Kategori: Ligji

  • Çfarë është Komisioni Presidencial për Drejtësi Tranzicionale?

    Presidenca e Kosovës njoftoi më 25 janar se presidentja Vjosa Osmani është duke punuar për ta themeluar Komisionin Presidencial për Drejtësi Tranzicionale.

    Me gjithë iniciativat në të kaluarën, Kosovës i ka munguar një komision i tillë për zbardhjen e së vërtetës dhe fakteve për luftën edhe 25 vjet pas përfundimit të saj, sipas Bekim Blakajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

    Osmani u takua më 25 janar me disa nga shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, të cilët janë të angazhuar në fushën e drejtësisë, dhe pritet të takohet edhe me përfaqësues të tjerë nga organizatat përfaqësuese të viktimave, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, për ta finalizuar fillimit sa më të shpejtë të punës së këtij komisioni, sipas njoftimit.

    Nisma për themelimin i këtij komisioni buron nga Strategjia për Drejtësi Tranzicionale e Kosovës, sipas Presidencës.

    Çka është ky komision?

    Qeveria e Kosovës e miratoi vitin e kaluar Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale dhe ndër synimet e strategjisë është edhe themelimi i komisionit presidencial.

    Misioni i komisionit është t’i dokumentojë dhe t’i vërtetojë faktet për shkeljet e të drejtave të njeriut në të kaluarën, ta rivendosë dinjitetin e viktimave, ta rrisë vetëdijesimin dhe të kontribuojë në transformimin shoqëror. Ai ka mandat specifik dhe në përfundim të tij duhet ta nxjerrë një raport mbi gjetjet, thuhet në dokumentin e strategjisë.

    Blakaj tha se Kosova ende nuk ka ndonjë raport zyrtar për krimet që kanë ndodhur gjatë luftës dhe mbi dëmet e shkaktuara.

    “Në përgjithësi, mendoj se në Kosovë nuk është bërë sa duhet në fushën e drejtësisë tranzicionale. Kanë kaluar 25 vjet nga përfundimi i luftës dhe asnjëra nga shtyllat nuk është zbatuar në mënyrën e duhur. E drejta e viktimave në drejtësi nuk është realizuar”, tha Blakaj për Radion Evropa e Lirë.

    Edhe një çerekshekull pas përfundimit të luftës, shumë çështje që burojnë nga konflikti ende nuk janë zgjidhur, përfshirë mosndëshkueshmëria për krime lufte, personat e zhdukur që nuk janë gjetur ende, shkeljet e pandëshkuara të të drejtave të njeriut dhe ndarjet etnike.

    Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë – i cili vëzhgon gjykimet për krime lufte para gjykatave vendore dhe atyre ndërkombëtar – për 25 vjet janë dënuar rreth 80-85 persona me aktgjykim të plotfuqishëm për krime të kryera në Kosovë gjatë luftës.

    Gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë u vranë më shumë se 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë. Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

    Sipas Blakajt në fushën e zbardhjes së të vërtetës është bërë edhe më pak.

    “Nuk ka pasur institucion shtetëror deri vitin e kaluar, i cili ka qenë kompetent për t’i mbledhur dhe zyrtarisht faktet. Instituti i kaluar nuk ka dhënë kurrfarë rezultati”, tha ai.

    Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës ishte krijuar për herë të parë në vitin 2011, megjithatë, ai nuk kishte funksionuar siç duhet dhe i njëjti ishte mbyllur në vitin 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj.

    Më pas kryeministri Albin Kurti e themeloi Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili hyri në fuqi në korrik 2023.

    Më 2017, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e inicioi idenë e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit. Megjithatë, nisma nuk u realizua pasi Thaçi u dërgua në Hagë në vitin 2021 për t’u gjykuar për dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Kush do të jetë i përfshirë?

    Sipas dokumentit të strategjisë, Komisioni Presidencial do t’u japë mundësi të gjitha palëve të prekura nga lufta që të angazhohen drejtpërdrejt dhe gjerësisht në mbledhjen e të dhënave për përvojat e tyre.

    Komisioni do të ofrojë programe të informimit ose vetëdijesimit dhe mbajtjes së dëgjimeve publike për një sërë çështjesh kyçe, duke i lejuar viktimat nga të gjitha komunitetet e prekura t’i ndajnë rrëfimet e tyre me kombin, sipas dokumentit të strategjisë.

