Kategori: Ligji

  • Tentim vraje në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të tentim vrasjes në Prishtinë.

    Rasti, sipas forcave të rendit ndodhi më 24.01.2025 rreth orës 23:00 në rrugën “Xhavit Ahmeti”.

    Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se një i dyshuar i panjohur me armë ka goditur xhamin e veturës së tij, me ç’rast ka pësuar lëndime dhe gjatë largimit i dyshuari edhe ka shtënë me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar një fishek dhe një gëzhojë” – thuhet në njoftim.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Policia ka njoftuar se rasti është nën hetime.

  • Trajtimi në proces disiplinor i sjelljes së gjyqtarit pas raportimit në media

    Situatat ku qytetarët i raportojnë sjelljet e gjyqtarëve në media sipas ligjit trajtohen në proceset disiplinore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

    Në arkivat e publikuara të KGJK-së, ku tregohen rastet disiplinore ndaj gjykatësve, haset një rast ku një gjykatës është ndëshkuar për shkak të sjelljes jo të mirë ndaj një qytetari.

    Qytetari kishte raportuar për sjellje të pahijshme të gjykatësit ndërsa pas publikimit të shkrimit KGJK kishte trajtuar rastin në disiplinë.

    Gjykatësi Veli Kryeziu nga Gjilani ishte pjesë e një procesi të tillë pasi gjatë një përgjigjeje për media kishte shkelur Kodin e Etikës.

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 08.09.2022 kishte formuar panelin hetimor që do të shqyrtonte lëndën e Kryeziut nëse do kishte ose jo shkelje disiplinore.

    Më 25 nëntor 2022, paneli hetimor i kishte paraqitur Këshillit Gjyqësor të Kosovës raportin mbi hetimin për këtë lëndë disiplinore dhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë lidhur me këtë rast.

    Pra, gjyqtari Veli Kryeziu në Këshillin Gjyqësor të Kosovës e kishte pranuar fajësinë për fjalët që i kishte thënë gjatë bisedës me gazetaren e KALLXO.com.

    “Sipas vlerësimit të panelit hetimor faktet kanë qenë jokontestuese për arsye se kanë qenë publike, subjekti i hetimit në bisedë telefonike me gazetaren e Kallxo.com kishte deklaruar se: “Me pasë kërcënu me arme e kisha vra” dhe nuk i ka kontestuar edhe subjekti i hetimit”-  thuhet në vendimin e KGJK-së më 14.12.2024.

    Gjyqtari kishte pranuar fajësinë dhe ishte pajtuar që t’i shqiptohet vërejtje me shkrim si sanksion disiplinor.

    “Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Gjilan Veli Kryeziu është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuara në nenin S, paragrafi 1 dhe 2, pika 2.S, 2.1S, të Ligjit Nr.06/L-OS7 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe të njëjtit i shqiptohet sanksioni disiplinor vërejtje publike me shkrim”- thuhet në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Videon lidhur me këtë rast mund ta ndiqni në këtë LINK.

    Në korrik të vitit të 2022 KALLXO.com kishte raportuar se gjyqtari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Veli Kryeziu, dyshohej se kishte kërcënuar me armë një person.

    Ngjarja kishte ndodhur më 28 maj ndërsa ishte mbajtur vetëm brenda organeve të rendit dhe të drejtësisë.

    Kryeziu në një bisedë telefonike me KALLXO.com nuk kishte pranuar të ketë kërcënuar dikë, anipse ndaj tij tashmë kishte nisur procedurë ligjore në prokurori.

    “Nuk kam ide. Me pasë kërcënu me armë unë e kisha vra (nuk kuptohet mirë gjatë bisedës), nuk bëj budallakia. Nuk jap koment, ditën e mirë!”- kishte thënë shkurt gjyqtari Kryeziu.

    Me këto veprime, sipas KGJK-së, gjyqtari Kryeziu kishte shkelur nenin 5 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

    Në vendim thuhet se Kryeziu ka shkelur paragrafin 2.5 i cili thotë “ka keqpërdor pozitën zyrtare në çfarëdo forme për përfitime të paligjshme për veten”, paragrafin 2.15 i cili thotë “përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit”.

  • “Pse po bohesh mangup?”,”Çu dajë se të vrajtën” – Andi Pajaziti jep versionin e tij si kishte ndodhur vrasja në “Bon Vivant” në vitin 2023

    I akuzuari për rastin e vrasjes në lokalin “Bon Vivant” Andi Pajaziti ka dhënë mbrojtjen, lidhur me akuzat që Prokuroria i vë në barrë.

    Pajaziti akuzohet se ka kryer vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore, ku ka mbetur i vrarë një person më 04.08.2023.

    Andi Pajaziti tha se atë ditë ishte zgjuar në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk kishte dalë nga shtëpia deri në ora 21:00 të mbrëmjes, kur kishte dalë për të ngrënë bukë dhe kishte shkuar në lagjen Vranjevc, për të shikuar disa vetura për t’i blerë.

    Me t’u kthyer nga kjo lagje, të njëjtit ishin ndalur për të pirë në lokalin “Bon Vivant”, pasi që kishte kolonë të madhe rrugës ka “Qafa”.

    I njëjti tha se ai së bashku me tre persona të tjerë kishin hyrë në lokal, ku një kamarier iu kishte thënë “Pritni në këmbë deri të bëhet një vend për t’u ulur.”

    Tutje, Pajaziti tha se Dukagjin Lekaj e kishte ftuar për t’u ulur në tavolinë për të pirë, por që sipas Pajazitit rruga deri te tavolina ishte shoqëruar me një sjellje të cilën e kishte kuptuar pasi kishte ndodhur rasti.

