Kategori: Lajme

  • Së paku shtatë të vdekur në rrëmujën e Festivalit “Maha Kumbh” në Indi

    Të paktën shtatë persona kanë vdekur dhe rreth 10 të tjerë janë plagosur në një rrëmujë në Maha Kumbh Mela në Indinë veriore të mërkurën, ka njoftuar një zyrtar, ndërsa dhjetëra-miliona persona ishin mbledhur për zhytjen e shenjtë në ditën kryesore të Festivalit indus gjashtëjavor – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Ngjarja ndodhi ndërmjet 1 dhe 2 të mëngjesit pranë arenës ku ishin vendosur barrikada për menaxhimin e turmës gjatë zhytjes së tyre të shenjtë – ka theksuar Yogi Adityanath, kryeministër i shtetit Uttar Pradesh, ku mbahet Festivali.

    Kryeministri Narendra Modi, në një postim në X, ka shprehur ngushëllime për “adhuruesit që kanë humbur të dashurit e tyre”, por nuk specifikoi numrin e të vdekurve.

    “Administrata lokale është e angazhuar për të ndihmuar viktimat në çdo mënyrë.” – ka theksuar ai.

    Adityanath shtoi se situata ishte nën kontroll, por turma ishte ende masive.

    Një zyrtar i lartë shtetëror ka theksuar se “më shumë se shtatë persona janë vrarë në rrëmujë dhe rreth 10 të tjerë janë plagosur”. Zyrtari nuk deshi të identifikohej, pasi nuk është i autorizuar të fliste për media.

    Videot dhe fotografitë pas rrëmujës treguan trupat që merreshin me barela dhe njerëz të ulur në tokë duke qarë, ndërsa të tjerët kaluan mbi rroba, këpucë, çanta shpine dhe batanije të lëna nga ata që përpiqeshin t’i shpëtonin rrëmujës.

    Një dëshmitar ka theksuar për Reuters se ka parë disa trupa të pajetë, teksa dhjetëra ambulanca po nxitonin drejt bregut të lumit ku ndodhi incidenti.

    Dëshmitarët thanë se kishte një rrëmujë të madhe pranë bashkimit të tre lumenjve të shenjtë – ku zhytja konsiderohet veçanërisht e shenjtë – që bëri që besimtarët të binin mbi njëri-tjetrin. Kryeministri Adityanath u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën.

    “Ne kishim barrikada para nesh dhe policë me shkopinj në anën tjetër. Shtytja nga pas ishte shumë e fuqishme… njerëzit filluan të binin.” – ka thënë Vijay Kumar, i cili shkoi në Festival prej qytetit lindor Patna.

    “Kishte njerëz të shtrirë përreth, nuk e di nëse ishin të vdekur apo gjallë.”

    Një grua që ishte pjesë e turmës, por nuk tregoi emrin, ka treguar për Agjencinë e lajmeve ANI se njerëzit “vazhdonin të shkelnin” nënën e saj dhe atë teksa ato kishin rënë përtokë.

    “Unë jam mirë, por nëna ka vdekur.” – ka thënë ajo.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • IPK nis hetime për një rast të shkrepjes aksidentale të armës së zjarrit të një zyrtari policor në Mitrovicë të Jugut

    Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka nisur hetimet për një rast të shkrepjes aksidentale të armës të një zyrtari policor.

    Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në një pompë të derivateve në afërsi të Mitrovicës së Jugut, të martën, më 28.01.2025. 

    Beka tha se për këtë rast nuk ka ndonjë të lënduar, por se janë shkaktuar vetëm dëme materiale. 

    “Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim më prokurorin kompetent kurse veprimet tjera do të ndërmirren konform autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor”- theksoi Beka. 

    Për rastin ai tha se IPK është njoftuar nga Policia.

  • Abdixhiku: Fushë-Kosova – bastion i pamposhtur i Lidhjes Demokratike

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 28.01.2025 ka thënë se në Fushë-Kosovë janë detyruar t’i heqin karriget sepse nuk kishte vend më për qytetarët që shkuan në tubim.

    Ai e ka quajtur Fushë-Kosovën “bastion të pamposhtur të Lidhjes Demokratike”.

    Sipas tij, qytetarët gjithandej vendit kanë vendosur dhe janë bërë një me LDK-në.

    “Për mua, dhe për ne në LDK, këto zgjedhje janë refuzim kategorik ndaj dështimit të shtetit, dhe hap i guximshëm drejt ndryshimit të vërtetë! Sepse Kosova nuk mund të përballojë më dështime! Ne nuk mund ta lejojmë më largimin e të rinjve nga vendi! Koha për ndryshim është tani”- ka shkruar ai.

    Ndërsa, ka thënë se “është koha të veprojmë për të rinjtë që nuk duan të largohen nga atdheu, për bizneset që kërkojnë mundësi ta zhvillojnë vendin, dhe për çdo familje që meriton jetë më të mirë”.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.