën Klinike në Podgoricë.

    Sipas ministrit, i dyshuari kishte tentuar të bëjë vetëvrasje.

    Së paku 10 persona janë vrarë e disa janë plagosur në një incident që ka ndodhur pasditen e datës 01.01.2025 në Cetinjë të Malit të Zi.

    Ilustrim: Naser Fejza

    23:54

    Tragjedia në Cetinjë, presidentja e Kosovës solidarizohet me Malin e Zi dhe u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar popullin dhe Qeverinë e Malit të Zi pas rastit tragjik që ka ndodhur në Cetinjë, ku një person ka vrarë së paku 10 persona dhe ka plagosur disa të tjerë.

    Në një postim në rrjetin social “X”, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se solidarizohet me institucionet e Malit të Zi dhe u shpreh ngushëllime familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga të shtënat me armë zjarri në Cetinjë.

    “Mendimet e mia janë me tërë komunitetin që vajton dhe po përballet me këtë akt të tmerrshëm dhune që ka marrë kaq shumë jetë” – ka theksuar presidentja.


    Dorasi i dyshuar A.M. është ende në arrati, derisa Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tre ditë zi kombëtare pas kësaj tragjedie.

    23:13

    Tragjedia në Cetinjë, Mali i Zi shpall 3 ditë zie

    Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tre ditë zi kombëtare pas incidentit tragjik që ka ndodhur sot pasdite (01.01.2024) në Cetinjë, ku së paku 10 persona janë vrarë nga një i dyshuar.

    Në një seancë telefonike urgjente Qeveria e Malit të Zi  ka marrë vendim që datat 2, 3 dhe 4 janar të shpallen ditë zie.

    22:52

    Shkon në së paku 10 numri i të vrarëve në Cetinjë

    Ministri malazez i Punëve të Brendshme, Danilo Sharanoviq, ka njoftuar se numri i të vrarëve në incidentin që ka ndodhur sot pasdite në Cetinjë është së paku 10.

    Siç raportojnë mediat e Malit të Zi, Sharanoviq ka thënë se vazhdon kërkimi i të dyshuarit A.M.

    Sipas ministrit, vrasjet janë kryer në katër lokacione të ndryshme.

    Në mesin e viktimave të incidentit tragjik në Cetinjë janë pronari i restorantit ku ka ndodhur incidenti, anëtarë të familjes së tij por edhe anëtarë të familjes së të dyshuarit.

    22:21

    Ministri malazez: Në mesin e viktimave është pronari i restorantit dhe anëtarët e familjes së tij, si dhe anëtarë të familjes së të dyshuarit

    Ministri malazez i Punëve të Brendshme, Danilo Sharanoviq, ka thënë se në mesin e viktimave të incidentit tragjik në Cetinjë janë pronari i restorantit ku ka ndodhur incidenti, anëtarë të familjes së tij por edhe anëtarë të familjes të të dyshuarit.

    “Janë vrarë disa persona, duke përfshirë pronarin e restorantit dhe disa anëtarë të familjes së tij, si dhe anëtarët e familjes së të dyshuarit për vrasjet” – tha Sharanoviq raporton rtcg.me.

    Ministri ka theksuar se të gjitha kapacitetet policore janë dërguar në Cetinjë me synimin për të kapur personin e dyshuar për tragjedinë që ka ndodhur sot, më 01.01.2025.

    Siç raportojnë mediat e Malit të Zi, shtatë persona janë vrarë e katër të tjerë janë plagosur nga i dyshuari A.M.

    20:28

    Tragjedia në Cetinjë, kryeministri i Malit të Zi: Të plagosurit po luftojnë për jetë

    Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili shkoi në Qendrën Klinike ku janë dërguar personat e plagosur në incidentin në Cetinjë, tha për radiotelevizionin publik se të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

    “Një tragjedi e tmerrshme që na ka prekur të gjithëve, të gjithë ekipet janë në terren. Jemi në rrugën e duhur në kërkim të dorasit. Të plagosurit janë të gjithë duke iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike dhe po luftojnë për jetë”- u shpreh Spajiq.

    Në mesin e të plagosurëve janë tre burra dhe një grua.

    20:05

    Dy fëmijë në mesin e 7 të vrarëve në Mal të Zi

    Shtatë persona kanë mbetur të vrarë sot, më 01.01.2025, mes tyre dy të mitur nga të shtënat në Cetinjë, raporton portali i Radiotelevizionit të Malit të Zi.

    Katër persona tjerë të plagosur janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike

    Personi i dyshuar, A. M., është në arrati, sipas mediave.

    19:52

    Shtatë persona kanë mbetur të vrarë sot, më 01.01.2025, nga të shtënat në Cetinjë, raporton portali i Radiotelevizionit të Malit të Zi.

    Personi i armatosur është në arrati.

    Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos dalin jashtë.

    Dyshohet se rasti tragjik ka ndodhur pas një përleshjeje fizike në një lokal.

    Për incidentin ka raportuar edhe portali Vijesti.

     

  • SHBA, sanksione entiteteve ruse dhe iraniane të përfshira në fushata dezinformimi

    Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy entiteteve të lidhura me përpjekjet e Iranit dhe Rusisë për të përhapur dezinformim tek votuesit amerikanë përpara zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën nëntorin e vitit që lamë pas.