    Sipas Pajazitit, Dukagjin Lekaj e kishte prekur në pjesët e poshtme të shpinës për të shikuar nëse kishte armë me vete, por ky tha se armën e kishte në pjesën e përparme të trupit.

    “Na ka thënë ‘A doni me prit pak në këmbë, deri t’ua gjej një tavolinë, se ka shumë kallabllak?’. Duke pritë në këmbë për një çast, më afrohet Dukagjin Lekaj dhe përshëndetemi dhe më thotë ‘Hajde, te tavolina jem, pije një pije se kam me të vet diçka’. Unë pranova, pasi që të njëjtin e njoh diku rreth 10 vjet dhe nuk kam pasë diçka të keqe asnjëherë me të. Dhe, shkoj se mendova që është duke më thirrë për një veturë, që më pati ofruar me ma shit dy ditë përpara. Dhe, pasi që shkojmë në tavolinë, te tavolina e tij, rrugës Dukagjini më prekte nëpër kuka. Por, në atë moment mua nuk më bëri përshtypje pse po më prek. Por, pasi që ka ndodhur ngjarja, duke e analizuar rashë në përfundim se ai më ka prek me këqyr a e kam armën, apo jo me vete. Unë armën e kisha përpara e ai s’ka mujtë me vërejt a e kisha armën, apo jo?” – deklaroi Pajaziti në Gjykatë, më 24.01.2025.

    Tutje, i njëjti ka treguar se e tërë ngjarja kishte filluar me bisedë miqësore, por më pas kishte ardhur një fjali “Pse po bahesh mangup?”.

    “Pasi që ulemi në tavolinë me Dukagjinin, në anën e majtë dhe një tjetër afër tij ul dhe një person tjetër përballë në anën e djathtë, afrohet Dukagjini tek unë dhe fillojmë të bisedojmë. Së pari, pyetemi për familjen e njëri-tjetrit dhe si po ecin punët në përgjithësi. Në atë moment afrohet sigurimi Hisni Geci dhe më pyet se ‘A është gjithçka në rregull?’. Unë i thashë: ‘Gjithçka në rregull’, tu mendu që po më vet se a u rahatut në tavolinë. Dhe, kthehet me shikim nga Dukagjini dhe u çudita me heshtjen e tij dhe shikimin e tij ndaj meje.” – tha tutje Pajaziti.

    Në Gjykatore Pajaziti tha se personi me emrin Hisni Geci e kishte mbajtur armën e personit me dorë me qëllim për të mos shtënë, por që më pas Pajaziti tha se ka ndjerë një goditje të fortë në kokë dhe ka menduar që kjo goditje është nga arma.

    “Çu dajë se të vrajtën.” – ishin fjalët që Pajaziti tha se i ka dëgjuar nga dikush, pasi kishte ndjerë goditjet e forta në kokë.

    Pajaziti tha se pas kësaj nuk kishte mbajtur mend asgjë, përpos disa sirenave të Policisë.

    “Në atë moment më afrohet Dukagjini te veshi, e më thotë: ‘Pse po bohesh mangup?’. Unë u shtanga dhe u frikësova, pasi që nuk e pritja një fjalë të tillë prej tij. E dëgjova shumë mirë se çka më tha. Por, u bona kishe s’po e ni dhe i thashë ‘Çka po thu, se nuk po të nij.’ – mendova se nuk do ta përsërisë atë fjalë. Ai më tha ‘Ti më nite shumë mirë, po pse po bahesh mangup, a e din që unë ta bëjë kështu-kështu?’ dhe e nxjerri armën që e kishte pasë në mes të këmbëve. Dhe, unë i thashë: ‘Mos u ngut’ dhe në atë moment hyn sigurimi Hisni Geci, i cili dorën e djathtë ia qet Dukagjinit në dorën ku e mbante armën, me parandalu që me gjuajtë në drejtim temin. Dhe, dorën e majtë e qet prapa shpinës tem, në atë moment mendova që mënyra ma e mirë e mundshme është që të largohem nga aty. Jam ndjerë shumë i frikësuar kur ia pashë armën, por largimi im nga aty u pamundësua nga dora e Hysit që e kisha mbrapa shpinës dhe ishte punë momenti. Në ato momente, e kam dëgju një dhimbje të fortë në kokë, e cila më ka trondit dhe kam mendu që kjo goditje më ka ardhë nga arma e zjarrit dhe pas kësaj goditje më ka hup çdo ndjenjë rreth këtij rasti. Dhe, nuk mbaj mend shumë gjëra përveçse disa sekuenca të shkurta, ku në njërën prej tyre më kujtohet Gëzimi tu më thanë ‘Çu dajë se të vrajtën’. Dhe, më kujtohet disa alarma të Policisë. Dhe, mbaj mend vetëm disa tesha të bardha. Asgjë më shumë.” – rrëfeu Pajaziti.

    Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023 rreth orës 23:15, ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K.R.

    Dosja përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Andi Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.

    Pas tensionimit të situatës – sipas Prokurorisë – ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.

    Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K.R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.

    Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në Aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtie me armë zjarri, me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K.R.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj. Gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.

    Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti, me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore, me pasoja të përhershme shëndetësore.

    Vdekja e K.R. – sipas Prokurorisë – ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.

    Arma e cila është përdorur – sipas Prokurorisë – është tip “Smith” e kalibrit 9mm.

    Për këtë, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”.

    Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 07.08.2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.

    Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë, pas kërkesës së Prokurorisë.

    Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët e personave të tjerë, të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

    Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj, ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R., i cili kishte vdekur në QKUK.

    13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit, gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

    Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.