Kategori: Ligji

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i mbrojtur pretendon se u ndalua dhe u rrah nga pjesëtarë të UÇK-së

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, më 14.01.2025, pas dëgjimit të dëshmitarit Sokol Dobruna, dëshminë e ka dhënë edhe dëshmitari i mbrojtur, i koduar me shifrën WO4500.

    Kryetari i trupi gjykues Charls Smith III në fillim të seancës lajmëroi se dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë dy seanca.

    Sipas tij, Prokuroria ka kërkuar 40 minuta për pyetje, mbrojtësi i viktimave 15 minuta dhe ekipet e mbrojtjes më pak se 2 orë.

    Prokurori Cezary Mihailzcuk lexoi një përmbajtje të dëshmisë së dëshmitarit.

    “Kemi dërguar një përmbledhje të dëshmisë së dëshmitarit të cilin dua të lexoj me zë të lartë për procesverbal, dhe nuk kemi pasur kundërshtime lidhur me këtë”- tha prokurori Mihailzcuk.

    “Më 1999, dëshmitari W04500 u arrestua nga anëtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua në një vend ndalimi ku është marrë në pyetje dhe është rrahur. Atje është mbajtur i ndaluar me disa persona të tjerë dhe më pas është zhvendosur me disa prej tyre në një vend të dytë ndalimi. Dëshmitari W04500 u lirua pas rreth një muaji nga ambientet e ndalimit”- tha prokurori Cezary Mihailzcuk.

    Tutje, prokurori Mihailzcuk, pas leximit të përmbajtjes së dëshmisë së dëshmitarit, deklaroi se nuk ka më pyetje për dëshmitarin, ndërsa me pyetje vazhdoi mbrojtësja e viktimave, Maria Radziejowska.

    “Dëshiroj të ju bëj disa pyetje, sepse do ta ndihmonit trupin gjykues. Si ka ndikuar tek ju ndalimi në vitin 1999?”- pyeti mbrojtësja e viktimave Radziejowska.

    Tutje, e njëjta kërkoi nga trupi gjykues që seanca të vazhdojë në sesionin privat. Këtë kërkesë e aprovoi trupi gjykues.

    Dëshmitari i mbrojtur dëshminë e dha përmes video-lidhjes.

    Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.

  • Polici dyshohet se tentoi ta sulmojë palën duke e intervistuar për një aksident në Gjilan

    Një denoncim për një zyrtar policor të Njësisë së Trafikut në Gjilan ka ardhur në adresë të KALLXO.com ditë më parë.

    Keqtrajtim dhe abuzim me detyrën zyrtare pretendohet se është kryer nga polici, emrin e të cilit nuk e ka dhënë Policia e Gjilanit.

    KALLXO.com ka pranuar një video-incizim në të cilin shihet një zyrtar policor deri sa në një moment pretendohet se iu afrua për ta sulmuar një palë që ishte duke e intervistuar.

    E pas këtij veprimi, njëri nga palët i drejtohet policit me fjalët: “Mos e sulmo! Ngadal!”.

    Deri sa pala ishte duke dhënë intervistën për një aksident që ka ndodhur vite më parë, pala dëgjohet deri sa i thotë zyrtarit policor: “Jo, jo, shkruaje. Në trakën time. Jo, jo, shkruaje se unë po e them atë, shkruaje që ma ka pre rrugën”.

    E polici tutje nis veprimet e tij e që në bazë të bisedës që dëgjohet kishte pretenduar se i ishte afruar palës së përfshirë në aksident për ta sulmuar.

    “Hej… (i afrohet ta prekë fizikisht) ti s’mundesh me mua me u sillë, e kështu se ti nuk mundesh me m’fy mua, a je t’u më kuptu. Ti duhesh veç me m’tregu, çka duash thuaj ti, çka duash thuaj ti edhe nanën do me ja sha ti atij…”- dëgjohet duke thënë polici, të cilit i vërehen edhe veprimet gjatë videos që ka siguruar KALLXO.com.

    Polici tutje dëgjohet deri sa i thotë palës së ai mund të deklarojë çdo gjë për rastin.

    “Edhe nanën nëse don me ia sha ti atij unë e shkruaj këtu, a je t’u kuptu? A je t’u kuptu, hiç s’e ke problem, ti veç po të kallxoj, mua nuk mundesh me m’thanë: iv, iv, me mua s’mundesh kështu, përndryshe çka të duash me thanë ti unë kam me shkru këtu, çka të duash thuaj ti, çka të duash thuaj ti”- vazhdon të shprehet polici sipas asaj që dëgjohet në video-incizim.

    Në një moment, pala që ishte duke u intervistuar nga polici i kërkon përgjigje se pse nuk po shkruan atë çfarë pala po dëshmon.

    Ilir Rashiti, avokat në Gjilan, po mbyllte një rast të cilin e kishte me një palë për një aksident trafiku në qendër të qytetit. Derisa po shikonte dosjen ai vërejti edhe një video-incizim që daton vite më parë e në të cilin shihet një zyrtar policor i Trafikut derisa tregon një sjellje , sipas tij, joprofesionale ndaj palës e cila ishte përfshirë në aksident.

    “Në rastin konkret është lajmëruar një familje, vajza e tyre, pra personat në fjalë kanë qenë mysafirë në Gjilan, kanë parashtruar te unë një kërkesë për me trajtu një rast të një aksidenti ku aty ka pasur vetëm aksident trafiku e më pas rezulton se ka dalë Policia me kërkesë të palëve me trajtu rastin. Nuk ka pasur diçka tjetër në lidhje me incidentin dhe si zakonisht palët janë udhëzu me dhënë deklaratë në stacionin policor, ku sipas deklaratës së palës, edhe në vendin e ngjarjes ka pasur sjellje jo të mira në raport me zyrtarin policor që shihet në video të cilën e kemi”- thotë avokati Rashiti.

