Kategori: Ligji

  • Aksident në Drenas, lëndohen tre policë

    Tre zyrtarë policorë janë lënduar pas një aksidenti që është regjistruar në mëngjesin e sotëm, më 22.01.2025, në Drenas.

    Policia kishte pranuar informacionin për aksidentin e trafikut, rreth orës 06:00.

    Në këtë aksident janë përfshirë dy vetura. Njëra prej tyre – veturë zyrtare e Policisë së Kosovës.

    Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se tre persona janë lënduar në këtë aksident.

    Ajo shtoi se tashmë me rastin po merret edhe Njësiti i Trafikut Rajonal, për të zbardhur shkaqet që çuan deri tek aksidenti.

  • Eksperti financiar dëshmon në gjykimin ndaj 18 të akuzuarve për krim të organizuar

    Në gjykimin ndaj Agron Zymberit dhe 17 të akuzuarve të tjerë për krim të organizuar, në seancën e martës, 21.01.2025, është dëgjuar eksperti financiar Naser Rusinovci.

    Agron Zymberi dhe të tjerët po akuzohen nga Prokuroria për krim të organizuar, shmangie nga tarifat doganore, kontrabandim me mallra dhe vepra të tjera të ngjashme.

    Eksperti Naser Rusinovci deklaroi se ekspertizën e tij e ka mbëshetur në të thënat e tij dhe se i ka ftuar të pranishmit të sjellin dokumentacionet e tyre.

    “Ekspertizën unë e kam mbështetur në të thënat e mia, ku janë specifikuar dokumentacionet që janë marrë për bazë, e po ashtu i kam ftuar të gjithë të pranishmit që të sjellin dokumentacionet e tyre dhe po ashtu të japin komentet mbi çështjen. Krejt ky grumbull  i dokumenatacioneve ka çuar në përpilimin e kësaj ekspertize”- tha eksperti financiar.

    Rusinovci tha se gjetjet e tij dhe konstatimet e tij në ekspertizë janë prej faqes 22.

    Eksperti financiar tha se rasti ka qenë kompleks, duke shtuar se deri në faqen 22 nuk është prodhim i tij, ndërsa prej faqes 22 të ekspertziës ka filluar t’i vërtetojë pretendimet e shprehura në aktakuzë, duke shtuar se një ekspertizë financiare bazohet vetëm në dokumente autentike.

    Rusinovci tha se rasti ka të bëjë me një mall që është sjellë nga Serbia dhe se nuk ka dokumentacion, duke shtuar se personat që e kanë sjellë këtë mall janë të ndarë nga kjo aktakuzë dhe rasti është përqendruar te personat që e kanë shpërndarë dhe blerësit e tyre.

    Fillmisht në seancë kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni njoftoi se nga mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Qollaku, ka pranuar një parashtresë përmes të cilës e ka njoftuar për gjendjen shëndetësore të të mbrojturit të tij dhe përmes kësaj parashtrese ka kërkuar që ndaj të njëjtit të veçohet procedura penale, pasi që i njëjti për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seanca.

    Ky propozim nuk e kundërshtua nga Prokuroria, as nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë.

    Ndërkaq trupi gjykues mori aktvendim duke veçuar procedurën ndaj të akuzuarit Fadil Qollaku si dhe lënda e të pandehurit Qollaku do të bashkohet me lëndën e këtij rasti me të pandehurit e tjerë që për momentin janë të paarritshëm për gjykatën.

    Kujtojmë se ky rast ka filluar rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues.

    Ky rast më parë gjykohej në Gjykatën e Mitrovicës, mirëpo i njëjti është deleguar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

    Kjo çështje penale po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin Special nga trupi gjykues në përbërje të Ngadhnjim Arrni – kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Kushtrim Shyti.