    Blakaj theksoi se është e rëndësishme që Komisioni Presidencial të jetë gjithëpërfshirës dhe t’i përfshijë edhe pakicat tjera në Kosovë, në mënyrë që puna e tij të cilësohet e mirëfilltë.

    “Nuk do të ishte e dëshirueshme që komisioni të jetë njëkombësi, që të mos i konsultojë komunitetet e tjera, si serbët dhe romët, etj. Për të qenë i suksesshëm një komision i tillë, duhet t’i marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë raporti përfundimtar i këtij komisioni mund të jetë i papranueshëm nga ndonjë palë, e nëse ndodh kjo, ai mund të cilësohet si komision i dështuar”, tha ai.

    Çfarë është drejtësia tranzicionale?

    Drejtësia tranzicionale shkon shumë përtej sallës së gjyqit, sepse qëllimi i saj thelbësor është ndërtimi i demokracive të qëndrueshme dhe paqësore përmes përpjekjeve për të vërtetën dhe pajtimin, sipas Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale.

    Drejtësia tranzicionale i referohet mënyrës se si kombet përballen me shkeljet e të drejtave të njeriut në të kaluarën brenda shoqërive në tranzicion dhe ajo është vendosur në qendër të përpjekjeve për demokratizim nga organizatat ndërkombëtare.

    Drejtësia tranzitore mund të funksionojë si një lehtësues efektiv i pajtimit dhe stabilizimit pas konfliktit.

    Sipas Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, synimet e drejtësisë tranzicionale përfshijnë: sjelljen para drejtësisë ata që janë përgjegjës për abuzime përmes ndjekjes penale dhe formave jogjyqësore të hetimit (si mekanizmat për kërkimin e së vërtetës); ofrimin e dëmshpërblimeve për viktimat dhe adresimin në një farë mase të nevojave të tyre; transformimin e sistemeve të sigurisë, duke i bërë ato përgjegjëse për shkeljet e kaluara dhe duke larguar abuzuesit e të drejtave të njeriut nga institucionet publike; dhe reformimin e institucioneve publike për të parandaluar përsëritjen e shkeljeve të kaluara./Radio Evropa e Lirë

  • Dyshohet se vodhi ar e argjend me vlerë mbi 160 mijë euro, Prokuroria kërkon paraburgimin e tij

    Prokuroria Themelore e Prizrenit ka njoftuar se më 24.01.2025 ka arrestuar Sh.H., nga fshati Greme e Ferizajt për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale “vjedhja e rëndë”.

    Prokuroria ka kërkuar paraburgimin për të arrestuarin.

    I arrestuari dyshohet se më 12.01.2025 rreth orës 03:45 në një argjendari në Prizren, në bashkëveprim me disa persona të tjerë, deri më tani të paidentifikuar kanë vjedhur 3 kilogramë ari dhe 1 kilogram argjend me vlerë prej 168 mijë euro.

    “Pas një planifikimi paraprak dhe koordinimi në mes vete, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, ia marrin pasurinë të dëmtuarit A.B., (pronar i argjendarisë), në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin kur në lokalin e të dëmtuarit nuk ishte askush, me përdorim të forcës fizike dhe të pajisur me mjete të përshtatshme e hapin derën e lokalit dhe e dëmtojnë alarmin, ku hyjnë brenda në lokal” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.

    Të dyshuarit i janë kontrolluar objekti i banimit dhe objekte përcjellëse në fashtin Greme. Gjate kontrollit u gjetën prova të cilat jane sekuestruar, mes tyre edhe automjeti me të cilin u krye vepra.

    https://kallxo.com/lajm/dyshohet-se-vodhi-3-kg-ari-dhe-1-kg-argjent-ne-naten-e-vitit-te-ri-ne-prizren-arrestohet-nje-person-nga-nje-fshat-i-ferizajt/

    https://kallxo.com/lajm/detaje-nga-vjedhja-e-rreth-3-kg-ari-ne-nje-argjendari-ne-prizren-dyshohet-se-u-keput-kabllo-e-kamerave-te-sigurise/

  • Situata kur disiplina për gjykatësit funksionon pas raportimit në media

    Në opinionin publik sistemi i drejtësisë kritikohet për mosreagim ndaj situatave kur në media dhe në raportet e shoqërisë civile raportohet për shkelje nga ana e gjykatësve.

