Kategori: Ligji

  • Tiranë, arrestohet një 21-vjeçar, dyshohet se në mënyrë të përsëritur vodhi aksesorë e pjesë të një veture

    Policia e Shtetit ka arrestuar një 21-vjeçar L.Gj., në Tiranë, nën dyshimet se i njëjti në mënyrë të përsëritur vodhi aksesorë e pjesë të një veture.

    Këto veprime sipas Policisë u kryen në periudha të ndryshme por te e njëjta veturë.

    Pas arrestimit u bë edhe kontrollimi në banesën e të njëjtit, ku edhe policia më pas gjeti një armë zjarri pistoletë me mulli.

    Në vendbanimin e të dyshuarit u gjetën dhe pjesët e vjedhura në automjet.

    “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas kryente vjedhje, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin të koduar “Përsëritësi” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit L.Gj, 21 vjeç, banues në Laç”-thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

    Materialet procedurale të policisë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore.

  • Policia me detaje të reja për zjarrin në ETC në Suharekë

    Policia ka njoftuar se tashmë se zjarri në qendrën tregtare ETC në Suharekë është nën kontrollë të plotë.

    Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi ka thënë për KALLXO.com se ka ende zjarre të vogla që kohë pas kohe po shpërthejnë por që në vendin e ngjarjes vazhdojnë të qëndrojnë njësitë e zjarrëfikësve.

    “Ata po qëndrojnë në vendin e ngjarjes pasi që ka zjarre të vogla që po shpërthejnë në qendrën tregtare ETC si dhe për shkak se në afërsi gjendet edhe një tjetër qendër tregtare dhe një restauran”- tha Gashi për KALLXO.com.

    Tutje ai shtoi se edhe njësitet policore vazhdimisht po qëndrojnë në vend ngjarje pas informacioneve që morën në orët e mëngjesit për zjarrin që kaploi ETC në Suharekë.

    “Janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet edhe ato ligjore në lidhje me këtë rast”- tha Gashi.

    Deri më tani nga hetimet preliminare nuk ka ende diçka e cila mund të konstatoj se cka shkaktoi zjarrin.

    KALLXO.com raportoi se për këtë zjarr në ETC në Suharekë reagoi edhe drejtuesi i kompanisë Elkos, Ramiz Kelmendi.

    Ai në reagimin e tij tha se nuk ka ndonjë person të lënduar deri sa për dëmet ka thënë se janë deri në 3 milionë euro.

    https://kallxo.com/lajm/pas-zjarrit-ne-etc-ne-suhareke-reagon-ramiz-kelmendi/

  • Në operacionin kundër drogës, Policia gjeti edhe një veturë që dyshohet se ishte përdorur në një rast të vrasjes në tentativë

    Policia e Kosovës njoftoi se më 18.01.2025 kishte ndërmarrë një operacion kundër narkotikëve në regjionin e Prishtinës.

    Përveç narkotikëve e municionit që ishin gjetur në bastisjet që ka kryer Policia është gjetur edhe një veturë që dyshohet se ishte përdorur në një rast të vrasjes në tentativë.

    Policia ka njoftuar se në një bastisje në fshatin Suhodoll të Lipjanit në një garazh në pronësi të të dyshuarit Xh.S., është gjetur një veturë “Golf 7”, ngjyrë e kaltër, me targa vendore, e cila dyshohet se ishte përdorur në një rast të vrasjes në tentativë.

    Në operacionin e Policisë kundër narkotikëve, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për shpërndarje të narkotikëve.

    Të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga Anti-Droga e Policisë në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë.

    Në një njoftim, Policia ka dhënë detaje për aksionin i cili u realizua gjatë datës 18.01.2025.

    Një hetim disamujor i Policisë në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës ka përfunduar deri sa janë sekuestruar narkotikë, vetura e pajisje të tjera që do të hynë në kategorinë e provave për të vërtetuar veprat penale të cilat janë hapur tashmë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope si dhe vepra penale mbajtja në kontroll, posedim i paautorizuar i armës.

    Zhvillimi i planit taktik kishte filluar në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj me që rast është ndaluar vetura Mercedes ngjyrë e bardhë me targa vendore me vozitës Sh.S., ku gjatë kontrollit në trup i është gjetur një qese me narkotik të llojit Kokainë me peshë 5.35 gramë. Plani ka vazhduar në rrugën ”Vicanum” ku është ndalur vetura Audi Q8 me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari Xh.S., ku gjatë kontrollit të tij dhe veturës në një vend të fshehte janë gjetur 21 paketime me substancë të dyshuar narkotike të dyshuar si kokainë me peshë 20.1 gramë.

    Në të njëjtin lokacion është ndaluar edhe vetura Volvo ngjyrë hiri me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari F. S., i cili është shoqëruar në stacion policor si i implikuar në rast.

    Pas veprimeve fillestare në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda në Prishtinë është realizuar një bastisje në shtëpitë e të dyshuarve në rrugën “Dëshmoret e Marecit” në Prishtinë ku gjatë kontrollit në një shtëpi, në banjo njësitet policore kanë gjetur, 219 qese/doza me narkotik të dyshuar si kokainë me peshë 114.4 gram të gatshme për shitje.

    Në një veturë pronë e të dyshuarit Xh.S., nën timon është gjetur një paketim me narkotikë të llojit kokainë me peshë 171.5 gramë .

    Tutje policia ka njoftuar se kanë gjetur, dy revole me dy karikatorë dhe nëntë fishekë, një granatë dore model F1 dhe 29 fishekë kalibrash të ndryshëm.

    Përveç armëve e narkotikëve, policia ka sekuestruar tri vetura të dyshuara që dyshohet se janë përdorur në fshehje shpërndarje të narkotikëve, para të gatshme në vlerë 7900 Euro dhe 100 dollar amerikan, katër telefona dhe dy DVR.

    Sipas vlerësimeve të bëra, vlera e Kokainës së konfiskuar, nëse do të shpërndahej në treg, arrin rreth 30,000 euro.