    Dosja e Prokurorisë Speciale

    Sipas dosjes së Prokurorisë, në këtë rast të akuzuar janë: Agron Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Besnik Istrefi, Azem Islami, Xhevat Spahija, Shkelqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazrek, Demë Lokaj, Alban Nikqi, Albion Lokaj, Gentrit Zymeri, Fadil Qollaku.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Ismet Zeqiri së bashku me të pandehurit Millan Radisavleviq dhe Aleksandar Rakiçeviq (gjenden në arrati sipas aktakuzës) kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

    Prokuroria i akuzon të lartcekurit se në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara.

    Periudha kohore për të cilën Prokuroria i akuzon te lartcekurit theksohet të jetë nga data 11.06.2014 deri më datë 10.12.2014.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë pjesëtarët e grupit kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës (nga 12,000 litra ), 2 ngarkesa me vaj hidrol (nga 10,000 litra) dhe 3 ngarkesa me nitrotretës (me nga 7,000 litra).

    Mallrat e lartcekura, sipas organit akuzues, ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në dyqane të ndryshme dhe depo, krejt kjo me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojnë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në vlerë prej 30,000 euro.

    Sipas Prokurorisë këto mallra të kontrabanduara të sjella në Kosovë janë deponuar në lokacione të caktuara për t’u bërë më vonë shpërndarja e këtyre mallrave në tërë Kosovën.

    Tutje sipas aktakuzës dorëzimin e mallrave e kanë bërë vartësit e të pandehurve Besim Zeqiri dhe Ismet Zeqiri, Liridon Hyseni, Ali Musliukaj, Ridvan Avdiu, Canabeg Hyseni, Dukagjin Latifi dhe Gentrit Zymeri.

    Me këtë Prokuroria për këto veprime të pandehurve i akuzon Besim Zeqiri, Ismet Zeqiri, Millan Radisavleviq dhe Aleksdanar Radisavleviq (dy të fundit gjenden në arrati) kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa të pandehurit Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami, kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

  • Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, dëshmitarët rrëfejnë si i gjetën kufomat e tre civilëve të vrarë

    Në gjykimin ndaj Millosh Pleskoviq, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, në seancën e sotme, më 21.01.2025, janë dëgjuar tre dëshmitarë.

    Pleskoviq po akuzohet nga Prokuroria Speciale, se më 1 shtator të vitit 1998, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” kishte shtënë me armë të tipit  “Kallashnikov”, ku ishin vrarë 3 civilë, teksa të njëjtit ishin duke shkuar për të marrë dru në mal.

    Fillimisht dëshminë e dha dëshmitari Parim Elshani, i cili gjatë dëshmisë së tij tha se në vitin 1998-1999 kishte jetuar në qytetin e Prizrenit.

    Ai tregoi, gjatë dëshmisë së tij, se si kishin shkuar në vendin e ngjarjes dhe i kishin gjetur kufomat.

    “I kemi dërgu xhenazet në Spital, prej Spitalit kemi shku në varrim.” – tha Parim Elshani.

    Ai tregoi, tutje, se përmbi kufoma kishte qenë miku i  tij F. B., mirëpo se kush e ka kryer këtë vrasje nuk e dinte.

    “A ke dëgju kush e ka kry vrasjen?” – e pyeti prokurori Ilir Morina.

    “Kam dëgju prej njerëzve, se nipi i kojshisë te xhamia e ka pasë gjyshen.” – tha Elshani.

    Parim Elshani tha, gjatë dëshmisë së tij, se para lufte nuk e kishte njohur Millosh Pleskoviqin dhe se përveç se në lajme nuk kishte dëgjuar diku tjetër se Milloshi e ka kryer vrasjen.

    Dëshmitari  i dytë i cili e dha dëshminë ishte Shaban Shala, i cili po ashtu tha se gjatë vitit 1998-1999 kishte jetuar në Prizren. Tutje, gjatë dëshmisë së tij edhe ai tregoi se si i kishin gjetur kufomat.

