Kategori: Rajon

  • Shkup: Qytetarët kërkojnë drejtësi për viktimat e aksidenteve rrugore

    Qindra njerëz kanë protestuar të premten pasdite në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar drejtësi për viktimat e aksidenteve rrugore, dënime më të ashpra për shkaktarë, si dhe rishikimin e vendimeve gjyqësore.

    Protesta, në bulevardin “Aradhet Partizane” në Shkup, vjen pasi një vajzë 22-vjeçare u godit për vdekje nga një veturë në një vendkalim këmbësorësh në kryeqytet, më 29 janar.

    Disa prej protestuesve mbajtën pankarta me mbishkrime si: “Nuk është aksident, është vrasje”, “Prokurorët = bashkëpunëtorë vrasës”.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se përgjegjësia duhet të bjerë mbi të gjithë ata që janë pjesë e sistemit.

    “Zemërimi është i kuptueshëm, mosbesimi në institucione është i justifikuar, por kjo nuk duhet të përfundojë vetëm me shkrimin e statuseve të zemëruara në rrjetet sociale dhe me protesta që do të zgjasin disa ditë. Të gjithë në sistem duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre”, tha Toshkovski.

    Frosina Kalukova, nga fshati Negotinë, komunë e Vrapçishtit, e humbi jetën pasi u godit nga një veturë e drejtuar nga një 20-vjeçar me inicialet V.J.

    Sipas Prokurorisë Publike, i riu nuk kishte patentë shofer, ishte nën ndikimin e alkoolit, tejkaloi shpejtësinë e lejuar dhe kaloi semaforin me dritë të kuqe.

    Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej një muaji për 20-vjeçarin.

    “I dyshuari 20-vjeçar, si pjesëmarrës në trafikun e rrugëve publike, ka drejtuar një automjet të tipit ‘Peugeot 207’ në pronësi të babait të tij në korsinë e djathtë të bulevardit. Automjetin e drejtonte pa patentë shofer dhe nën ndikimin e alkoolit me 0,82 promilë prani të alkoolit në urinë, duke rrezikuar jetën e njerëzve”, tha Prokuroria më 30 janar.

    Komiteti i Helsinkit reagoi duke theksuar se fenomeni i mosndëshkimit, i rrënjosur prej dekadash në shoqëri, solli edhe një tragjedi tjetër ku humbi jetën një 22-vjeçare.

    “Një rrëshqitje e tillë në sistemin ligjor tregon qartë mosmarrjen e masave të duhura nga ana e institucioneve për të parandaluar kryerjen e mëtejshme të veprave penale në trafik”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

    Aksidenti i trafikut në të cilin humbi jetën Frosina Kulakova nuk është i pari që shkakton reagime dhe zemërim te qytetarët. Vetëm në të njëjtin bulevard të Shkupit kanë humbur jetën disa të rinjve vitet e fundit.

    Në vitin 2015, studentja Frosina Cekovska u përplas për vdekje nga një shofer 26-vjeçar, i cili po ashtu ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drejtonte veturën me shpjetësi më të lartë seç lejohej.

    Në të njëjtin bulevard, por në afërsi të qendrës tregtare City Mall, në janar të vitit 2022 u përplas për vdekje 24-vjeçarja Viktorija Nikolova. Shoferi 22-vjeçar, sipas Prokurorisë, në kohën e incidentit drejtonte automjetin me shpejtësi më të madhe se norma e lejuar.

    V.J. kishte shkaktuar edhe një tjetër aksident trafiku

    Megjithatë, revolta e qytetarëve u drejtua ndaj institucioneve kompetente, pasi personi i dyshuar për aksidentin kishte qenë më herët edhe në paraburgim, si dhe në shtëpi korrektuese, në Tetovë, për një tjetër vepër – prodhimin dhe shpërndarjen e drogave narkotike.

    Ndaj tij Prokuroria kishte ngritur edhe një tjetër kallëzim penal më 2 shkurt të vitit 2023, për një aksident trafiku, në të cilin një person kishte pësuar lëndime të lehta.

    Prokurori publik kishte zhvilluar procedurën dhe me pëlqimin e të dëmtuarës kishte marrë një vendim për mosndjekje penale, duke pranuar të paguante një shumë prej 292 eurosh në favor të buxhetit të shtetit.

    Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se së shpejti do të vihet në funksion sistemi “Qyteti i Sigurt”, përmes të cilit institucionet do të mund të sanksionojnë vandalizmin automobilistik në rrugët e Shkupit.