    Të dhënat tregojnë që bazuar në Ligjin për Procedurën Disiplinore për gjykatës dhe prokurorë Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka ndërrmarrë masa ndaj gjykatësve që janë identifikuar si shkelës të Kodit të Etikës.

    Një raportim i vitit 2023 në media evidentohet se ishte hetuar nga KGJK e më pas edhe ishte sanksionuar një gjyqtar nga Kaçaniku për të cilin ishte raportuar se kishte sjellje jokorrekte me një palë.

    “O unë me ty jam tu folë veç që e njoh Rakipin moti se s’kisha folë hiç, unë ta bij vendimin, s’e ke respektu të drejtën për parablerje, pesë pare s’i jap”- ishin fjalët që një gjyqtar i kishte thënë palës rastin e të cilës ishte duke e gjykuar.

    Ndonëse pozita e gjyqtarit në një çështje civile është “pasiv”, gjyqtari Riza Livoreka kishte vendosur të ndërmerrte hapa duke i këshilluar palët që të hyjnë në marrëveshje në të kundërtën lëndën do ta humbiste.

    Këto veprime të Livorekës ishin dokumentuar përmes një video-incizimi të palës e cila ishte këshilluar që të hynte në marrëveshje me palën kundërshtare.

    Veprimet e Livorekës ishin shqyrtuar edhe nga autoritetit kompetent (kryetari i Gjykatës), i cili e kishte dërguar lëndën për trajtim në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

    Më 27.01.2022 ishte krijuar një panel hetimor që do të dëgjonte gjyqtarin në fjalë, dëshmitarë të tjerë, do të elaboronte provat dhe do të vinte me një vendim nëse veprimet e gjyqtarit Livoreka janë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

    Më 20 prill të vitit 2022, KGJK kishte nxjerrë vendim duke i shqiptuar dënim – zvogëlimin e pagës prej 40 % për 10 muaj gjyqtarit Livoreka.

    Ky vendim i KGJK-së kishte ardhur pasi gjyqtari kishte arritur marrëveshje vullnetare për pranim të fajësisë.

    Riza Livoreka ishte gjetur përgjegjës për takim ex-parte (pa praninë e palës tjetër) dhe veprim të pahijshëm.

    Veprimet e disiplinës

    Sipas Ligjit, në rastet kur gjykatësit raportohen për shkelje disiplinore autoriteti për të nisur procedurën është kryetari i gjykatës.

    Në rastin Livoreka, kryetari i Gjykatës, Mustafë Tahiri, më 23.05.2022 kishte nisur kërkesën në KGJK për hetim disiplinor ndaj Livorekës për shkelje të detyrave të gjyqtarit: qoftë nësë gjyqtari i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë, nuk raporton rastet e përjashtimit të mundshëm nga procedura kur kërkohet me ligj, përfshihet në sjellje qoftë kur është në detyrë apo privatisht që dëmtojnë reputacionin e gjykatës.

    Më 31.05.2022, KGJK kishte krijuar panelin hetimor për të trajtuar shkeljet e pretenduara të gjyqtarit Livoreka.

    Më 03.11.2022, KGJK kishte nxjerrë vendim duke e liruar nga procedura disiplinore Livorekën me arsyen se për disa nga pikat gjyqtari herën e parë e kishte pranuar fajësinë dhe për atë i ishte shqiptuar dënimi.

    Në situata kur shkeljet e gjykatësve kanë elemente më të rënda KGJK ka të drejtë të suspendojë nga puna gjykatësit. Në këtë situatë të dhënat tregojnë se 24 orë pas transmetimit të hulumtimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte vendosur ta suspendojë gjyqtarin Riza Livoreka.

    Këshilli kishte njoftuar se kishte mbajtur një takim në të cilin ishte shqyrtuar edhe hulumtimi i transmetuar, ku ishte shfaqur një rast në të cilin gjyqtari Riza Livoreka u kishte kërkuar palëve të arrinin një marrëveshje jashtëgjyqësore.

    Livoreka në fillim të këtij viti ishte suspenduar nga puna pasi emisioni “KALLXO Përnime“ kishte shfaqur video-incizimet në të cilat dëgjohej duke “paralajmëruar” njërën palë se do ta humbte pronën në rast se nuk do të lidhte marrëveshje.

    Për këto veprime në fillim të muajit shkurt të vitit 2022, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e kishte ndëshkuar gjyqtarin Livoreka me ulje page për 10 muaj.