Kategori: Ligji

  • Paraburgim për policin i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në fshatin Çubrel

    E. R. i janë caktuar 30 ditë paraburgim për rastin e aksidentit në Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona. E. R. dyshohet për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

    Gjykata e Mitrovicës ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë për t’i caktuar 30 ditë paraburgim E. R., zyrtar policor, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona.

    Ky aksident kishte ndodhur më 26.01.2025.

    Prokuroria më 28.01.2025 kishte kërkuar masën e paraburgimit për E. R. por që mbrojtësi i të dyshuarit e kishte kundërshtuar atë duke kërkuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, me arysen e gjendjes shëndetësore dhe se vepra është kryer nga pakujdesia.

    Sipas njoftimit të Gjykatës, E. R. nuk ka mundur të deklarohet për shkak të gjendjes shëndetësore.

    Gjyqtar i procedurës paraprake ishte Valon Hajdini.

    Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast është mbajtur në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të trajtimit që ishte duke marrë i dyshuari për këtë aksident.

    “Gjykata pasi ka vlerësuar pretendimet e palëve ka gjetur se Kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit është e bazuar, pasi që Gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të përshkruar si në Kërkesën e Prokurorisë.” – thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicës – Dega Skenderaj.

    Sipas njoftimit të Gjykatës dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën Pejë – Mitrovicë në fshatin Çubrel.

    Tutje, në njoftim të Gjykatës thuhet shoferi i veturës kishte dalë në shiritin e kundërt të rrugës Pejë – Mitrovicë dhe si pasojë e ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi Mitrovicë -Pejë.

    “I pandehuri zyrtar policor E. R. po drejtonte automjetin kombi të tipit VW, ngjyrë e bardhë, ndërsa automjetin tjetër Golf IV, ngjyrë hiri, e kishte drejtuar tashmë i ndjeri A. G., i cili kishte vdekur në vendin e ngjarjes. Bazuar në hetime dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën nacionale Pejë – Mitrovicë, në fshatin Çubrel, pasi që ishte një kthesë në të djathtë, ka dalë në shiritin e kundërt të rrugës dhe ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Mitrovicë – Pejë dhe si pasojë e aksidentit tre pasagjerët kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe më pas është konfirmuar nga mjeku kujdestar në QKMF në Skenderaj që shoferi i automjetit Golf IV A. G. ka vdekur. Ndërsa, tre pasagjerët e tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku nga mjeku kujdestar është konfirmuar vdekja e të dy pasagjereve të tjera – femra, ndërsa një fëmijë ka mbetur në tretman dhe dyshohet se ka lëndime të rënda trupore.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

  • Gjilan – Arrestohet një person për dhunë në familje

    Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi në Gjilan, më 29.01.2025.

    Sipas Policisë, i dyshuari kishte shkuar ta takonte të fejuarën e vet, edhe pse ajo kishe një Urdhër mbrojtës nga Gjykata.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte shkuar të takojë  ish-të fejuarën në vendin e punës, edhe pse e njëjta kishte Urdhër mbrojtës, të lëshuar nga Gjykata.” – thuhet në njoftim.

    Me vendim të Prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • Dhunë në familje në Prishtinë e Podujevë, arrestohet një person

    Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të dhunës në familje në Rajonin e Prishtinës.

    Më 29.01.2025, një patrullë e Policisë hasi në një automjet në Podujevë, ku një çift ishte duke u përleshur fizikisht. Të njëjtit sipas forcave të rendit janë dërguar në Emergjencë, për trajtim mjekësor.

    “Njësiti policor derisa ka qenë duke patrulluar, ka hasur në një automjet të ndalur, ku çifti që ishin në automjet ishin duke u rrahur mes vete.” – njofton Policia.

    Palët janë dërguar në Emergjencë, kanë marrë tretman mjekësor dhe pas konsultimit me Prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërsa, në një rast tjetër në Prishtinë, një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan me të cilën bashkëjetonte.

    “E njëjta pas intervistimit me dëshirë ishte kthyer në shtëpinë e prindërve të saj, së bashku me fëmijën e saj, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.” – thuhet në njoftim.