    “E kam të vështirë të flasë për trupat, por kur kemi mbërri na edhe qen ka pasë. Trupat kanë qenë pothuajse të shkapërderdhur.” – tha Shaban Shala.

    Ai rrëfeu se trupat i kishin futur në thasë, i kishin bartur te kamioni dhe kishin shkuar pastaj në Spital e prej aty në varreza.

    Ai tha se nuk e di se kush e ka kryer këtë vrasje e se Millosh Pleskoviqin nuk e kishte njohur para lufte dhe po ashtu nuk e kishte ditur që gjyshen e kishte pasur në lagjen ‘Hoqa Mahalla’.

    Ndërsa, dëshmitari i tretë i cili dha dëshminë ishte Sherif Xhaferi. Ai tha, gjatë dëshmisë së tij, se gjatë vitit 1998-1999 ka jetuar po ashtu në qytetin e Prizrenit. Dëshmitari Sherif Xhaferi tregoi lidhur me momentin, kur i kishin gjetur kufomat.

    “Trupat i kemi qit n’thasë. I kemi bartur nga 4 veta, deri te lagjja jonë. I kemi dërgu n’Spital dhe pastaj kemi shkuar n’varreza dhe i kemi varrosur.” – tha Shaban Shala.

    Ndërsa, në fund të dëshmisë së tij tha se nuk e di kush e ka kryer këtë vrasje.

    Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet nesër, më 22.01.2025.

    Kujtojmë se i akuzuari Millosh Pleskoviq në seancën e shqyrtimit fillestar, më datë 21.06.2024, nuk e kishte pranuar fajësinë.

    “Nuk e pranoj fajësinë.” – kishte thënë i akuzuari Millosh Pleskoviq.

    Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Trupit Gjykues: Rrahman Beqiri, kryetar i Trupit Gjykues dhe dy anëtarët, Violeta Namani-Hajra dhe Kujtim Krasniqi.

    Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, i akuzuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në Prizren gjatë një konflikti me karakter jondërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave Ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) dhe forcave policore të Serbisë. I pandehuri Millosh Pleskoviq, me dashje e në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil – duke kryer vrasjen e viktimave, në atë mënyrë që në periudhën kohore relevante për këtë aktakuzë, forcat policore dhe ushtarake të RFJ dhe Serbisë ishin stacionuar në kodrat përreth Prizrenit, për shkak të konfliktit të armatosur që ishte duke ndodhur në atë zonë.


    Sipas Aktakuzës, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat R. D., B. D., F. B. së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje, derisa ishin duke ecur, kanë hasur në një grup prej 7-8 persona, të armatosur të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore dhe ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë dhe njëkohësisht ishin të armatosur me armë të gjata automatike e të cilët i kishin urdhëruar fillimisht që të ndaleshin, pastaj i kanë fyer në gjuhën serbe.

    Tutje – sipas Aktakuzës – në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë, në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima, tani i ndjeri B.D e ka shtyrë më krah të dëmtuarin Xhenger Cana – duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja, pasi që ishte më i riu në grup,

    Gjithnjë – sipas Aktakuzës – të dëmtuarit: Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat, tani të ndjerit B.D., R.D. dhe F.B. kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë, si pasojë e të shtënave, ashtu që pas një jave, me lejen e Policisë serbe, familjarët e viktimave kanë shkuar që t’i marrin trupat e tani të ndjerëve R.D., B.D. dhe F.B., te te cilët kanë parë se trupat e viktimave janë të gjymtuar, ashtu që R.D. dhe B.D. ishin vendosur njëri mbi tjetrin – njëri nga ta e kishte këmbën e prerë nga trupi, kurse viktima Fatmiri nuk e kishte pasur kokën në trup.


    Në bazë të akuzave të lartcekura, ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale: “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

    Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli – teksa po mbahej në Paraburgim.

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

    Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast, mund t’i gjeni në këtë: LINK.