Kategori: Lajme

  • Xhaferi krenohet me shërbimin e “Arkitektit të Kryeqytetit”, kritikon Ministrinë e Infrastrukturës

    Kandidati për deputet nga LDK-ja, Krenar Xhaferi, gjatë emisionit “Debat Përnime” ka shpalosur planet për investime kapitale të parapara me programin e tyre zgjedhor dhe me këtë rast ka folur edhe për shërbimin e “Arkitektit të Kryeqytetit”.

    Xhaferi përmendi një varg projektesh që ka projektuar “Arkitekti i Kryeqytetit”, që sipas tij, janë shumë të rëndësishme për Prishtinën.

    “Arkitekti i Kryeqytetit e ka mbyllë projektin e platformës Pallati i Rinisë me Arbërinë, e cila është kontraktuar dhe i kemi filluar punimet, Është nënkalimi te [rruga] Agim Ramadani, i cili është në fazën e fundit të kontraktimit. Po ashtu e kemi sheshin ‘Xhorxh Bush’ edhe shumë projekte të tjera të cilat janë përmbyllë në kuadër të ‘Arkitektit të Kryeqytetit’”- tha ai.

    Pa u diskutuar nuk kaloi as aplikimi i shpeshtë i kontratave për punët shtesë, që është 10%-shi i shumës totale të kostos së projektit.

    Lidhur me këtë çështje, Xhaferi tha së të tilla kontrata janë shumë evidente në Ministrinë e Infrastrukturës. Sipas tij, Komuna e Prishtinës qëndron më mirë në këtë aspekt.

    “Prishtina ka më së paku 10%-sha në krahasim me krejt nivelet tjera. Është fakt kjo që po e përmend. Së paku në Ministrinë e Infrastrukturës, 10%-shët janë shumë evident”- tha Xhaferi.

    Mirëpo, për evitimin e një praktike të tillë, sipas tij, duhet të ketë më shumë profesionistë të fushës në menaxhimin  e kontratave, përfshirë këtu inxhinierë e mbikëqyrës të kontratave.

    “Përderisa në Komunën e Prishtinës një kontratë mbikëqyret prej 6 inxhinierëve, është mbikëqyrësi i menaxherit, menaxheri dhe janë ekipi profesional i secilës fushë, në ministri është një menaxher për krejt kontratat. Po flasim këtu për mbikëqyrje të asfaltit dhe investimeve infrastrukturore dhe besoj që edhe ajo frymë do të përcjellët edhe në nivelin qendror, sepse duhet të ketë ekip më të madh profesional që secili jep të jep përgjegjësi për fushën e vetë”- tha ai.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.

    Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-bujqesine-infrastrukturen-dhe-ambientin-aviokompani-central-me-gaz-dhe-mbeshtetje-per-bujqit/

  • Gjatë kohës kur ishte U.D. kryeshef i ‘Trepça’ pretendohet se bëri shkelje, suspendohet nga puna Enis Abdurrahmani

    Ish-ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv i Ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani është larguar përkohësisht suspenduar nga puna, me vendim të Ushtruesit aktual të Detyrës së Kryeshefit, Faton Ahmeti.

    Kështu është bërë e ditur në njoftimin e ndërmarrjes ‘Trepça’ më 31.01.2025, në të cilin thuhet se Abdurrahmani sa ka qenë në postin e u.d kryeshefit e ka keqpërdorur pozitën, duke u emëruar Epror i Lartë i Skuadrave të shpërthimit dhe kompensuar kundërligjshëm për çdo muaj.

    “Pasi duke u bazuar në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Trepça Sh.A. për vitin 2023 z.E.A. duke keqpërdorur pozitën sa ka qenë ish-KE i ‘Trepça Sh.A’ është emëruar Epror i Lartë i skuadrave të shpëtimit dhe është kompensuar kundërligjshëm për çdo muaj”- thuhet në njoftim.

    Gjithashtu siç potencohet në njoftim ish ushtrues i detyrës së kryeshefit i ka shkaktuar dëm financiar ndërmarrjes duke i vendosur shtesat në rrogën bazë.

    “Sa ka qenë KE ka nxjerr vendimin me nr.prot: 2673 të datës 18.05.2023 në kundërshtim me Rregulloren për Sistematizimin e vendeve të punës në njësinë biznesore Minierat me Flotacion Trepça Stantërg me nr.prot:2778 të datës 26.05.2023, ku në rregullore ceken paga bazë si dhe shtesat ndërsa i njëjti me këtë vendim shtesat i ka vendosur në pagën bazë, kështu i njëjti ka shkaktuar dëm financiar”- theksohet në njoftim.

    KALLXO.com kontaktoi Enis Abdurrahmanin për të marrë një qëndrim mirëpo i njejti nuk ka kthyer përgjigje.

    Në shtator të 2023-tës KALLXO.com raportoi se pas gati dy vitesh, si Ushtrues i Detyrës së Kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani është shkarkuar nga kjo pozitë.

    Vendimin e kishte marr Bordi Mbikëqyrës i kësaj ndërmarrje vetëm pak minuta para se të shkarkohej nga ekzekutivi që drejtohet nga Albin Kurti.

    Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministrja e Ekonomisë, kishte propozuar shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, propozim i cili mori votat e kabinetit qeveritar.

    Në anën tjetër, në mbledhjen që nisi në ora 10:00, Bordi Mbikëqyrës në krye me Bahri Hysenin pas shqyrtimit të raporteve të prodhimit, financiare e të shitjes, vendosi që të shkarkoi Abudurrahamanin.

