Kategori: Lajme

  • Zelensky: Trump t’ia mbajë anën Ukrainës, Putini nuk i frikësohet Europës

    Ukrainës i duhen garanci më të mëdha sigurie dhe presidenti rus Vladimir Putin nuk i frikësohet Europës – ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për Fox News, në një intervistë ku i kërkoi presidentit amerikan Donald Trump të mbajë anën e Ukrainës – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Trump, i cili mori detyrën më 20.01.2025, ka premtuar se shpejt do t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë, por pa treguar sesi. Këshilltarët e tij kanë sugjeruar se arritja e Marrëveshjes mund të marrë muaj të tërë. Trump ka shprehur gatishmërinë për të folur me Putinin për përfundimin e luftës – një kontrast me Administratën e ish-presidentit demokrat Joe Biden, i cili e shmangu liderin rus.

    Fitorja zgjedhore e Trumpit në nëntor ngjalli shpresën për zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Moska, që filloi në shkurt 2022, por gjithashtu shtoi frikën në Kiev se Marrëveshja e menjëhershme e paqes mund të ketë një çmim të lartë për Ukrainën.

    “Ne duam që ai (Trump) të jetë në anën e drejtësisë, në anën e Ukrainës.” – ka deklaruar Zelensky në intervistën e transmetuar të martën mbrëma, më 28.01.2025, sipas kohës lokale amerikane. “Putini nuk ka frikë nga Europa”.

    Zelensky ka shtuar se Ukraina nuk mund ta pranojë pushtimin rus, por preferoi zgjidhje diplomatike.

    Shtëpia e Bardhë nuk doli me asnjë koment të menjëhershëm.

    Pas fillimit të pushtimit rus Shtetet e Bashkuara nën Bidenin i dhanë mbi 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën – duke përfshirë mbi 60 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë. Nuk është e sigurt nëse ndihma do të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe nën Trumpin.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Trump fton Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë – thotë Izraeli

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për një takim në Shtëpinë e Bardhë, më 04.02.2025 – ka thënë Zyra izraelite të martën.

    “Netanyahu është lideri i parë i huaj i cili është ftuar në Shtëpinë e Bardhë në mandatin e dytë të Trumpit.” – është thënë në deklaratë.

    Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e ka konfirmuar ftesën dhe ka thënë se takimi do të realizohet “në fillim të javës tjetër”.

    “Hollësitë do të bëhen publike kur të finalizohen.” – ka thënë ky zyrtar.

    Takimi mes Trumpit dhe Netanyahut vjen pasi Presidenti amerikan ka deklaruar se është përgjegjës për arritjen e armëpushimit në mes të Izraelit dhe Hamasit në Gazë, pas disa muajve të negociatave të pasuksesshme.

    Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

    Përgjatë mandatit të parë Trump ka thënë shpesh se Izraeli “nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë” dhe kjo gjë është pohuar shpesh nga Netanyahu.

    Pak pas nisjes së mandatit të dytë, Trump e ka miratuar dërgimin e 2.000 bombave në Izrael, ndonëse ish-presidenti Joe Biden nuk pati lejuar diçka të tillë.

    Netanyahu e ka përshëndetur Trumpin që i ka ofruar Izraelit ato që i ka konsideruar “pajisje” për të mbrojtur veten./REL

  • Moti të mërkurën në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën, më 29.01.2025, moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me riga shiu.

    Sipas njoftimit temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet 3°C dhe 5°C, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 9°C deri në 11°C.

    “Do të fryjë erë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.” – thuhet në njoftim.