Kategori: Lajme

  • Senati i UP-së kthen mbrapsht avancimin e një kandidati në Filozofik, kalojnë tre të tjerë

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu në mbledhjen e Senatit të UP-së të mbajtur më 29.01.2025 njoftoi se Fakulteti Filozofik në UP i ka ndjekur procedurat dhe i ka propozuar kandidatët për katër pozitat sipas konkursit të datës 31.05.2023.

    Senati i UP-së në mbledhjen e datës 27.11.2024 i kishte votuar njëzëri tri masa, të cilat i kishte rekomanduar rektori Hajrullahu që të ndërmerren ndaj rastit të konkursit të datës 31.05.2023 të Fakultetit Filozofik, në të cilin u raportua për konflikt interesi të avancimit të tre profesorëve e riemërimit të një asistenteje.

    Pas rezultateve të konkursit të datës 31.05.2023, tre kandidatët: Dorajet Imeri, Mentor Hasani, Avdyl Gashi u avancuan në profesor-asistentë, kurse kandidatja Natyra Agani u riemërua në asistente në Fakultetin Filozofik të UP-së.

    Më 16.08.2024, KALLXO.com publikoi hulumtimin se këta tre kandidatë – Dorajet Imeri, Mentor Hasani e Avdyl Gashi mund ta shihnin anulimin e titullit profesor-asistent në Fakultetin Filozofik, ndërsa Natyra Agani atë të asistentes.

    Sipas hulumtimit, në procedurat e rekrutimit të konkursit të majit të vitit 2023, anëtarët e Këshillit të Fakultetit Filozofik morën pjesë në vendimmarrje të konkursit ku vetë ishin zgjedhur në pozita akademike.

    Se ekziston konflikti i interesit në konkursin e datës 31.05.2023 e kishte konstatuar përmes një opinioni Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) të marrë më 08.08.2024.

    “Në procedurat e ndjekura tani, nuk është ri-shkaktuar konflikt interesi” – ka thënë rektori Hajrullahu, më 29.01.2025.

    Rektori Hajrullahu ka treguar se për disa nga propozimet e Fakultetit Filozofik ka pasur ankesa në Komisionin e ankesave dhe pasi ky Komision ka vendosur, e kanë përcjellë raportin e tyre të Komisioni Këshill-dhënës i rektorit.

    Sipas Hajrullahut, prorektori për mësimdhënie në UP, Naim Jerliu është udhëheqës i Komisionit Këshill-dhënës dhe gjatë mbledhjes së Senatit më 29.01.2025 e ka ftuar që t’i prezantojë gjetjet e tyre.

    Për pozitën numër një të konkursit të datës 31.05.2023, prorektori Jerliu ka thënë se kanë qenë dy kandidatë. Prej tyre, Këshilli i Fakultetit Filozofik në UP ka propozuar kandidaten Natyra Agani për riemërim në pozitën e asistentes.

    Hajrullahu e ka hedhur në votim në Senat riemërimin e Natyra Aganit në asistente dhe më pas ka konstatuar se pozita numër një e konkursit është miratuar njëzëri, pasi nuk kishte vota kundër e as abstenim.

    Për pozitën numër katër të konkursit të datës 31.05.2023, prorektori Jerliu ka njoftuar se kanë aplikuar dy kandidatë dhe i propozuari nga Këshilli i Fakultetit Filozofik është Mentor Hasani në pozitën profesor asistentë. Edhe Hasani është votuar njëzëri nga senatorët.

    Kurse, për pozitën numër 7 të konkursit të datës 31.05.2023, Jerliu ka thënë se ka pasur gjashtë kandidatë që kanë aplikuar. Megjithëse nuk e përmendën emrin e kandidatit të propozuar nga Këshilli i Fakultetit Filozofik për këtë pozitë, sipas informacioneve të KALLXO.com, ky kandidat është Dorajet Imeri.

    Sipas Jerliut, në këtë pozitë është konstatuar nga Komisioni Këshill-dhënës i rektorit se ka nevojë për kompletim të raportit, përkatësisht për respektim të rregullores për avancim, zgjedhje të datës 27.04.2022.

    “Propozimi është që lidhur me këtë pikë, pozitë të konkursit, vlerësimi të kthehet në rishqyrtim në Këshillin e Fakultetit (Filozofik)” – ka thënë Jerliu.