    Zyrtarët e Departamentit të Thesarit njoftuan vendimin të martën ndërsa thanë se dy entitetet përhapën informacione të rreme që synonin të nxisnin tensione politike dhe të godisnin kandidatët për president, përpara procesit zgjedhor të 5 nëntorit.

    Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi nëpërmjet një deklarate se një organizatë e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit dhe një organizatë e lidhur me agjencinë ushtarake ruse të zbulimit synuan të “nxisin tensione shoqëroro-politike dhe të ndikojnë në elektoratin amerikan gjatë zgjedhjeve amerikane të vitit 2024”.

    “Qeveria e Iranit dhe ajo e Rusisë vendosën në shënjestër proceset tona zgjedhore dhe institucionet, si dhe synuan të përçajnë popullin amerikan përmes fushatave të qëllimta të dezinformimit”, tha Zëvendës-sekretari në detyrë i Thesarit për Terrorizëm dhe Zbulim Financiar, Bradley Smith.

    Sipas autoriteteve, Qendra për Ekspertizë Gjeopolitike (CGE), me seli në Moskë, përhapi dezinformata për kandidatët presidencialë dhe financoi e orkestroi krijimin e fotografive dhe videove të manipuluara përmes inteligjencës artificiale ‘deepfakes’.

    Veçse ndaj grupit, sanksione u vunë edhe ndaj drejtorit të saj, që sipas autoriteteve kishte bashkëpunuar ngushtë me agjencinë ushtarake ruse të zbulimit dhe kishte mbikqyrur sulmet kibernetike dhe aktet e sabotimit kundër Perëndimit.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, grupi Iranian, ‘Cognitive Design Production Center” është një degë e Gardës Revolucionare Paraushtarake të Iranit, e cila është përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara si organizatë terroriste.

    Sipas Departamentit të Thesarit ky grup planifikoi operacione për të ushtruar ndikim të paktën që nga viti 2023.

    Agjencitë amerikane të zbulimit kanë fajësuar qeverinë e Iranit se është përpjekur të nxisë protesta në Shtetet e Bashkuara lidhur me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë.

    Irani po ashtu është akuzuar se ka kryer sulme kibernetike ndaj adresave elektronike të disa prej zyrtarët më të lartë aktualë dhe të mëparshëm të Shteteve të Bashkuara, përfshirë zyrtarë të lartë të ekipit të fushatës zgjedhore të zotit Donald Trump.

    Në muajt para zgjedhjeve të nëntorit, zyrtarët amerikanë të zbulimit thanë se Rusia, Irani dhe Kina kishte synuar të godisnin besimin në demokracinë amerikane.

    Ata arritën në përfundimin se Rusia dukej se synonte të përkrahte fitoren e zotit Trump. Nga ana tjetër, sipas zyrtarëve, Irani dukej se kundërshtonte kandidaturën e zotit Trump.

    Gjatë mandatit të parë presidencial, zoti Trump i dha fund marrëveshjes bërthamore me Iranin, vendosi sërish sanksione ndaj Teheranit dhe urdhëroi vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani, një akt që nxiti zotimin e udhëheqësve iranianë për hakmarrje.

    Zyrtarët rusë dhe iranianë kanë hedhur poshtë akuzat se janë përpjekur të ndikojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2024.

    “Rusia nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera”, tha në një përgjigje për agjencinë e lajmeve Associated Press një zëdhënës i ambasadës ruse në Uashington. VOA

  • Hungaria humb fonde të BE-së në vlerë të 1 miliard eurove

    Hungarisë i janë mohuar edhe zyrtarisht fondet e Bashkimit Evropian në vlerë të 1 miliard eurove për shkak të dyshimeve për korrupsion.

    Ky vendim, që është konfirmuar përmes një deklarate të BE-së, të lëshuar më 31 dhjetor, shënon herën e parë që blloku evropian ka vepruar kështu ndaj një vendi anëtar.

    Budapesti nuk e ka komentuar vendimin.

    Kjo shumë parash ka qenë pjesë e pakos së fondeve prej 19.7 miliardë eurove që janë ngrirë prej vitit 2022, kur Brukseli pati nisur procedura të “kushtëzimit” kundër Hungarisë.

    Këto procedura i kanë bllokuar fondet për shkak të dyshimeve se Qeveria hungareze i ka shkelur rregullat për prokurim publik, si dhe parimet për kontrollin dhe transparencën.

    Budapesti i ka bërë disa reforma në mënyrë që fondet t’i zhbllokoheshin, mirëpo afati i fundit për lëshimin e fondeve të reja ka skaduar më 31 dhjetor.

    Kjo nënkupton që Hungaria i ka humbur fondet në vlerë të 1.04 miliard eurove.

    Në një raport të publikuar në korrik, Komisioni Evropian pati thënë se Hungaria nuk i ka plotësuar standardet demokratike të BE-së, sidomos kur është fjala për financim politik, konflikt interesi dhe pavarësi të mediave.

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban është zotuar në të kaluarën se do të luftojë për të mbrojtur “paranë që na përket neve”.

    “Ata përpiqen vazhdimisht t’i marrin paratë e hungarezëve përmes mënyrave të ndryshme”, ka thënë ai në dhjetor.

    Ekonomia e Hungarisë po përballet së fundmi me vështirësi, duke rritur presionin ndaj Orbanit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2026. REL