Kategori: Sport

  • Vëllaznimi triumfon ndaj Trepçës në palestrën “Minatori”

    Vëllaznimi dhe Trepça janë takuar në javën e 17-të të Superligës së Basketbollit të Kosovës.

    Gjakovarët fituan me rezultat 78:72 ndaj KB Trepça në palestrën “Minatori”.

    Pjesa e parë i takoi mysafirëve me rezultat 39-34.

    Ndërsa pjesa e dytë ishte vendimtare që ekipi nga Gjakova të dalë fitues i kësaj sfide me rezultat 78:72.

    Xehtarët kanë 5 humbje dhe 12 fitore, ndërsa skuadra nga Gjakova ka 9 fitore dhe 8 humbje.

  • SC Gjilani aranzhon ndeshje miqësore me ekipin kombëtar të Koresë së Veriut

    Klubi i futbollit SC Gjilani ka njoftuar se gjatë janarit të këtij viti do të zhvillojë një ndeshje miqësore me ekipin kombëtar të Koresë së Veriut.

    Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, në të cilën janë zbuluar kundërshtarët në ndeshjet miqësore, të cilat SC Gjilani do t’i zhvillojë në kuadër të fazës përgatitore në Turqi, para fillimit të stinorit pranveror.

    Sipas njoftimit, SC Gjilani do t’i zhvillojë gjithsej katër ndeshje miqësore.

    Më 18.01.2025 do të luajë kundër FC Kaysar dhe më 22.01.2025 do të luajë kundër FC Elimai, të dy këto ekipe nga superliga e Kazakistanit.

    Më pas, më 25.01.2025 do të luajë kundër FC Krumovgrad nga Bulgaria.

    Dhe më 28.01.2025 do të luajë kundër Kombëtares A të Koresë së Veriut.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, Drlion Sylejmani, zëdhënës i SC Gjilanit, ka thënë se miqësorja me ekipin e Koresë së Veriut është aranzhuar përmes një agjencie.

    “Zakonisht në fazë përgatitore kur të vijmë, merret një kompani, një agjenci që na gjen kundërshtarët për ndeshjet miqësore” – ka thënë Sylejmani përmes telefonit.

    Ai ka thënë se edhe në të kaluarën ekipi i Gjilanit ka zhvilluar ndeshje miqësore me ekipet, shtetet e të cilave nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

    Aktualisht SC Gjilani gjendet në vendin e gjashtë të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, me 21 pikë të tubuara pas 18 ndeshjeve.

    Lider i Superligës është ekipi tjetër nga Gjilani, KF Drita me 40 pikë, 7 më shumë se vendi i dytë, KF Ballkani.

  • Nis përballja KB Prishtina – KB Trepça për gjysëmfinalen e Kupës së Kosovës

    Sonte (15.01.2025) është duke u zhvilluar përballja e parë ndërmjet KB Prishtina dhe KB Trepça në kuadër të gjysëmfinales së Kupës së Kosovës në basketboll. 

    Gjysmëfinalet zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje dhe cila skuadër është më e  mirë në dy takimet kualifikohet në finalen e madhe.

    Në të njëjtën kohë në Gjakovë po zhvillohet gjysëmfinalja tjetër ndërmjet KB Vëllaznimi dhe KB Bashkimi.

    KALLXO.com publikoi një video, e cila tregon se një grup i tifozëve të KB Prishtina nuk e respektoi himnin e Kosovës, i cili u intonua para fillimit të ndeshjes.