    Pasi ka thënë se trupa Këshill-dhënëse e tij i ka analizuar rastet mirë dhe ka vërejtur se Komisioni recensues nuk ka vepruar në bazë të rregullores për emërime, avancime në fuqi me të cilën është realizuar konkursi, Hajrullahu ka hapur debatin për këtë pozitë të konkursit të datës 31.05.2023.

    Mirëpo, pozita numër 7 e konkursit i ka përplasur rektorin Hajrullahu dhe dekanin e Fakultetit Filozofik në UP, Bekim Baliqi.

    Dekani Baliqi nuk e pa të arsyeshme që pozita numër 7 e konkursit të datës 31.05.2023 të kthehet për rishqyrtim në fakultetin që ai udhëheq. Ky është rishqyrtimi i dytë për këtë pozitë.

    “Dy herë ka kaluar në Komision të ankesave, dy herë janë refuzuar ankesat e kundër kandidatëve edhe nuk ka kurrfarë arsye pasi që dy herë raporti është aprovu nga Këshilli i Fakultetit, gjithashtu edhe nuk është pa asnjë shkelje edhe prej Komisionit vlerësues” – ka arsyetuar mendimin e tij Baliqi.

    Sipas Baliqit, nëse kthehet për rishqyrtim pozita numër 7 e konkursit në Këshill të Fakultetit Filozofik, Senati e zhvlerëson punën dhe mandatin e komisioneve vlerësuese.

    “Ne nuk po e mbrojmë Komisionin (vlerësues), ne faktikisht po e qesim Komisionin para një gjyqi. Pra, nëse ju nuk i besoni Komisionit vlerësues, nëse ju nuk i besoni Këshillit të Fakultetit (Filozofik), atëherë pse pra po e diskutojmë. Unë po mendoj që rasti sikur rastet tjera është shtjerr çdo gjë dhe shpresoj që do ta përballoni sikur rastet tjera edhe këtë rast, për shkak se jemi lodhë edhe diqysh krejt energjia po na shkon veç t’u u marrë me ankesa” – tha Baliqi.

    Hajrullahu ia ka dhënë fjalën prorektorit Jerliu, i cili ka shpjeguar se në raportin e Komisionit vlerësues nuk është aplikuar vlerësimi kuantitativ i aktiviteteve të kandidatëve, të cilët emërohen për herë të parë në thirrjen profesor asistentë.

    “Pikët e kandidatit të propozuar, atij ju kanë shtu dy pikë, d.m.th në kundërshtim me rregulloren. Dhe te kategoria e-pjesëmarrja në konferenca shkencore, numri maksimal i pikëve, i cili qartë me rregulloren e cila është në fuqi me të cilën duhet të bëhet vlerësimi është 5 pikë, kandidatit të propozuar i janë dhënë 7 pikë dhe kjo është e mjaftueshme që të konsiderohet që ky vlerësim duhet të kthehet në rishqyrtim” – ka shtuar Jerliu.

    Hajrullahu i ka garantuar senatorët, se edhe pse bëhet fjalë për Fakultetin prej nga vjen ai, megjithatë, çdo vendim sikur për gjitha rastet tjera duhet të jetë i bazuar në dy parime të cilat janë të panegociueshme – në ligjshmëri dhe meritokraci.

    Hajrullahu ka treguar se senatori i Fakultetit Filozofik, Sejdi Rexhepi ka rastisë që të jetë kryetar i Komisionit vlerësues, kurse dekani Baliqi të jetë anëtar i këtij Komisioni.

    “Kandidati që ne e kemi propozuar i ka plotësuar kushtet të cilat në kohën e Statutit paraprak dhe rregullores për avancime, i ka plotësuar kushtet e nevojshme për avancim” – ka thënë Rexhepi.

    Rexhepi ka vazhduar duke thënë se për këtë rast janë dërguar edhe në hetuesi për krime të rënda.

    Pastaj, ka ndodhur përplasja mes Hajrullahut e Baliqit, pasi Hajrullahu ka përmendur numrin e publikimeve shkencore të kundërkandidatit për pozitën numër 7 të konkursit të datës 31.05.2023, i cili është Artan Mustafa.

    “I vetëm kundërkandidati i jashtëm (Artan Mustafa) ka të arritura shkencore më shumë se kandidati i propozuar (Dorajet Imeri) edhe Komisioni i përbërë nga kryetari i Komisionit, profesori Sejdi Rexhepi, anëtari i Komisionit, profesori Bekim Baliqi edhe anëtarja e Komisionit Jehona Lushaku-Sadriu, këta të katërtit bashkë në podium dora-doraz në aspektin shkencor, nuk munden me ia mujt as në mënyrë kuantitative me Web of Science me Scopus e as në mënyrë kualitative” – ka thënë Hajrullahu.