    Ai shton se zyrtari policor ishte i njëjti që kishte dalë edhe pas thirrjes për të regjistruar aksidentin që kishte ndodhur në Gjilan.

    “I ka udhëzuar palët që me i largu veturat, madje për detaje nuk ka leju me u bë matja apo video-incizimi i vendit të ngjarjes e ku aty ka hasur në rezistencë edhe të palës. Krejt incizimet janë prej palës. I njëjti person që lehtë identifikohet edhe nga pala e dëmtuar i ka udhëzuar me shku në stacion policor ku ka nisur pastaj edhe pala me u keqtrajtu”- shton avokati Rashiti.

    Rashiti përshkruan edhe video-incizimin që gjeti në dosjen e provave derisa po mbyllte dhe po arkivonte lëndën e aksidentit që pati klienti i tij.

    “Aty shihet që përveç toneve të larta, orientimi i deklaratës që shihet qartë që ai thotë se ‘unë shkruaj çka të dua’ deri te sjellja e tij edhe fizike, ku shihet qartë në video-incizim se oficeri i Policisë një femre 18-vjeçare i matet me dorë me goditë. Edhe gjuha e tij ndoshta edhe vulgare kjo mendoj që është e patolerueshme”- shton tutje avokati.

    Denoncimin për zyrtarin policor avokati thotë se e bëri për qëllim të vetëdijesimit dhe se i njëjti polic duhet të marrë një vendim për abuzim me ligjin.

    KALLXO.com më 23.12.2024 i ka dërguar Drejtorisë Rajonale në Gjilan pyetje bashkë me videon e bashkëngjitur për sqarime rreth sjelljes së zyrtarit policor.

    Më 13.01.2025, Policia në Gjilan i ka kthyer përgjigje KALLXO.com duke konfirmuar se rasti tashmë është duke u trajtuar dhe polici është identifikuar.

    “Video-incizimi nuk është përcjellë për trajtim tek ne deri më tani. Pas pranimit të kësaj video, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka filluar trajtimin sipas procedurave të parapara në këto raste ndaj zyrtarëve policorë” – thuhet në përgjigjen për KALLXO.com të Drejtorisë Rajonale të Gjilanit të Policisë së Kosovës.

     

  • Inceneratori i Tiranës, gjykim të shkurtuar për ish-deputetin Bllako

    Në Shqipëri, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, do të ketë një gjykim të shkurtuar në procesin që do të zhvillohet ndaj tij nën dyshimet për përfshirjen në rastin e inceneratorit të Tiranës.

    Kishte qenë vetë zoti Bllako që kishte paraqitur një kërkesë të tillë e cila u pranua të martën në seancën paraprake, ku u vendos dhe kalimi i çështjes për gjykim.

    Më 29 Janar, pritet që si Prokuroria e Posaçme, ashtu dhe mbrojtja e zotit Bllako të paraqesë argumentat e saj. Përmes gjykimit të shkurtuar, zoti Bllako do të përfitojë një ulje me një të tretën, në rast të dënimit.

    Zoti Bllako akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në dy raste. Kodi penal parashikon për këtë vepër, një dënim që shkon nga 4 deri në 12 vite burgim. Ai vetë i ka hedhur poshtë akuzat.

    Sipas Prokurorisë, për ish Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit, gjatë hetimeve janë konstatuar akte korruptive në dy raste, kur ai “ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt 119.751 euro dhe 7,5 milionë lekë”.

    Në rastin e shumës në euro, ajo rezulton se është përfituar nga pronarët de facto të shoqërisë që kishte marrë me koncension ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, sipërmarrësit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, “si pagesë për blerjen e pajisjeve për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako në Ersekë”.

    Ndërsa shuma prej 7,5 milionë lekësh, sipas hetimeve, i është kërkuar Zotos, si pagesë për Vladimir Bezhanin, i propozuar nga zoti Blako, si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit të kohës, Lefter Koka.

    Në dhjetor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme lëshoi 15 urdhërat e parë të arrestit për inceneratorin e Tiranës, përfshirë dhe zotin Bllako, ish ministrin e Koka si dhe dy sipërmarrësit Mërtiri dhe Zoto. Të katër ishin mes të akuzuarve dhe në rastin e dy inceneratorëve të tjerë, në Elbasan dhe Fier.

    Në gusht të vitit 2024, ndërsa mbylli hetimet për pjesën dërrmuese të të arrestuarve, Prokuroria veçoi prej tyre, çështjen e zoti Bllako.

    Ai u arrestua në mars të vitit 2022, fillimisht për përfshirjen në rastin e inceneratorit të Fierit, ku u akuzua për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion” në dy raste, dhe u dënua në vitin 2023 me 4 vjet burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim u konvertua në 2 vjet e 8 muaj. Por në dhjetor të vitit të shkuar Gjykata e Posaçme e Apelit e riktheu çështjen për rigjykim, me një tjetër trupë gjyqtarësh.

    Akuza për “shpërdorim detyre” ishte ngritur më pas ndaj tij dhe për rastin e Elbasanit, por Gjykata e Posaçme e kishte shpallur atë të pafajshëm. Por nën nëntor të vitit 2024, Apeli i Posaçëm, e shpalli sërish atë fajtor, duke e dënuar po me 4 vjet burgim, të konvertuara në 2 vjet e 8 muaj./ VOA