Kategori: Ligji

  • Thaçi nuk e pranon fajësinë për akuzat për pengim të drejtësisë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së dytë kundër tij, për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, njoftoi të martën gjykata.

    Gjykata Speciale tha se Thaçi u deklarua rreth fajësisë së tij në formë të shkruar më 6 janar, pasi nuk kishte pranuar të deklarohej para gjykatëses së procedurës paraprake në dhjetor.

    “Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, thuhet në njoftim.

    Aktakuza e re kundër Thaçit dhe katër personave të tjerë, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut – u konfirmua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.

    Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

    “Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.

    Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Prokurori Joshua Hafetz ka thënë se prokuroria synon t’i thërrasë të paktën tre dëshmitarë për të dëshmuar kundër Thaçit dhe katër të dyshuarve të tjerë në gjyqin për pengim të drejtësisë.

    Derisa Thaci Kuçi, Kilaj dhe Fazliu janë deklaruar të pafajshëm, Smakaj nuk është deklaruar ende.

    Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.

    Thaçi e ka përsëritur, të paktën dy herë në javët e fundit, domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës nga Specialja, teksa ka përmendur se dy aktakuzat kundër tij janë ngritur vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.

    “Unë nuk jam pjesë e garës politike dhe as nuk kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër, as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike. E theksoj që nuk jam pengesë dhe as nuk paraqes rrezik për askënd, në kuptimin politik, e as për ndonjë projekt qeverisës”, ka thënë Thaçi në gjyq.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

    Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

    Ndërkohë, ato ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

    Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

    Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./ REL

  • Dyshohet se ishte bashkëpunëtor në një vjedhje, arrestohet 36 vjeçari në Durrës

    36 vjeçari me iniciale A.H është arrestuar nga Policia e Shtetit nën dyshimin se ka qenë bashkëpunëtor për vjedhjen e një shumë parash dhe bizhuterish, në një banesë, duke përdorur kopje të çelësit të derës.

    Personi në fjalë ishte shpallur në kërkim më datë 14.09.2024, në lidhje me vjedhjen e një shume parash dhe bizhuterish, në një banesë në lagjen nr.18, Durrës.

    Policia e Shtetit njofton se për këtë rast të vjedhjes ishin arrestuar dy persona. Sanitarja në këtë banesë, 33 vjeçarja dyshohet se ka siguruar kopje të çelësit të derës dhe ua ka dhënë 42-vjeçarit dhe 36-vjeçarit (vëllezër), të cilët dyshohet se më pas kanë kryer vjedhjen.

    “Gjithashtu, në shtator, shërbimet e Policisë kanë gjetur në banesën e 42-vjeçarit dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një varëse dhe një unazë floriri, një shumë parash dhe një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes”- bënë të ditur Policia e Shtetit.

    Sipas këtyre të fundit, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.

  • Vrasja e 33 vjeçarit në Shkodër u krye për motive të dobëta, arrestohen dy vëllezër

    Për motive të dobëta, e dyshime se viktima mund të kishte ndikuar për prishje të marrdhënieve familjare, janë pretendimet që janë thënë sot në një konferencë për media, disa nga pikat që shtynë vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Shkodër ndaj 33 vjeçarit Ramazan Mataj. 

    Policia tashmë ka njoftuar se për ngjarjen tashmë janë vënë në pranga dy persona, vëllezër që dyshohet se njëri kreu vrasjen e tjetri ndihmoi në këtë vepër penale. 

    “Nga hetimet e policisë rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj”- tha në një konferencë për media, Drejtori i Policisë në Shkodër, Fatmir Lleshaj.

    Sipas tij,  29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.

    Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve familjare.

    Dy ditë më parë (05.01.2024) 33 vjeçari Ramazan Mataj është vrarë me armë zjarri ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar se tashmë nga hetimet intenstive që janë zhvilluar janë identifikuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit janë arrestuar. 

    Në një konferencë për media, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë në Shkodër, Fatmir Lleshaj, ka njoftuar se kanë zhvilluar një hetim dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, është bërë edhe zbardhja  e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç. 

    Pas ngjarjes që u regjistrua një numër i lartë i personave janë identifikuar dhe janë shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje në lidhje me rastin. 

    Si rezultat i një hetimi intensive disaditor, në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit. Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë.

    Vëllai i të dyshuarit si autor i vrasjes, shtetasi Klisman Hasaj, dyshohet se kishte ndihmuar Arjon Hasajn për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.

    “Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës”- u tha në konferencën për media. 

    Gjithashtu policia njoftoi se Arjon Hasaj, po dyshohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

    Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë dërguar shkresat dhe dosjen në prokurori. 

    “Theksojmë faktin se pas ngjarjes së ndodhur, në adresë të DVP Shkodër kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët, për bashkëpunim dhe mbështetje, si dhe informacione, të cilat pavarësisht vlefshmërisë, ishin inkurajuese për punën intensive që Policia kreu për të zbardhur këtë ngjarje me impakt publik”- tha drejtori Lleshaj.