    “Ministria e Punëve të Brendshme po e zbaton këtë si procedurë, dhe së shpejti do të kemi një sistem të tillë që do të sanksionojë këtë lloj vandalizmi. Dhe kjo duhet të ndodhë. Sa herë që të marrim plumba politikë, ne duhet ta instalojmë, ta zbatojmë dhe të marrim një politikë ndëshkuese që do të jetë rigoroze, sepse edhe nëse shpëtojmë një jetë, kemi arritur qëllimin”, deklaroi Mickoski më 31 janar.

    Në anën tjetër, Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në opozitë kërkoi dënim maksimal për autorin dhe mbështeti revoltën e qytetarëve.

    “Ne mbështesim kërkesat e qytetarëve për drejtësi dhe siguri më të madhe. Në shenjë solidariteti, Rinia Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) do t’i bashkohet protestës. Është koha për përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e LSDM.

    Mickoski kërkoi që të mos politizohet rasti./REL

  • Ministria në Maqedoninë e Veriut, që iu referua Kosovës si “Kosovë e Metohi”, largon njoftimin

    Zëvendëskryeministri me prejardhje serbe, njëherazi edhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviq e ka tërhequr kumtesën ku Republikës së Kosovës i drejtohej me qasjen serbe, si “Kosova dhe Metohija”, e cila është në kundërshtim me Shkupin zyrtar, që e njeh pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008 – shkruan media në Maqedoninë e Veriut, Portalb.mk.

    Zëvendëskryeministri Stoilkoviq ishte zotuar fillimisht se do të përmirësojë komunikimin zyrtar në raport me Kosovën, edhe pse personalisht për të mbetet termi “Kosova dhe Metohija”.

    Megjithatë, siç vërehet nga dita e mërkurë, më 29.01.2025, nga gjurmët në uebfaqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive shihet se kumtesa nuk është edituar, por është larguar e tëra, konkretisht nuk ka qasje në linkun ku figuronte ky njoftim.

    Nga Zyra e Zëvendëskryeministrit për Redaksinë e Portalb.mk nuk kanë sqaruar asgjë për këtë veprim, pavarësisht se janë kontaktuar disa herë.

    Kujtojmë se në një komunikatë lidhur me ngjarjen e kampit sportiv “Serbia po ju thërret” në Beograd ku morën pjesë rreth 50 fëmijë nga RMV-ja, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Republika e Kosovës prezantohej me emrin me të cilin i qaset shteti i Serbisë: “Kosova dhe Metohija”.

    Ky veprim i Stoilkoviqit hapi debat dhe pati reagime të shumta në opinion, nga analistët, partitë politike shqiptare në RMV. Nga Republika e Kosovës reagoi vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kurse, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e përcollën vetëm verbalisht indinjatën përmes Ambasadës në Shkup dhe duke u dërguar Notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut. Ambasada e Kosovës në Shkup dhe Qeveria e Kosovës nuk reaguan për këtë veprim, pavarësisht se Portalb.mk tentoi të marrë qëndrimin e tyre.

    Për këtë rast ka raportuar edhe KALLXO.com.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), për KALLXO.com, pati thënë se sa i përket këtij rasti kanë dërguar Notë te Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup.

    “MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në lidhje me këtë rast ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku është përcjellë verbalisht indinjata jonë, lidhur me një referencë të papranueshme për Republikën e Kosovës në një faqe zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Ambasada ka dorëzuar Notë, në të cilën përcillet qëndrimi i shtetit të Kosovës lidhur me këtë çështje.” – thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

    https://kallxo.com/lajm/fact-check-lajm/ministria-ne-maqedonine-e-veriut-i-referohet-kosoves-si-kosove-e-metohi-mpjd-shpreh-indinjate/

  • Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

    Studentët serbë të nisur nga Beogradi, që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga Kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen kolegëve të tyre nga ky qytet, për të bllokuar Urat më 1 shkurt.

    Kështu, ata do të shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në Stacionin e trenave në Novi Sad.

    Pritet që studentët, të cilët u nisën nga Beogradi më 30 janar, të arrijnë në Stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00.

    Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30, nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.

    Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.

    Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët e tyre në Novi Sad, të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë Urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në Stacionin e trenave të këtij qyteti.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha të martën se pjesëtarë të kësaj Ministrie do të ofrojnë siguri për marshin e studentëve – duke i përcjellë edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.

    Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë – duke nxjerrë në rrugë dhjetëra-mijëra njerëz.

    Në dy muajt e fundit protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra Universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.

    Qeveria dhe presidenti Aleksandër Vuçiq pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre – duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat./REL