    Baliqi i është kundërpërgjigjur menjëherë Hajrullahut, teksa vlerësoi se kjo çështje kaloi “në personale”.

    “Nuk është e vërtetë që ka ma shumë, mundemi me hi në Google Scholar, Scopus kudo këqyr, lirisht. E dyta, shumica, absolut e publikimeve që munden me ba, ka të bëjë me p.sh Politika Sociale, tjetra ka të bëjë me Politika Sociale, d.m.th është fushës punës sociale” – ka thënë Baliqi.

    Baliqi më pas i është drejtuar Hajrullahut se po e mbron kandidatin e jo institucionin, por Hajrullahu ia ka mohuar menjëherë duke thënë se po e mbron institucionin.

    “Me këto shpifje na ka çu në Gjykatë neve, na t’u e mbrojtë institucionin, ndërsa ju po e shtini një komision, ma shumë po i besoni një kandidati i cili po shpifë, sesa institucionit. Merrni faktet këqyrni, hini në Google Scholar, këqyrni sa i ka Bekim Baliqi, sa i ka Artan Mustafa” – ka shtuar Baliqi.

    Pasi është shterur debati nga senatorët, Hajrullahu e ka përsëritur votimin për propozimin e Komisionit Këshill-dhënës të tij që pozita 7 e konkursit të kthehet në rishqyrtim në Këshill të Fakultetit Filozofik.

    Në votimin e parë, nga 30 senatorë prezent, kanë votuar 14 për, 6 kundër dhe 3 abstenuan. Pasi u konstatua se nuk votuan të gjithë senatorët, u vendos që votimi të përsëritet.

    Në votimin e përsëritur, Hajrullahu tha se ky votim për Baliqin e Rexhepin lehtas mund të interpretohet në konflikt interesi pasi kanë qenë anëtar të Komisionit vlerësues në këtë rast.

    Para përsëritjes së votimit për propozimin për pozitën numër 7 të konkursit, Baliqi e Rexhepi kanë dalë jashtë sallës ku është mbajtur mbledhja e Senatit në Rektorat.

    Në votimin e përsëritur, 23 senatorë kanë votuar për, 6 kundër e një senator ka abstenuar. Me këtë rast, Hajrullahu ka konstatuar se pozita numër 7 e konkursit të datës 31.05.2023 rikthehet në Fakultetin Filozofik për rishqyrtim.

    Dhe për pozitën numër 9 të konkursit të datës 31.05.2023, në të cilën kanë aplikuar dy kandidatë, nga Këshilli i Fakultetit Filozofik dhe Komisioni Këshill-dhënës i rektorit kandidati Avdyl Gashi është propozuar të zgjedhet profesor asistentë.

    “Konstatoj që u miratu zgjedhja e kolegut Avdyl Gashi për profesor asistent njëzëri” – ka thënë Hajrullahu, pasi është votuar nga senatorët.

    Masat e rekomanduara nga rektori Hajrullahu për konkursin e datës 31.05.2023, të cilat i votoi Senati i UP-së më 27.11.2024 ishin:

    1. Shfuqizimi i vendimeve ekzistuese
    2. Kthimi i rasteve në rishqyrtim. Proceset për secilin kandidatë duhet të rifillojnë nga faza e përcaktuar nga APK, duke eliminuar ndikimet e individëve në konflikt interesi.
    3. Raportimi dhe monitorimi i procesit – Fakulteti Filozofik të raportoj për procesin e rifilluar brenda afatit të caktuar dhe UP ta informojë APK-në për masat e ndërmarra dhe progresin e procesit.

    Dorajet Imeri, Mentor Hasani, Avdyl Gashi dhe Natyra Agani, për të cilët APK kërkoi rishqyrtim të vendimit për avancim dhe riemërim kishin qenë anëtarë të Këshillit të Fakultetit Filozofik. Por të njëjtit po ashtu kanë qenë kandidatë në konkursin e datës 31.05.2023.

    Imeri, Hasani, Avdyli dhe Agani, sipas opinionit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit kanë marrë pjesë në votimin e raporteve të Komisioneve vlerësuese gjatë mbledhjes së Këshillit të Fakultetit Filozofik të datës 27.06.2023. Ata po ashtu kishin qenë pjesëmarrës në dy mbledhje të tjera relevante të Këshillit në këtë proces emërimi.