    Në vend të tij, Bordi emëroi U.D kryeshef, Enis Muzaqin.

    “Për shkak te mos përmbushjes se detyrave te punës, neglizhencës dhe keq menaxhimit Bordi Mbikëqyrës i “Trepça”, Sh. A. vendosi njëzëri te shkarkoje nga detyra e U.D. Kryeshefit të “Trepça”, Sh. A. z. Enis Abdurrahmani” – thuhej në njoftim.

    KALLXO.com kishte raportuar edhe se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se ndërmarrja publike “Trepça” gjatë vitit 2023 ka paguar pensione të parakohshme për 288 punëtorë, pa bazë ligjore.

    Sipas raportit të ZKA-së, “Trepça” kishte realizuar pagesa në emër të pensioneve të parakohshme, për mesatarisht 288 persona në vlerë totale 70 mijë e 550 euro, duke u bazuar në një vendim të menaxhmentit të vitit 2006.

    Tutje, sipas ZKA-së, rreth 240 prej tyre që kanë marrë pensione nga ndërmarrja, kanë marrë pension mujor të parakohshëm edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që bordi mbikëqyrës të sigurojë veprime konkrete pë të trajtuar çështjen e kompensimeve. Me këtë të gjetur të ZKA-së menaxhmenti i “Trepça” është pajtuar.

    Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për ndërmarrjen publike “Trepça” mund ta gjeni KËTU.

     

  • LDK zotohet për heqjen e akcizës së naftës për bujqit dhe për zgjerim të sistemit të ujitjes në Kosovë

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në programin e saj zgjedhor për sektorin e bujqësisë ka paraparë sigurime bujqësore, heqjen e akcizës së naftës për bujqit, heqjen e normës së interesit të kredive për bujqit dhe zgjerimin e sistemit të ujitjes në Kosovë.

    Kandidati për deputet nga kjo parti, Alban Zogaj, mungesën e sigurimeve bujqësore e sheh si një nga problemet më të mëdha që po ndikon në zhvillimin e bujqësisë në vend.

    Në “Debat Përnime” më 31.01.2025, ai tha se përmes një komunikimi serioz me kompanitë e sigurimeve dhe Bankën Qendrore të Kosovës, do të mundësohet që të ofrohet sigurimi bujqësor, mirëpo garantues i këtyre sigurimeve, sipas tij, do të jetë vetë Qeveria.

    “Duhet një komunikim dhe një qasje serioze me kompanitë e sigurimit edhe Bankën Qendrore të Kosovës. Ne duhet me kërku prej kompanive të sigurimit që produktet bujqësore me i fut në gamën e tyre të shërbimeve dhe në qoftë se ka problem, ne si Qeveri me i garantu këto sigurime”- tha ai.

    Ndërsa, kandidati Xhafer Tahiri për jetësimin e sigurimeve bujqësore tha se duhen edhe reforma në kuadrin ligjor.

    “Fillimisht për këtë çështje duhet të bëhen reforma ligjore, duhet të ndryshohet korniza aktuale ligjore”- tha ai.

    Në planet e LDK-së është edhe heqja e akcizës së naftës për bujqit.

    “Kemi propozuar edhe heqjen e akcizës për naftën e krejt firmave bujqësore. Pra, nafta që shkon në drejtim të bujqësisë- akciza do të jetë e hequr. Kjo e bënë lëndën e parë për bujqësinë të jetë më e lirë dhe kështu i jep mundësi bujqësisë më u zhvillu edhe me pasë produktivitet dhe profit më të lartë”- tha Alban Zogaj.

    LDK planifikon gjithashtu të subvencionoj edhe normën e interesit për kredit që i marrin bujqit.

    Për këtë, kandidati Xhafer Tahiri tha se “do të krijohet një fond i veçantë nga Qeveria e Kosovës që garanton normën e interesit”.

    “Bujqit do të kthejnë vetëm atë që e kanë marrë, [ndërsa] normën e interesit do ta mbuloj Qeveria përmes këtij fondi”- tha ai.

    Në vazhdën e këtyre planeve dhe projekteve pritet të punohet edhe në aspektin e formalizmit të bujqve, e për një gjë të tillë, LDK parasheh që bujqit të stimulohen edhe përmes subvencioneve.

    “Me të vërtetë në duhet të punojmë më bujqit në disa drejtime që ata më u formalizu në tërësi. Firmat e mëdha bujqësore veçse janë krejtësisht të formalizuara, por ne duhet të punojmë edhe më bujqit e vegjël. Pra me i stimulu përmes subvencioneve. Me ju ofru subvencione atyre që formalizohen dhe që e rrisin qarkullimin edhe bëhen të aftë me pasë qasje në kredi”- tha Zogaj.

    Ndërsa, kandidati Xhafer Tahiri tha se formalizimet nuk do të behën si ato që janë bërë në Qeverinë aktuale, por përmes një sistemi të rregulluar.

    Për zhvillimin e bujqësisë, LDK parasheh investime edhe në zgjerimin e sistemit të ujitjes.

    “Aktualisht në Kosovës kemi vetëm rreth 20 mijë hektarë nën sistemin e ujitjes, apo vetëm 4.8% e tokës bujqësore. Programi ynë parasheh investime të menjëhershme në rehabilitim, fillimisht në sistemin aktual të ujitjes së tokave bujqësore dhe pastaj në ndërtimin e kapaciteteve të reja”- tha Xhaferi.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.

    Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-bujqesine-infrastrukturen-dhe-ambientin-aviokompani-central-me-gaz-dhe-mbeshtetje-per-bujqit/