Kategori: Lajme

  • Policia: Festimet për Vitin e Ri kaluan kryesisht të qeta

    Policia e Kosovës ka thënë se festimet në vendin tonë për Vitin e Ri kanë kaluar kryesisht të qeta dhe pa incidente me pasoja fatale.

    Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se për të menaxhuar situatën e sigurisë, ka hartuar dhe zbatuar një urdhër urdhër operativ për shtimin e masave të sigurisë dhe prezencës policore, në lokacione apo ambiente ku pritej të kishte përqendrim më të madhe të qytetarëve gjatë festimeve.

    Sipas Policisë, në fokus të këtij urdhëri ka qenë mbikëqyrja dhe kontrolli në trafikun rrugor, menaxhimi i pikave kufitare, përfshirë aeoportin.

    “Mund të veçohet disa raste ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ zjarr vënie, lëndim trupor, armëmbajtje pa leje etj, të cilat në konsultim me prokurorin policia ka iniciuar raste për trajtim dhe kompetencë të mëtejme ligjore” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Sipas Policisë, në disa rajone janë raportuar incidente me lëndime trupore dhe dëme material, si pasojë e mjeteve piroteknike.

    “Policia e Kosovës uron të gjithë qytetarët që ky vit i ri (2025) të jetë vit i mbarë për të gjithë, të jetë vit i vazhdimit të bashkëpunimit dhe transparencës, gëzimit të lirisë dhe të drejtave njerëzorepa dallim, ku qytetarët e të gjitha komuniteteve të jetojnë dhe veprojnë të sigurt, të qetë dhe në harmoni të plotë me njëri tjetrin” – thuhet në njoftim.

  • Kurti: Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët

    Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij është qeveria që më së shumti ka pasur në fokus, sipas tij, politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti këtë e tha pasi bëri të ditur se mbrëmë ka vizituar fëmijët që kanë lindur të parët në vitin 2025.

    “Menjëherë pas mesnatës iu bashkuam gëzimit të zonjës Teutë për vajzën e saj Poemën dhe zonjës Fortesë për djalin e saj Diamantin, që erdhën në jetë të parët gjatë ndërrimit të motmoteve. Edhe nënat edhe foshnjat ishin shumë mirë me shëndet. Ne u uruam mbarësi dhe jetë të gjatë bashkë me familjet e tyre” – ka shkruar Kurti.

    “Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët, dhe do të vazhdojmë kësisoj edhe në këtë vit që sapo hymë. Investimi dhe mbështetja e vazhdueshme e gjithnjë më e madhe për ta është qenësore për popullin dhe të ardhmen tone”.

  • Prishtina aktualisht në vendin e tretë me ajrin më të ndotur në botë

    Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është aktualisht në vendin e tretë për ajrin më të ndotur në botë.

    Sipas faqes IQAir, që bën matjen e cilësisë së ajrit në nivel global, para Prishtinës me ajër më të ndotur janë vetëm Dhaka në Bangladesh dhe Lahore në Pakistan.

    Sipas të dhënave të kësaj faqe, indeksi i cilësisë së ajrit (AQI) në Prishtinë aktualisht është 224, që është shumë i pashëndetshëm.

    Në top 10 vendet me cilësinë më të ndotur të ajrit hynë edhe Sarajeva në vendin e pestë, si dhe Shkupi në vendin e dhjetë.

    Ndërsa sipas matësit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, indeksi është 218, që po ashtu llogaritet si shumë i pashëndetshëm.

    Sipas Ambasadës Amerikane, AQI nga 201 deri në 300 konsiderohet si cilësi shumë e pashëndetshme. Kjo, sipas tyre, do të shkaktonte alarm shëndetsor që do të thotë se çdokush mund të përjetojë efekte të rënda shëndetësore.