Kategori: Ligji

  • Rasti “Brezovica”, dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë u përgjigjet pyetjeve të mbrojtësve të të akuzuarve

    Seanca për rastin “Brezovica” në Gjykatën e Pejës më 13.01.2025 ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë, Alban Çuka.

    Të akuzuar në këtë rast janë Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiçeviq, Dragomir Millosavleviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jardan Kostiq.

    Në lidhje me rastin “Brezovica”, Prokuroria e Ferizajt pretendon se janë keqpërdorur pozitat, ka pasur ushtrim ndikimi, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

    Dëshminë e tij dëshmitari Alban Çuka e kishte filluar më 06.11.2024 dhe e kishte vazhduar më 08.01.2025, më 09.01.2025 dhe më 10.01.2025.

    Në këtë seancë Çuka ka vazhduar të japë dëshminë e tij duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësve të të akuzuarve.

    Në seancën e datës 06.11.2024 me të filluar dëgjimi i dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj, kishte njoftuar mediat se dëshmia e dëshmitarit nuk mund të bëhet publike deri në përfundim të dëgjimit edhe të dëshmitarëve të tjerë.

    Arsyeja pse u mor vendimi për të mos e bërë publike dëshminë e këtij dëshmitari sipas gjyqtares ishte për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të deklarimit të dëshmitarit dhe për të mos pasur ndikim te dëshmitarët e tjerë që pritet të dëshmojnë në këtë rast.

    Çuka është dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.

    Dëshmitari Alban Çuka kërkoi nga gjykata që seanca e nesërme të anulohet për shkak se i njëjti kishte probleme shëndetësore.

    “E lus gjykatën që për nesër ta anuloj seancën për shkak se kam probleme shëndetësore” – tha Çuka

    Andaj gjykata mori aktvendim që seanca e nesërme të anulohet ndërsa e radhës u caktua për muajin shkurt 2025.

    Më 04.11.2024 dhe 05.11.2024 prokurori, avokatët dhe të akuzuarit kanë dhënë fjalën hyrëse lidhur me këtë rast.

    Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 mijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.

    Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitiva të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në pikën dytë të aktakuzës i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019 përsëri sipas Prokurorisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër përfitimin e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.

    60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.

    Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntor 2018 deri më 6 gusht 2019 ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.

    Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.

    Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.

    Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Reqiçeviq – si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq dhe Arben  Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojte dhe Mjedis të Ujërave, Husen Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit, Sasha Millosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.

    Të lartcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.

    Më 17.09.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.

  • Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, përfundon dëshminë eksperti i mjekësisë ligjore

    Në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale në seancën e 13.01.2025 ka përfunduar dëshminë eksperti i mjekësisë ligjore, William Goodwin.

    Pas përfundimit të dëshmisë, në seancë u kërkua që të gjitha provat materiale që kanë të bëjnë me dëshmitarin Goodwin, duke përfshirë edhe provat që sot gjatë ditës kanë marrë numër provizor, të pranohen si prova materiale. Lidhur me këtë patën kundërshtime ekipet e mbrojtjes të përfaqësuar nga avokatja Kerrin Ann Rowan, duke thënë se për këtë gjë kanë shkruar kolektivisht.

    Avokatja Rowan kërkoi që t’u jepet mundësia që të përgjigjen me shkrim për secilin nga materialet në mënyrë individuale. Lidhur me këtë prokurori James Pace pati kundërshtime.

    Mirëpo avokatja Rowan përsëri tha se mbrojtjes i duhet kohë që të shqyrtojë dokumentet, duke e marrë parasysh që dëshmitari i cili dha dëshminë sot në këtë lëndë gjyqësore është i vetmi ekspert i ADN-së.

    Këtë kërkesë të avokates Rowan e aprovoi trupi gjykues ashtu që mbrojtja e Veselit dhe ekipet e tjera mbrojtëse u obliguan që parashtresat e tyre t’i dorëzojnë deri të premten e ardhshme dhe ZPS-ja duhet të përgjigjet deri të hënën.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.  Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari Goodwin pohoi se nuk ka qenë i përfshirë në analizimin e ADN-së

    Dëshmitari William Goodwin gjatë marrjes në pyetje nga ana e avokates Kerrie Ann Rowan, e cila mbron të akuzuarin Kadri Veseli pohoi se nuk ka qenë i përfshirë në analizimin e ADN-së, vetë, që ka analizuar gjetjet.

    Dëshmitari Goodwin pohoi se nuk ka folur asnjëherë me personat që i kanë krijuar këto Raporte, e se këtë gjë nuk ia kishte kërkuar Prokuroria dhe as nuk e kishte kërkuar ai vetë.

    Tutje, dëshmitari Goodwin gjatë dëshmisë së tij pohoi atë se Prokuroria ia ka dhënë disa të dhëna si bazë për punën e tij dhe se i është kërkuar që të jetë i fokusuar në përgjigjet e tij.

    Ndër të tjera, mbrojtësja e të akuzuarit Kadri Veselit, avokatja Kerrie Ann Rowan pyeti dëshmitarin Goodwin, nëse i është kërkuar nga Prokuroria që ai të bëjë një analizë të re nga e para, që do  t’i analizonte vetë ai profilet e ADN-së.

    Dëshmitari Goodwin lidhur me këtë u përgjigj duke thënë se nga pikëpamja praktike nuk i është kërkuar të bëjë rishikim të analizës.

    “Nga pikëpamja praktike jo nuk më është kërkuar. Unë nuk kam bërë asnjëherë ndonjë rishikim të analizës, unë kam rishikuar gjetjet.” – u përgjigj dëshmitari Goodwin.

    Lidhur me Raportet, dëshmitari Goodwin pohoi atë që mostrat janë nxjerrë nga eshtrat gjatë proceseve të zhvarrimit dhe tutje në pyetjet e avokates Rowan pohoi se nuk i është kërkuar atij që të shikojë metodologjinë e praktikuar.

    Paraprakisht para marrjes në pyetje nga ana e mbrojtjes, mbrojtësja e të akuzuarit Veseli, avokatja Kerrie An Rowan kërkoi që disa emra në Raportin e ekspertit Goodwin të jenë publike.

    “Duke marrë parasysh këtë, dy nga 26 viktimat e mundshme janë të redaktuara dhe këta do t’i përmendim dhe në rrethana kur anëtarët e familjes janë të identifikueshëm, atëherë këto nuk duhet të jenë publike. Por individët që janë publik, të paktën unë gjykoj që duhet t’i përmendim me emra.” – tha avokatja Rowan.

    Tutje, Rowan tha se çdo gjykim, duhet të sigurohemi që informacionet të jenë publike.

    “Arsyeja se pse ne nuk e bëjmë këtë publike është për arsye se një viktimë e caktuar apo një dëshmitar ka masa mbrojtëse në Sallën e Gjyqit. Po ashtu, ka pasoja psikologjike që mund të kenë viktimat, dëshmitarët, të afërmit dhe t’i mbrojmë.” – tha prokurori James Pace, lidhur me këtë.

    Ndërkaq, kryetari i Trupi Gjykues Charls Smith III tha se do të veprohet ashtu siç është vepruar deri më tani dhe nuk do të përmenden emra – duke thënë se Raporti dhe letra me udhëzime do të publikohet e redaktuar, duke shtuar se disa emra nuk duhet të përmendën me zë.

    https://kallxo.com/ligji/procesi-gjyqesor-ndaj-ish-krereve-te-uck-se-fillon-deshmine-eksperti-i-mjekesise-ligjore-william-goodwin/

    Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.