Kategori: Lajme

  • Kurti: Qeveria e Kosovës ka planifikuar projekte kyçe infrastrukturore në Therandë

    Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të fushatës zgjedhore ka mbajtur një tubim në Suharekë më 28.01.2025.

    Në tubimin me qytetarë, kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se Qeveria e Kosovës ka planifikuar projekte kyçe infrastrukturore në Suharekë, të cilës ai i është referuar si Therandë.

    Ndërsa ka theksuar autostradën e re dhe digën në Dragaqinë.

    “Qeveria e Kosovës ka planifikuar projekte kyçe infrastrukturore në Therandë, si autostradën e re dhe digën në Dragaqinë. Shumë projekte kapitale në Therandë mbulohen nga buxheti qendror por hiqet tabela treguese sepse provohen të përvetësohen. Rreth 88.5% e buxhetit të komunës së Therandës vjen si grant qeveritar, që është një dëshmi e përkushtimit të qeverisë tonë për ta ndihmuar Therandën, pavarësisht përkatësisë politike”- ka thënë ai.

    Tutje Kurti ka thënë në qeverisjen e tij, prona e “Damper”-it iu kthye shtetit.

    “Me ish-qeveritë, ish-punëtorët e Ballkanit për 20 vjet pritën shpagimin e djersës së tyre dhe prona e ‘Damper’-it pritej të bëhej supermarket. Me qeverinë tonë, pronën e ‘Damper’-it ia kthyem shtetit, shteti ia kaloi ushtrisë sonë, e me paratë që shteti i siguroi nga kjo, 20 vjet pas i pagoi ish-punëtorët e Ballkanit. Nuk ka grevë të punëtorëve, ka ushtri të Kosovës, mirëqenie dhe siguri për Therandën”- ka thënë ai.

    Në mbledhjen e mbajtur më 30.05.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të IGK “Ballkan”, njësia “Damper” (ish-kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në komunën e Suharekës.

    Mirëpo, në vitin 2018 Qeveria e Kosovës e asaj kohe kishte marrë vendim që e tërë prona me sipërfaqe mbi 30 hektarë, e njohur si “Damperi” t’i kalojë në pronësi Komunës së Suharekës.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Marrëveshjes për faturimin e shpenzimeve të ujit i bashkohet edhe Komuna e Leposaviqit

    Faturat e ujit të banorëve të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq do të inkasohen dhe faturohen nga Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.

    Kështu parasheh marrëveshja e nënshkruar mes KRU “Mitrovica” dhe kryetarëve të Komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut më 16.01.2025.

    Meqë në këtë ditë nuk ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, të njëjtën marrëvëshje sikurse kryetarët e tjerë të komunave veriore e nënshkroi edhe ai më 28.01.2025.

    “Duke u nisur nga fakti se “Uji është jetë” dhe pasur parasysh se çdo qenie njerëzore ka të drejtë të ketë qasje të barabartë në ujë të pijes, sot, Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” në Mitrovicë dhe Kryetari i Komunës së Leposaviqit z. Lulzim Hetemi nënshkruan marrëveshjen për ofrimin e shërbimimeve të Ujësjellesit”- thuhet në njoftimin e Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.

    Ndryshe, KALLXO.com raportoi më 16.01.2025 se të pranishëm në ceremoninë e kësaj marrëvëshejeje ishin ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri Getoar Mjeku, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, dhe kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut edhe Mitrovicës së Veriut.

    Ministrja Rizvanolli kishte thënë se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetarët e këtyre komunave.

    “Deri më sot (16.01.2025) KRU “Mitrovica” ka qenë e kufizuar në tre rajone, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj. Nga sot kjo po ndryshon duke lidhur marrëveshje me katër komuna. Çështja e mospagesës në veri është diçka që e ka rënduar KRU Mitrovicën ndër vite. Ftoj komunat dhe ndërmarrjen të bashkëpunojnë ngushtë sepse do të jetë një proces kompleks i identifikimit të pranimit teknik”- kishte thënë Rizvanolli.

    Ndërsa kryeshefi i Ujësjellësit bëri të ditur se këto komuna do të marrin shërbime nga KRU “Mitrovica”. Gjithashtu, sipas tij, do të bëhet edhe inkasimi e faturimi.

    “Nga sot (16.01.2025) do të marrim në shërbim katër komunat veriore. Do të bëhet evindentimi i konsumatorëve, vendosja e ujëmatësve si dhe faturimi e inkasimi. Për këtë periudhë transitore, e kemi caktuar një afat kohor, datën 31.12.2025. Duhet të gjejmë zgjidhje edhe për organin paralel”- kishte thënë Kurti.

    https://kallxo.com/lajm/kru-mitrovica-nenshkruan-marreveshja-per-sherbim-inkasim-dhe-faturim-me-4-komunat-e-veriut/

    Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se ujësjellësi në këtë komunë funksionon ende me sistem paralel.Gjatë debatit në “Jeta në Komunë”, Atiq tha se ujësjellësi ende menaxhohet nga ndërmarrja “Vodovod” i Serbisë.

    “Ujësjellësi i Komunës së Veriut ende është me sistem paralel, nuk është hy në sistem të Kosovës. Normal mu më kish konvenu me marr prej ditës së parë nën kontroll, nën udhëheqje mirëpo për shkak të gjendjes politike jena ku jena. As nuk paguhet uji e as nuk e kemi në menaxhim ndërmarrjen. Ndërmarrja që e menaxhon ujësjellësin quhet “Vodovod”- kishte thënë kryetari.

  • Protestat në Serbi, bllokohet rruga në Kralevë, qytetarët e Kosovës inkurajohen të shmangin kalimet në pikën kufitare në Jarinjë 

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës njofton se rruga në Kralevë, në Serbi, është bllokuar nga protestuesit, të cilët nuk po lejojnë qarkullimin e automjeteve. 

    Andaj, lidhur me këtë, ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin rrugën që të shpie në pikën kufitare në Jarinjë dhe të ë shrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim. 

     “Me qëllim të evitimit të kësaj rruge dhe pengesave në rrugë që shpiejnë në PKK Jarinje, inkurajojmë udhëtarët që të shfrytëzojnë PKK tjera, deri në njoftim tjetër. Ju falënderojmë për bashkëpunim. Për më shumë kontaktoni në numrat 045198000, 045198606 dhe në numrin pa pagesë 080050095”- thuhet në njoftimin e datës, 28.01.2025. 

    Ndryshe, mijëra studentë dhe qytetarë në Serbi, janë duke protestuar duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor.

    Ndërkaq, si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq njoftoi të martën (28.01.2015) dorëheqjen nga posti.

    Dorëheqja vjen pas valës së protestave që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se dy muaj.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot, më 28.01.2o25, se është i hapur “edhe për qeveri të re, edhe për zgjedhje të reja”.