Kategori: Sport

  • Federata e Boksit të Kosovës largohet nga IBA, anëtarësohet në ‘World Boxing’

    Komiteti Olimpik i Kosovës njofton se Federata e Boksit të Kosovës është larguar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA) dhe se i është bashkuar federatës ndërkomëbatrë të quajtur “World Boxing”. 

    Përmes një njoftimi të tyre, thuhet se ky ndryshim i anëtarësisë është bërë me qëllim që boksi të mbetet në programin olimpik të Lojërave Olimpike pas përjashtimit të IBA-së nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). 

    Ndër të tjera, ata thonë se IOC pritet se në të ardhmen e afërt të njoh  federatën ndërkombëtare “World Boxing” si federatën e vetme ndërkombëtare të boksit, e cila deri më tani ka 68 anëtarë.

    “Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon delegatët dhe FBoxK-në për vendimin e marrë, që dëshmon vullnetin dhe gatishmërinë e komunitetit të boksit për të vazhduar mbetjen në programin olimpik të sportit tonë me traditë dhe tashmë edhe me suksese ndërkombëtare”- është bërë e ditur në njoftimin e datës 25.01.2025. 

  • Ish-futbollistët Anel Rashkaj dhe Hekuran Kryeziu marrin pozita të rëndësishme në Kombëtaret U19 dhe U21 të Kosovës

    Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Anel Rashkaj ka marrë detyrën e ndihmëstrajnerit të Kombëtares U19, ndërsa Hekuran Kryeziu do të jetë ndihmëstrajner i Kombëtares U21.

    “Anel Rashkaj dhe Hekuran Kryeziu – dy nga ikonat e Kombëtares së Kosovës rikthehen në role të reja në Federatën e Futbollit të Kosovës, këtë herë si ndihmëstrajnerë në ekipet kombëtare! Mirësevini në shtëpinë tuaj për një kapitull të ri dhe të rëndësishëm për futbollin e Kosovës!” – thuhet në njoftimin e FFK-së, më 20.01.2025.

    Para këtij postimi, Adil Maliqi njoftoi se po ka dhënë dorëheqje nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19. Maliqi ka shkruar se ishte vendim i “detyrueshëm”, pasi sipas tij nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me Federatën.

    “Dua të falënderoj nga zemra Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Kryetarin për besimin dhe mundësinë që më dhanë të udhëheq këtë grup të mrekullueshëm. Lojtarët ishin frymëzim i përditshëm për mua dhe prindërit e tyre, që ishin gjithmonë mbështetës, janë një shtyllë e rëndësishme e suksesit të tyre. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë të zjarrtë “Dardanët”, të cilët na qëndruan pranë në çdo sekondë dhe nuk reshtën së na dhëni forcë.” – ka shkruar Maliqi, më 20.01.2025, në “Facebook”.

    Aktualisht, Afrim Tovërlani është trajner i Kombëtaes U21 të futbollit.

    https://kallxo.com/lajm/adil-maliqi-jep-doreheqje-nga-pozita-e-trajnerit-te-kombetares-u19/

  • Adil Maliqi jep dorëheqje nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19

    “Shpesh, rrethanat na vendosin përballë vendimeve që zemra nuk dëshiron t’i pranojë, por arsyeja i kërkon.” – me këtë fjali ka nisur Adil Maliqi postimin njoftues për dorëheqjen e tij, nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19 të Futbollit të Kosovës.

    Maliqi ka shkruar se ishte vendim i “detyrueshëm”, pasi sipas tij nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me Federatën.

    “Dua të falënderoj nga zemra Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Kryetarin për besimin dhe mundësinë që më dhanë të udhëheq këtë grup të mrekullueshëm. Lojtarët ishin frymëzim i përditshëm për mua dhe prindërit e tyre, që ishin gjithmonë mbështetës, janë një shtyllë e rëndësishme e suksesit të tyre. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë të zjarrtë, “Dardanët,” të cilët na qëndruan pranë në çdo sekondë dhe nuk reshtën së na dhëni forcë.” – ka shkruar Maliqi, më 20.01.2025, në “Facebook”.

    “Krenohem me sukseset që kemi arritur së bashku – suksese që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u realizuar, veçanërisht kur përballesh me sfida të shumta. Por, pavarësisht çdo pengese, arritëm të tregojmë se puna, përkushtimi dhe bashkëpunimi janë çelësi i suksesit.” – shtoi ai.

    Adil Maliqi, një ish-futbollist dhe trajner në disa klube në Zvicër, është përzgjedhur më 16.05.2023 trajner i Kombëtares U19 të Kosovës në futboll.

    Maliqi, i cili ka lindur dhe është rritur në Zvicër, ka të përfunduar Akademinë e futbollit “Grasshopper Club Cyrih” dhe atë të “Fc Winterthur”. Si futbollist, Maliqi ka qenë aktiv në Ligën e Parë të Zvicrës deri në vitin 2012.