    Komisionet vlerësuese në Fakultetin Filozofik kishin propozuar për emërim Dorajet Imerin si profesor-asistent për lëndët: Shkrim akademik dhe mendim kritik, Metodat kualitative dhe kuantitative në shkencat politike, Globalizimi dhe integrimet rajonale, Modelet e demokracisë, Administratë Publike krahasuese, Qeverisja elektronike.

    Mentor Hasani ishte propozuar si profesor-asistent për lëndët: Histori botërore moderne I, Histori botërore moderne II, Histori ekonomike e Ballkanit XIX-XX dhe Shqiptarët nën administrimin e perandorisë Osmane.

    Avdyl Gashi ishte propozuar si profesor-asistent për lëndët: Hyrje në sociologji, Shkrim akademik, Puna sociale me familje dhe Puna vullnetare.

    Ndërsa, Natyra Agani ishte propozuar për riemërim në titullin Asistente për lëndët: Psikologji zhvillimore I, Çrregullime psikologjike tek fëmijët dhe adoleshentët, Psikologji zhvillimore II, Interenimet kognitive bihejviorale, Psikologji klinike, Intervenimet në komunitet, Parimet e psikoterapisë dhe këshillim me fëmijë dhe adoleshentë.

    Sipas opinionit të APK-së të datës 08.08.2024, anëtarët e Këshillit të Fakultetit Filozofik nuk kanë pasur të drejtë të përfshihen në vendimmarrje, diskutim dhe votim lidhur me procesin e avancimit dhe riemërimit të tyre.

    KALLXO.com kishte kontaktuar në gusht 2024 secilin prej emrave të përmendur në opinionin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Avdyl Gashi nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike të redaksisë. Ndërsa, Dorajet Imeri, Mentor Hasani dhe Natyra Agani kishin thënë se ende nuk e kanë pranuar opinionin e APK-së.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, më 15.04.2024, Prokuroria e Prishtinës e kishte konfirmuar se ky rast është duke u hetuar nga ta dhe Policia.

     

  • LDK premton realizimin e 120 projekteve kapitale brenda një mandati qeverisës

    Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Alban Zogaj, në emisionin “Debat Përnime” ka prezantuar disa nga projektet kapitale që LDK-ja i ka paraparë me programin zgjedhor.

    Nëse pas 9 shkurtit 2025, LDK-ja ia del të rikthehet në pushtet, sipas Zogajt, do të realizohen 120 projekte kapitale, kostoja e të cilave parashihet të jetë rreth 5 miliardë euro.

    “Në programin tonë i kemi 120 projekte kapitale të cilat do të arrijnë shumën prej 5 miliardë eurosh në mandatin tonë të parë. Kjo nënkupton që në çdo vit do të investojmë mbi 1 miliard euro në investime kapitale të cilat kryesisht janë investime infrastrukturore”- tha Zogaj, më 31.01.2025.

    Me urgjencë, sipas tij, do të trajtohet edhe përfundimi i rrugëve që lidhin Prishtinën me qytetet e mëdha të Kosovës, e më theks të veçantë përfundimi i autostradës së Gjilanit.

    Në kuadër të debatit u dhanë zotime edhe për nisjen e autostradave të reja si dhe ndërtimin e unazës së jashtme të Prishtinës, projekt ky që sipas parallogarive të LDK-së pritet të kushtojë rreth 350 milionë euro.

    “E kemi në programin tonë, andaj ne zotohemi që do ta ndërtojmë me urgjencë të madhe autostradën e Gjilanit, e cila ka mbetur e papërfunduar në këtë mandat. Do ta ndërtojmë magjistralen Prishtinë- Pejë, Unazën e Jashtme me vlerë 350 milionë euro, do ta përfundojmë magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, magjistralen Prishtinë- Podujevë, pjesën e projektit Gjakovë-Klinë, dhe gjithashtu ndërtimin e 200 stacioneve në krejt Kosovën”- tha Zogaj.

    Në kuadër të kësaj u diskutua edhe për çështjen e taksës rrugore nëse duhet të ketë ose jo siç është praktik edhe në vendet e rajonit.

    Për këtë, kandidati Zogajt tha se “meqë rrugët janë ndërtuar prej buxhetit të Kosovës, ideja deri vonë ka qenë mos me ngarku qytetarin edhe me një pagesë shtesë”. “Por në të ardhmen, për me i mirëmbajt këto rrugë të mëdha nacionale, sidomos autostradat, ne medoemos duhet me ardhë deri tek ai vendim”- është shprehur Zogaj.

    Ndërsa për jetësimin e këtyre projekteve kapitale të parapara me programin “Rruga e Re”, ai tha se do të instalohet modeli i kredive afatgjata.

    Ndërsa, kandidati Krenar Xhaferi në emër të LDK-së u zotua se brenda 2 viteve të para të mandatit do të përfundohet autostrada e Gjilanit.

    “Autostrada e Gjilanit do të përmbyllet brenda dy vitesh. Brenda mandatit të parë deri te Dheu i Bardhë”- tha Xhaferi.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.

    Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-bujqesine-infrastrukturen-dhe-ambientin-aviokompani-central-me-gaz-dhe-mbeshtetje-per-bujqit/

  • Kuvendi i Prishtinës miraton lokacionin për ndërtimin e xhamisë në Shkabaj

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar lokacionin për ndërtimin e xhamisë në fshatin Shkabaj.

    Me 32 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar lokacionin për ndërtimin e xhamisë në fshatin Shkabaj dhe për ndërtimin e një institucioni parashkollor në këtë fshat.

    Për këtë, Drejtori i Urbanizmit në Prishtinë, Arbër Sadiki, tha se parcela e ndarë për ndërtimin e këtyre dy institucioneve është ende nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), por se thotë se ky vendim i Asamblesë është një parakusht për të pasur mundësi për ta blerë Komuna nga AKP-ja.

    Ndonëse Drejtori i Pronës, Florent Maliqi, nuk ishte i pranishëm në seancë, drejtori Sadiki tha se që nga muaji korrik i vitit të kaluar, ekziston një komunikim mes Komunës së Prishtinës dhe AKP-së ku Komuna ka shprehur vullnetin të blejë  parcelën.

    “Është hapi i parë për të pasë mundësi ligjërisht me e posedu atë pronë, me qenë destinim publik dhe ne sot po e bëjmë destinimin publik”- tha Sadiki.

    Ndonëse kjo pikë e rendit të ditës u kalua për votim nga asamblistët, kritika mori nga asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili deklaroi se janë duke bërë  një veprim që siç thotë ai, kanë mundur ta bëjnë shumë më herët.

    Për këtë, Sveçla përmendi zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen  pas disa javësh, e për çka thotë se këto vendime të komunarëve po bëhen për qëllime elektorale.

    “Sot, po e bëjmë një veprim që kemi mujt shumë më herët me e bo, por shyqyr jemi në zgjedhje e i ka ardhë radha me e bo sot. Është përcaktimi i lokacionit, veç po e caktojmë që në ato parcela ka me u ndërtu dikund xhamia, dikund institucioni parashkollor, për shkak së nuk mundemi me nda parcela, të cilat janë në pronësi të dikujt tjetër, s’jem pronarë ne të atyre parcelave”- theksoi Sveçla i VV-së.

    Poashtu, asamblisti tjetër nga AKR në Prishtinë, Gëzim Mehmeti tha se për shkak të mungesës së ndarjeve kadastrale në këtë projekt, meqenëse pronësia nuk është e Komunës, do të ketë vonesa për çështjen e ndërtimit.

    “Mungojnë ndarjet kadastrale, po shihet që pronësia nuk është pronë e Komunës së Prishtinës, është pronë, e cila duhet një marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe Agjencisë, e cila është kompetente në këtë rast, kjo ka me e zgjatë çështjen e ndërtimit, sepse duhet në aspektin ligjor të merret në konsideratë, por si iniciativë duhet të përshëndetet”- tha Mehmeti.

    Ai shtoi se banorët e kësaj zone duhet të jenë të informuar se në aspektin kohor, përfundimi i këtoj projekti mund të zgjasë.

    Përndryshe, KALLXO.com, më 30.05.2024, raportoi për mungesën e lejes së xhamisë në fshatin Shkabaj, e cila shkaktoi tensione e përplasje mes banorëve dhe Policisë.

    Edhe pse nuk kishin  leje për ndërtim, kjo nuk kishte ndaluar disa banorë të cilët kanë mbledhur para në mënyrë vullnetare dhe kanë nisur ndërtimin e një xhamie në këtë fshat.

    Policia e Kosovës kishte rrethuar objektin në të cilin pretendohet se u nis si xhami në fshatin Shkabaj të Prishtinës, më 30.05.2024.

    Policia kishte asistuar Inspektoratin në rrëzimin e themelit të saj, e cila pretendohet nga banorët se u nis pa leje.

    Raportimet e ekipit të KALLXO.com për këtë ngjarje, mund t’i lexoni në këtë LINK.